Shërbimi i Provës, Gjykata refuzon kërkesat e të dënuarve
Laureta Rryçi
Gjykata refuzon të gjitha kërkesat e të dënuarve për të përfituar nga Shërbimi i Provës. Burime zyrtare pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Tiranës pohuan dje për gazetën “Albania” se shkak për këtë situatë është bërë mungesa e informacionit për të dënuarit mbi procedurën që duhet të ndjekin në të tilla raste.
Menjëherë pas hyrjes në fuqi të ligjit për Shërbimin e Provës, të dënuarit nuk humbën kohë për të depozituar dhe paditë e para. Kryesisht kërkesa në këto padi ishte që ata të linin qelitë ku janë aktualisht dhe të qëndronin në shtëpi për të vuajtur pjesën tjetër të dënimit që iu kishte mbetur. Gjyqtarët e dhomës penale që iu kanë rënë për shqyrtim këto kërkesa kanë dhënë të njëjtin vendim për të gjithë. Në fillim zyrtarët e burgjeve u shprehën se falë këtij ligji pritej që rreth 450 të dënuar të linin qelinë për të vuajtur pjesën tjetër të dënimit ose në shtëpi ose nën masën detyrim paraqitje. Mirëpo edhe pse kanë kaluar disa muja dhe paditë nuk kanë munguar sërish nuk ka asnjë përfitues.
Funksionimi
Shërbimi i Provës do të jetë pjesë e Ministrisë së Drejtësisë dhe drejtohet nga Drejtori i Përgjithshëm i Shërbimit të Provës e do të organizohet në nivel qendror dhe vendor. Drejtoria e Përgjithshme do të jetë në ministri dhe do të përbëjë nivelin qendror, ndërsa zyrat vendore do të veprojnë pranë gjykatave të rretheve gjyqësore. Rregullat e hollësishme që do të vënë në lëvizje këtë organ shtetëror tashmë janë përcaktuar dhe pas 15 ditësh pritet të nisë zbatimi i këtyre dënime. Në praktikën e vendeve të tjera, zbatimi i dënimeve alternative ka ndikuar në uljen e fenomenit të mbipopullimit nëpër burgje. Përsa i përket personelit të shërbimit të provës ai do të organizohet në rangun Drejtorisë së Përgjithshme ku parashikohen Drejtori i Përgjithshëm, 15 drejtorë rajonal, 24 specialistë në rang kombëtar, dhe 10 persona personel mbështetës. Sipas specialistëve mekanizmi mbi ekzekutimin e dënimeve alternative do të kalojë në një proces zinxhir që nis me vendimin e gjykatës. Në ligj është përcaktuar që Gjykata, para dhënies së një dënimi alternativ, duhet të kërkojë një raport paraprak nga shërbimi i provës. Ky raport duhet të identifikojë dënimin e duhur alternativ për personin, për riintegrim në shoqëri dhe parandalimin e kryerjes së veprave të tjera penale. Gjykata kur të vendosë pezullimin e vendimit me burgim dhe zëvendësimin e tij me një dënim alternativ, duhet të dërgojë menjëherë prokurorit vendimin për ekzekutimin e këtij dënimi alternativ. Në qoftë se personi i dënuar është i burgosur, gjykata dërgon një kopje të vendimit në institucionin e ekzekutimeve të vendimeve penale, ku mbahet i dënuari për lirimin e tij. Kur gjykata vendos revokimin e dënimit alternativ, personi i dënuar dërgohet për të vuajtur pjesën tjetër të dënimit në institucionet e ekzekutimit të vendimeve penale. Gjykata merr vendim brenda shtatë ditës nga data e marrjes së kërkesës së prokurorit dhe vendimi i njoftohet personit të dënuar, mbrojtësit të tij, shërbimit të provës dhe prokurorit. Shërbimi i Provës dhe Drejtoria e Përgjithshme të Burgjeve, me urdhër të përbashkët përcaktojnë institucionin e ekzekutimit të vendimeve penale ku do të vendoset i dënuari në gjysmë-liri. Në këtë përcaktim, mbahen parasysh shkaku për të cilin gjykata ka caktuar masën alternative të gjysmë-lirisë dhe vendin ku duhet të përmbushë detyrimet personale jashtë burgut. Detyrimet e të dënuarit në rast ndryshimi të vendbanimit
Njoftimi
I dënuari në provë njofton paraprakisht me shkrim punonjësin e caktuar me mbikëqyrjen e tij për ndryshimin e vendbanimit apo vendqëndrimit me përjashtim të rasteve urgjente kur njoftimi bëhet fillimisht nëpërmjet telefonit dhe më pas me shkrim. Brenda 15 ditëve nga ndryshimi, i dënuari në provë duhet t’i paraqesë punonjësit të caktuar të dhënat e detajuara rreth situatës së re. Në rastin e udhëtimeve që i tejkalojnë 8 ditë, i dënuari në provë informon Shërbimin e Provës për adresën e vendit ku do të qëndrojë, numrin e telefonit dhe ditën e kthimit nga udhëtimi.
