Rama kërkon vezë edhe nga kaposhi
Kur inxhinierët nuk gjenin naftë (se nuk kishte!), “qoftëlargu” urdhëronte të dënoheshin me vdekje si sabotatorë. Kur një ditë mbeti fillikat, u deklarua fener ndriçues në botë. Si dinak, i kishte qerratai ca aftësí. Njerëzit i shihte si miza. Veç, ama, si skllevër, i quante “kapitali më i çmuar!”. Edhe pse dështak i përhershëm, Enver “optimisti” nuk e pranonte dështimin. Kur pushkatonte gjysmën e udhëheqjes, mburrej se kishte forcuar partinë. Si kriminel frikacak, shihte kudo atentatorë. Si ideator i krijimit të njeriut të rí, u përpoq t’i bënte shqiptarët spiunë. Atë që guxoi t’i fliste për mossuksese, e dërgoi në botën tjetër. Populli duhej të bënte atë që thoshte partia, d.m.th. Enveri. Ndoshta prandaj edhe Edvin Rama, si dishepull i tij, nuk e pranon humbjen e zgjedhjeve. Ashtu si paraardhësit e tij, që korrupsionin e shpallën forcë zhvillimi, Rama ka ngritur flamurin “Nuk ka kala, që s’e marrin komunistët”. Dhe i pëlqeu, kur “kongresmenët” e tij e kuptuan këtë mesazh që, për Edvinin, edhe gjeli duhet të bëjë vezë! Ky ishte një përcaktim historik, që Ramën e mallëngjeu. Prandaj ky mbajti një fjalim patetik para kandidatëve të tij për deputetë. Dhe, që nga ajo ditë, ky misionar i “Politikës së ré”, nisi të mos përfillte asnjë autoritet. Ndaj, kur i thanë se për të nxjerrë përfundimet e zgjedhjeve ishte caktuar K.Q,Z,-ja, u nervozua sa i quajti idiotë ata që nuk e kishin kuptuar filozofinë populiste të politikës së tij të re. Dhe nisi të ulërinte nëpër korridoret e selisë rozë se zgjedhjet s’mund të fitohen veçse me marifete. Në fillim - tha - duhet të ngulet këmbë për mandatin e Fierit. Pastaj, po na dhanë gishtin, t’u rrëmbejmë krahun. Të kërkojmë dhe numërimin e yjeve në qiell. Nuk thoshte kot një mbret i Francës “Ligji jam unë!”. Mos vallë, unë, Rama shkova vetëm për plazh në kryeqytetin botëror të modës? Jo! Atje unë mësova si të shtirem i thjeshtë, duke i mbajtur edhe thonjtë të paprerë. Atje dallova hapësirat që mund të shfrytëzojnë demagogët si unë nga liria. Atje mësova, madje, si ta shes, edhe vesin për virtyt. Ah, sa dredhira mëson njeriu i keq në lirí! Dhe nisi ferrë më ferrë kasnecët e vet të shpërndanin lajmin se, poqese KQZ-ja nuk numëron gjithë qendrat e votimit, ajo të shpallet si Meta, sabotatore. Të akuzohet sikur merr urdhra nga ata që, duke i fituar zgjedhjet, kanë hedhur festen mbi sy. Dhe të mbillnin kudo mendimin se për PS-në edhe gjeli bën vezë! Edhe kau pjell viç. Shkurt, për “Politikën e re” çdo gjë është e mundur. Po, dhe në daltë ndonjë kokëkrisur të deklarojë se gjeli s’bën vezë dhe kau nuk pjell, ta bindim se historia e fitoreve tona ka vërtetuar të kundërtën. Se vetëm me shpifje, me presione, me kushte e çmime të rënda ne kemi arritur çdo fitore. Se, të mos kish bërë për ne edhe gjeli vezë, s’e kishim marrë dot kurrë pushtetin! Pse, si u pasuruam ne pa bërë gjeli vezë ? Si guxuam t’u këkonim votë edhe të djathtëve? Veçse gjithçka varet nga kushtet, që i vë kundërshtarit? Ja! Le ta marrim çështjen shtruar. A nuk deklaruan të djathtët se çmonin standartet e zgjedhjeve më shumë se vetë rezultatin? Atëhere, ç’presim? O burra, të vëmë në dyshim legjitimitetin e tyre! T’i shpallim zgjedhjet të manipuluara! Të kërkojmë numërimin e çdo kutie votimi në Shqipëri! Të nxjerrim të rregullt çdo