E Diel, 1 Nëntor 2026

Homazhet për nder të Tahirit, Berisha:Tolerancë zero ndaj krimit

Tolerancë zero ndaj krimit dhe kriminelëve. Ky ka qenë mesazhi i Kryeministrit të vendit Sali Berisha , teksa ka bërë homazhe në Shtëpinë Qëndrore të Ushtrisë për nder të kryekomisarit Adem Tahiri i cili u vra ditën e djeshme në krye të detyrës. Berisha ndër të tjera vlerësoi figurën e Kryekomisarit si një efektiv shembullor, ndërsa garantoi se ligji do të vërë në vend drejtësinë.
 

“Nderimin më të thellë për dëshmorin më të cmuar të atdheut, që ra në krye të detyrës, në përpjekje për të garantuar rendin qetësinë në Bashkinë e Shijakut. Adem tahiri ka qenë një kryekomisar shembullor, trim i vendosur dhe me sakrificën e tij sublime u faktoi kolegëve dhe mbarë shqiptarëve cili ishte kuptimi i lartë i detyrës për të. Është një humbje e madhe për familjen në radhë të parë, ngushëlloj forcat e rendit për humbjen e një prej anëtarëve më të talentuar të tyre, i siguroj ato për mbështetjen e qeverisë dhe besimin se me forcën e ligjit do ndëshkojmë krimin dhe kriminelët kudo që ndodhën. Drejtësia do të thotë me rreptësinë më të madhe fjalën e saj, do hetohet cdo element, garantoj qytetarët se Policia e Shtetit është më e vendosur se kurrë për të luftuar krimin” u shpreh Berisha.

Tahiraj Dëshmor Atdheu
Me propozim të qarkut të Tiranës, Kryekomisar Adem Tahiri shpallet "Dëshmor i Atdheut". Vendimi për Kryekomisar Adem Tahirin është marrë nga Komisioni Qëndror i Dëshmorëve të Atdheut.
 

Tahiraj Dëshmor i Kombit
Qeveria shpall Dëshmor i Kombit Kryekomisarin Adem Tahiraj të rënë në krye të detyrës. Ministria e Mbrojtjes ngriti një Komision që do të merret me ceremoninë mortore, ndërsa trupi i pajetë i Tahiraj do të prehet në Varrezat e Dëshmorëve.


Homazhet

Në Shtëpinë Qëndrore të Ushtrisë kanë nisur homazhet për nder të kryekomisarit Adem Tahiri i cili u vra ditën e djeshme në krye të detyrës.  Homazhet do të zhvillohen nga ora 14:30-16:00 ndërsa në orën 17:00 trupi i pajetë i kryekomisarit do të përcillet për në banesën e fundit.

Homazhe kanë zhvilluar deri më tani, drejtori i përgjithshëm i policisë së shtetit Hysni Burgaj, kreu i PS-së Edi Rama së bashku me kreun e grupit parlamentar socialist Gramoz Ruçi, kryeministri i vendit Sali Berisha i cili ka vendosur edhe një kurorë me lule, Ministri i Jashtëm Edmond Panariti, Kryeparlamentarja Jozefina Topalli, Ministri i Arsimit Myqerem Tafaj, Ministri i Kulturës Aldo Bumci, përfaqësues të komunitetit mysliman, perfaqesues nga Presidenca, perfaqesues te larte te Policise se Shtetit.
 

Nishani: Vrasja e Tahirit, akt i rëndë kriminal

Ndërkohë më herët, Kreu i shtetit Bujar Nishani i ka shprehur ngushëllimet familjes së kryekomisarit Adem Tahiri.  Kreu i Shtetit e konsideron vrasjen e Kryekomisarit Tahiri një akt të rëndë kriminal ndaj forcave të rendit që me përkushtim dhe disiplinë punojnë për garantimin e rendit dhe sigurinë e jetës së qytetarëve.

“Shpreh bindjen e thellë se pavarësisht egërsisë dhe pabesisë që mund të shfaqin krimi dhe kriminelët, nuk do të munden ta thyejnë forcën e shtetit dhe ligjit, nuk do të munden ta përkulin kurajën dhe trimërinë e punonjësve të Policisë së Shtetit, nuk do të munden t`i shpëtojnë ndëshkimit të drejtësisë” thekson Nishani.

Berisha: Vdekja e Adem Tahirit, humbje e madhe për të gjithë shqiptarët

Gjithashtu familjen e kryekomisar Adem Tahirit e vizitoi sot edhe kryeministri Sali Berisha i cili theksuar se vrasja e Adem Tahirit është humbje e madhe për familjen por edhe për të gjithë shqiptarët.

"Vrasja e Tahirit është një dhimbje e madhe për familjen e tij, të gjithë të arfërmit, efektivat e policisë dhe shtetin. Familja e kryekomisar Tahirit këtë dhimbje e ndan me të gjithë shqiptarët. Humbja e e tij nuk kompesohet me asgjë. Ai ra në krye të detyrës nga një akt i shëmtuar kriminal” është shprehur kryeministri.


Noka viziton familjen Tahiri

Ndërkohë mbrëmjen e djeshme, familjen Tahiri e vizitoi edhe ministri i brendshëm Flamur Noka. Ai i shprehu ngushëllimet familjes së kryepolicit të Shijakut Adem Tahiri në emër të institucionit që ai drejton.

"Rënia në detyrë e Ademit është një humbje e madhe për bashkëshorten, familjen dhe të afërmit. Policia e shteti humbi një kuadër të çmuar dhe autorët do të vihen përpara drejtësisë" u shpreh Noka.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›