Nëse vendbanimi apo vendqëndrimi i ri i personit ndodhet në një zonë jashtë kompetencës tokësore të zyrës vendore të Shërbimit të Provës të ngarkuar fillimisht me çështjen, kjo e fundit brenda 3 ditëve i dërgon zyrës vendore të Shërbimit të Provës, në kompetencën tokësore të së cilës gjendet vendbanimi apo vendqëndrimi i ri i të dënuarit, dosjen personale të të dënuarit në provë dhe njofton menjëherë gjykatën që ka dhënë dënimin.
Në rastin e ndryshimit të vendit të punës, i dënuari në provë njofton me shkrim Shërbimin e Provës dhe e informon atë për arsyet e ndryshimit, vendin e ri të punës, natyrën dhe veprimtaritë e punës. Brenda 15 ditëve nga ndryshimi i punës, i dënuari në provë i dërgon Shërbimit të Provës dokumentet që vërtetojnë dhe justifikojnë ndryshimin.
Mospërmbushja e kushteve dhe detyrimeve që rrjedhin nga dënimi alternativ
Në rast pamundësie të përmbushjes së kushteve dhe detyrimeve që rrjedhin nga dënimi alternativ, pasi verifikon faktet dhe rre thanat që ndikojnë në pamundësinë e përmbushjes, dhe pas takimit me të dënuarin, Shërbimi i Provës i dërgon menjëherë një raport njoftimi prokurorisë mbi arsyet e mospërmbushjes së detyrimeve nga i dënuari.
Shërbimi i Provës i bashkëlidh raportit, sipas rastit, kur është e nevojshme, të dhëna në lidhje me mospërmbushjen nga ana e të dënuarit të detyrimeve të vendosura nga gjykata.
Raporti përmban edhe një propozim për prokurorin për veprimet që duhen ndërmarrë në përputhje me shkallën e rrezikshmërisë së shkeljes dhe vlerësimin që Shërbimi i Provës i ka bërë rastit.
Llojet e propozimit për prokurorin janë:
a) dhënia e një paralajmërimi në rastet e të miturve ose shkeljeve të kryera për herë të parë;
b) paraqitja e kërkesës drejtuar gjykatës për të ndryshuar detyrimin, për të shtuar detyrime të tjera, për t'i zëvendësuar ato me dënime të tjera ose për të revokuar pezullimin e kryerjes së dënimit dhe periudhën e dënimit me burgim.
Kontakti i parë i të dënuarit me Shërbimin e Provës
1. Zyra vendore kompetente vendos kontaktin e parë me të dënuarin brenda pesë ditëve nga dita që merr njoftim për urdhrin e ekzekutimit të prokurorit për vendimin penal gjyqësor që ka caktuar dënimin alternativ.
2. Pas njoftimit të urdhrit të ekzekutimit, drejtori i zyrës vendore të Shërbimit të Provës cakton një ose dy punonjës të Shërbimit të Provës për të vendosur kontaktin e parë me të dënuarin dhe për të mbikëqyrur zbatimin e dënimit alternativ.