fletë votimi të pavlefshme! Të dënojmë si të shitur komisionerët tanë, që nuk e kuptuan se, për socialistët, edhe gjeli bën vezë! Dëgjoni, pra, vëllezër! Shoku Enver pranoi të bashkëpunonte edhe me NATO-n, nëse kjo e fundit plotësonte dyzetë kushtet e tij. Dhe a dini ç’kondita i vuri? Të hiqte dorë nga ideologjia kapitaliste. Të çarmatosej! Të pranonte si ideologji marksizëm-leninizmin, etj. Pra, kushtet janë vendimtare!... Ndaj, o burra, sajoni sa më shumë kushte! krijoni sa më tepër alibira! Kujtoni si ua kemi vjedhur votat të djathtëve! Dhe bëni rrokadën!, etj. Mos rrini, vëllezër me duartkryq! Mos prisni kocka nga qielli! KQZ-ja dëshiron të zbatojë ligjin. Ajo nuk e ka kokën prej qepe, që të shkelë Kodin Zgjedhor! Nuk del ajo kundër vendimeve të Komisioneve zonale, sidomos kur ato kanë qenë me shumicë socialiste! Hiqeni nga mendja se mund ta detyrojmë atë të numërojë gjithë kutitë e votimit që duam ne! E kuptoni taní, shokë, që kështu kemi mbaruar!? Mos më rrini si hunj gardhi! Kush nuk luan këmbët, thotë populli, nuk lëviz dhëmbët! A nuk u bëmë ne milionerë duke u vjedhur pronat pronarëve të ligjshëm?! A s’e ruajtëm nostalgjinë për diktaturën, duke degraduar demokracinë? A nuk i kemi lidhur shumë njerëz pas qerres sonë, duke i futur në korrupsion? Asgjë, shokë, nuk vjen “llokume” në gojë. Prandaj, në mos arritshim që rezultatet t’i barazojmë, të vëmë, të paktën, në pikëpyetje standartet e zgjedhjeve. Veç, fajin, amá, t’ia ngarkojmë mazhorancës aktuale. Ta akuzojmë sikur na pengoi për verifikimin e plotë të numërimit. Sikur vonoi enkas daljes e rezultatit përfundimtar. Sikur nuk dëshiron një opozitë konstruktive. Shkurt! Tani që shpifjet na u kthyen në bumerang, s’na ka mbetur veçse presioni. Prandaj, o burra, presion! Me protesta demokratike! Me kushte sa më të pazbatueshme! Me ulërima për prishje të standarteve ! Ta bëjmë, shokë, kundërshtarin t’i vijë festja rrotull! A nuk ishin prindërit tanë që e shpallën Shqipërinë vendin e parë në botë për nga nivel jetese, kur njerëzit vdisnin uríe!? A nuk detyruan ata me “kopaçe” të pranoheshin fajësi të paqena edhe nga shenjtorët? Pse u realizuan këto? E dini? Vetëm pse Stalini i madh porositi që “Revolucioni i justifikon viktimat!”. Dmth që “kopaçja paskësh dalë nga xheneti”! Kurse ju prisni vendimin e KQZ-së! A s’e kuptoni që populli na dha kaq vota, për të mos e lënë vendin fare pa opozitë? Prandaj s’na mbetet tjetër veç të kontestojmë zgjedhjet, madje, të mos i njohim ato! E mira është të vetëshpallemi fitimtarë! Viktimat të një manipulimi të pakuptueshëm! Mirëpo populli thotë: “Po të lanë të bëhesh prift, bëhu dhespot!”. Vetëm një gjë ju porosis: Po kuptoi populli që ne, për interesat tona personale e partiake hodhëm në lumë ato aspirata madhore kombëtare, do të na kthejë kurrizin, kur një ditë t’i kërkojmë rishtas votën. Prandaj, që mishi të piqet dhe helli të mos digjet, forconi kushtet, shtoni kërkesat, shumoni ankimimet dhe ngulni këmbë në mosnjohjen e zgjedhjeve! Dhëntë zoti e zemërohet ndonjë nga fitimtarët që po rrinë kaq të qetë dhe bie në “grackën” tonë. Kurse ne, si dhelpra që jemi, do t’ia hedhim si gjithmonë fajin “kurthit” të kundërshtarit dhe jo lakmisë sonë për pushtet absolut, të pamerituar!... Sidoqoftë, mos harroni se për ne, socialistët, edhe gjeli duhet të bëjë vezë!...”
...