Ilir Meta: Shqipëria e meriton statusin e kandidatit brenda 2012-s
Kreu i LSI-së zhvillon takime në Bruksel me eurodeputetët Eduard Kukan dhe Johannes Svoboda
Në kuadër të një vizite në Bruksel, Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim z. Ilir Meta u prit në Parlamentin Evropian nga Eduard Kukan, Kryetar i Delegacionit të Parlamentit Evropian për Evropën Jug-Lindore, dhe nga Hannes Svoboda, Kryetar i Grupit Europarlamentar të Socialistëve dhe Demokratëve. Gjatë takimit me Kukan, Meta e njohu atë me zhvillimet e fundit politike në Shqipëri gjatë javëve të fundit, të cilat ai i cilësoi si pozitive për procesin e integrimit evropian të Shqipërisë. Meta dhe Kukan ndanë bindjen se energjitë e të gjithë aktorëve politikë, duhen përqendruar në realizimin e reformave në shërbim të përmbushjes së 12 prioriteteve për marrjen e statusit të vendit kandidat. Meta u shpreh se Shqipëria duhet ta marrë statusin e vendit kandidat brenda këtij viti, duke nënvizuar në këtë drejtim domosdoshmërinë e përfundimit të reformës zgjedhore në mënyrë urgjente.
Gjatë takimit me Svobodën, u vlerësua gjithashtu progresi i bërë kohët e fundit nga Shqipëria në drejtim të përmbushjes së 12 prioriteteve për marrjen e statusit të vendit kandidat, duke theksuar në veçanti fokusimin në përfundimin e menjëhershëm të reformës zgjedhore, si dhe në avancimin pa humbur kohë të të gjitha reformave të tjera të nisura. Në këtë kuadër, Meta dhe Svoboda u shprehën se forcimi i dialogut politik në vend, do të krijonte klimën e nevojshme për përmbushjen sa më të shpejtë e të plotë të të gjitha rekomandimeve të Bashkimit Evropian.
Gjate takimeve te tij ne Bruksel, Meta u shpreh se ky vit do të jetë kyç për Shqipërinë, dhe në këtë kuadër, vendit i duhet një fryme konstruktive, ndërkohë që politika shqiptare duhet të tregojë përgjegjësi kombëtare dhe pjekurinë e duhur, në mënyrë që vendi të marrë brenda 2012, statusin e vendit kandidat në Bashkimin Evropian.