Topi në Vlorë, apel për bashkëpunim politikës
Presidenti i republikës, Bamir Topi i ka bërë apel politikës shqiptare që të lërë mënjanë interesat vetjake në nder të përvjetorit të krijimit të shtetit shqipar. Këto deklarata Kreu i Shtetit i bëri nga fshati Kuc i Vlorës, ku ka dekoruar patriotin Zenel Hito Gjoleka, në 160 vjetorin e vdekjes së tij dhe në kuadër të festimeve të 100- vjetorit të pavarësisë së shtetit shqiptar.
“Duke respektuar shtetin dhe forcuar institucionet, duke njohur ligjin dhe treguar bindje ndaj tij, duke u dhënë fund çdo praktike të gabuar që e sheh politikën dhe shtetin si burim fitimi, abuzimi apo demagogjie, pra duke marrë vendime për qytetarët, me qytetarët dhe në interes të plotë publik e kombëtar, vetëm kështu politika dhe shtetarët tanë i bëjnë respektin e merituar përvjetorit të krijimit të shtetit shqiptar”-tha ai.
Topi e ka vlerësuar atdhetarin Gjoleka me titullin e lartë "Nder i Kombit" . Fillimisht Topi kreu një vizitë në varrezat e dëshmorëve në fshatin Kuc, ku vendosi një kurorë me lule në nder të heroit Gjoleka. Më pas ai u prit nga familjarët e atdhetarit të njohur, ndërsa tha se me emrin e Zenel Gjolekës lidhen shumë akte historike.
Zenel Gjoleka shërbeu si komandant mercenarësh shqiptarë në ushtrinë osmane si dhe udhëhoqi kryengritjen në zonën midis Kurveleshit, Çamerisë, Delvinës, Gjirokastrës dhe Vlorës. Pasi u shtyp kryengritja Zenel Gjoleka u kap tradhëtisht dhe u internua në vise të thella të Anadollit. Më vonë, qeveria osmane e fali dhe ai hyri përsëri në shërbim ushtarak deri sa më 1852 u vra.