3. Punonjësi i caktuar për mbikëqyrjen njofton të dënuarin për datën e kontaktit të parë. Në njoftim tregohet vendi, data dhe ora e kontaktit, si dhe numri i telefonit dhe adresa e Shërbimit të Provës. Ky njoftim kryhet me mjete teknike të përshtatshme që garantojnë njoftimin, si: telefoni, telegrafi, telegrami, faksi apo posta elektronike. Ky njoftim ka vlerë kur i dënuari konfirmon marrjen e tij.
4. Kur i dënuari është i mitur, punonjësi i caktuar me mbikëqyrjen njofton edhe mbrojtësin e të dënuarit, me qëllim dhënien e informacionit për vendndodhjen e zyrës vendore të Shërbimit të Provës, numrin e telefonit dhe emrin e punonjësit të Shërbimit të Provës të ngarkuar me çështjen.
5. Në rast të mungesës së konfirmimit të njoftimit nga i dënuari, punonjësi i caktuar me mbikëqyrjen i drejtohet menjëherë prokurorit të ekzekutimit për të realizuar njoftimin nëpërmjet shërbimeve të policisë gjyqësore. Në këtë rast afati i kontaktit të parë është dy ditë nga data e njoftimit të të dënuarit.
6. Në kontaktin e parë me të dënuarin punonjësi i Shërbimit të Provës verifikon identitetin e tij dhe e informon atë mbi qëllimin dhe objektivat e mbikëqyrjes, arsyet e dhënies së dënimit alternativ nga gjykata dhe pasojat e përmbushjes ose jo të tij.
7. Shërbimi i Provës informon të dënuarin edhe për detyrimin e tij për të respektuar rregullat mirësjelljes, veçanërisht me ato që kanë të bëjnë me shmangien e sjelljeve të dhunshme apo agresive dhe shmangien e përdorimit të gjuhës së papërshtatshme që dëmtojnë punonjësit e Shërbimit të Provës.
8. Punonjësi i Shërbimit të Provës informon të dënuarin mbi të drejtën e tij për t'u ankuar pranë drejtorit të zyrës vendore në rast se ai e konsideron të papërshtatshëm trajtimin e tij gjatë periudhës së mbikëqyrjes.
9. Punonjësi i Shërbimit të Provës i dokumenton këto veprime informuese në procesverbal, i cili nënshkruhet prej tij dhe të dënuarit. Kur i dënuari është i mitur, procesverbali nënshkruhet edhe nga mbrojtësi i tij.
10. Në kontaktin e parë me të dënuarin, punonjësi i Shërbimit të Provës kryen një vlerësim paraprak mbi situatën e të dënuarit, me qëllim hartimin e programit të mbikëqyrjes.
11. Punonjësi i Shërbimit të Provës kryen vlerësimin e personalitetit të të dënuarit në programin e mbikëqyrjes, me qëllim analizimin e:
a) veprimeve/mosveprimeve penale, rrezikshmërisë shoqërore dhe dëmit të shkaktuar;
b) situatës familjare, ekonomike dhe sociale dhe qëndrimit të të dënuarit ndaj saj;
c) të planeve afatshkurtra dhe afatgjata të të dënuarit dhe mënyrave për realizimin e tyre.
12. Nëse nga vlerësimi rezulton se i dënuari është përdorues i pijeve alkoolike apo i substancave narkotike apo psikotrope, punonjësi i Shërbimit të Provës vlerëson llojin e substancave të përdorura, sasinë, masën e përdorimit dhe mënyrat e sigurimit të substancës, periudhën dhe historikun e konsumimit të substancës, si dhe nëse është rasti institucionin ku i dënuari është regjistruar për trajtim. Në përfundim të këtij vlerësimi, punonjësi i Shërbimit të Provës përgatit raportin e vlerësimit dhe njofton prokurorin në përputhje me ligjin.
13. Në përfundim të kontaktit të parë me të dënuarin, punonjësi i Shërbimit të Provës e njofton atë për datën dhe vendin e takimit të ardhshëm.
14. Punonjësi i Shërbimit të Provës, pas kontaktit të parë, regjistron të dënuarin në regjistrin e të dënuarve.
30 Korrik 2009