E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ultimatumi i Ramës i drejtohet vetëm Perëndimit, do ketë ndëshkimin e tyre

Haxhi Qamili i Shekullit XXI nuk është as në lartësinë e paraardhësit të tij anadollak, prandaj edhe ekzekutimi fizik nuk bën për të. Perëndimi ka qenë garant i zgjedhjeve të 28 qershorit dhe i kursit tonë reformator, prandaj s’mund të tolerojë të bashkëpunojë me rrugaçin që përsërit gjithë ditën shprehjen: “Sa të kem Tragjasin dhe Peqinin, s’pyes për Perëndimin”. Zbritja në rrugë ka afruar kohën e ekzekutimit, i cili do të jetë një likuidim politik për njeriun me patologji skizofrenike dhe që po vendos nën presion edhe forcat pro-europeiste brenda të majtës

Ultimatumi i Edi Ramës për hapjen e kutive të votimit apo për bërjen harakiri në mes të sheshit “Skënderbej” nuk i drejtohet Sali Berishës e as mazhorancës që ai ka në Kuvendin e Shqipërisë. Ultimatumi i Edi Ramës, ashtu si më herët ultimatumet e Haxhi Qamilit e Enver Hoxhës i drejtohen Perëndimit, si klithje të botës informale për të kërkuar shpërblime e hynere në dëm të interesave kombëtare, thjesht për shkak të faktit se munden t’i bëjnë dëm të mirës tonë të përbashkët. Perëndimi na u gjend me një solidaritet mbresëlënës në rrugën tonë të vështirë nga honi i 1990 deri tek anëtarësimi në NATO e paradhoma e BE-së, por Edi Rama – gjithmonë me vonesë faze – edhe këtë herë është kujtuar shumë vonë për ultimatumin e vet. Krahasimet janë krejt të largëta, megjithatë nuk është e vështirë që Rrogozhinën e Haxhi Qamilit ta zëvendësojmë me Tragjasin, si një ish-ikonë e terrorit komunist, enverist e edvinist dhe ta lëmë Peqinin të paprekur në të dyja rastet, për të përmbyllur anakronizmin e sotëm të Edi Ramës, me arrogacën e shprehur në mitingje e tashmë edhe në aksione gjysëmilegale të socialistëve: “sa të kem Tragjasin e Peqinin, s’pyes për Perëndimin”.
Por e vërteta është se zgjedhjet e 28 qershorit kanë qenë një stacion i rëndësishëm i demokracisë shqiptare si dhe një çertifikim i paprecedentë i standardeve të kësaj demokracie. Sipas një vëzhgimi të detajuar të ndërkombëtarëve (të cilët nuk lëshojnë asnjëherë pe për të tilla gjëra e të tilla tema), zgjedhjet e 28 qershorit ishin të lira, të drejta e të ndershme, ato përmbushën standardet ndërkombëtare, prandaj edhe fituesi është i superçertifikuar si partneri i ndërkombëtarëve. Të gjitha këto parakushte, e kanë gremisur Edi Ramën në një opozicion katërvjeçar prej të cilit nuk mund të dalë shpejt e me mjete normale, prandaj edhe sa s’ka ardhur dimri (siç thoshte ati i tij shpirtëror, Enveri), ka nisur sabotazhin, bllokadën e ndoshta mendon edhe për më rëndë, pas skadimit të asaj palo-deklaratës, për të cilën mediat e Edvinit janë urdhëruar ta referojnë si ultimatum. Por kjo palo-deklaratë nuk i drejtohet Sali Berishës, as mazhorancës së re në Kuvendin e Shqipërisë, por ndërkombëtarëve. Ata u pranuan nga të dyja palët si garantët e zgjedhjeve dhe si çertifikuesit e tyre dhe pas 28 qershorit, procesi ka marrë një valë vlerësimesh pozitive nga BE, SHBA, OSBE, Këshilli i Evropës dhe Këshilli i Ambasadorëve të NATO-s, prandaj edhe ultimatumi, si një shfaqje e re e politikës shqiptare është një aferë e Edi Ramës me ndërkombëtarët. Me ta ai ka detyrimin të sqarojë jo vetëm kartelën e tij klinike, jo vetëm historinë e trazuar me gratë, jo vetëm rrënimin e vlerave në Partinë Socialiste, por edhe mungesën flagrante të provave që do të kërkonin një hetim për zgjedhjet e 28 qershorit, si dhe vendimet e pavenda për zbritjen në rrugë, mosbindjen civile dhe marrjen e pushtetit me dhunë.
Ballkani Perëndimor është një rajon jo fort i qetë, për t’i lejuar vetes edhe kapriçion e radhës të një politikani që s’di të fitojë asnjëherë e s’di asnjëherë të jetë në lartësinë e politikës, prandaj edhe ultimatumi i Edi Ramës ndaj ndërkombëtarëve është e thjeshtë të paramendohet se do të ketë një fat edhe më të keq sesa shqiptimet anadollake të Haxhi Qamilit në fillimin e shekullit 20. Jemi në dekadën e parë të shekullit XXI dhe Edi Rama elaboron teza politike edhe më anakronike se vërsniku politik e anadollak i një shekulli më përpara. Ekzekutimi i Haxhi Qamilit ndoshta nuk na paraqet shumë ngjashmëri me rastin e sotëm, por patologjitë e Edi Ramës tregojnë se ka ardhur koha që ai të ekzekutohet politikisht, dhe për këtë, janë të gjitha gjasat se do të ketë një bashkëpunim të forcave pro-europeiste brenda PS-së dje të majtës, të shoqërisë civile në Shqipëri, të mazhorancës së djathtë sigurisht, por së pari të ndërkombëtarëve, të cilët kanë edhe kujdestarinë mbi demokracinë shqiptare dhe që po lexojnë përditë se po rrezikohet nga patologjitë e Edi Ramës.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›