E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shpërthim dinamiti në shtëpinë e gardianit

Një sasi lënde plasëse ka shpërthyer gjatë natës së të enjtes në banesën e një polici të paraburgimit të Vlorës. Policia njoftoi se ngjarja ka ndodhur në lagjen "24 Maji" dhe objektiv i sulmit ka qenë banesa e Fatmir Shkurtit, i cili punon prej dy vitesh në paraburgimin e Vlorës si gardian. Shpërthimi ka ndodhur rreth orës 22.00. Pas zhurmës dhe tronditjes që është ndier brenda në shtëpi, polici ka dalë menjëherë në oborr, por nuk ka parë asnjë njeri. Më pas ka njoftuar Komisariatin e Policisë së Vlorës, që ka dërguar ekspertët dhe ka bërë këqyrjen e vendngjarjes. Është konstatuar se shpërthimi ka ndodhur në tarracën e shtëpisë dykatëshe, ku është krijuar një "krater" me diametër 22 cm dhe thellësi 1 cm. Në vendngjarje është gjetur një fitil dinamiti i gjatë 15 cm, si edhe disa shenja nga lloji i lëndës shpërthyese. Fatmirësisht, shpërthimi nuk ka shkaktuar dëme në njerëz dhe as dëme materiale.

mi. ma.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›