E Diel, 1 Nëntor 2026

KLD- mbledhje maratonë për masat disiplinore të gjyqtarëve



Laureta Rryçi

Këshilli i lartë i Drejtësisë zhvilloi dje një mbledhje maratonë duke marrë një sërë vendimesh të rëndësishme. Burime pranë këtij Këshilli sqaruan dje për gazetën “Albania” se mbledhja ka nisur rreth orës 10.00 të paradites dhe ka vijuar deri në orët e mbrëmjes. Të njëjtat burime bënë të ditur se axhenda e djeshme ka qenë shumë e ngjeshur për shkak dhe të çështjeve që janë shtyrë në mbledhjet e mëpërparshme. Deri në mesditë këshilli vendosi të pranojë dy nga propozimet e ministrit të Drejtësisë, Enkeled Alibeaj, ndërsa më pas mësohet se ka vijuar me shqyrtimin e masave disiplinore për disa gjyqtarë të gjykatave të ndryshme në vend.
Mbledhja
Është mbledhur në një takim të posaçëm nën drejtimin e Presidentit të Republikës, Bamir Topi, Këshilli i Lartë i Drejtësisë. Sipas burimeve paraprake nga takimi në mbledhje fillimisht është diskutuar për të marrë në shqyrtim kushtet e reja për sistemin e gjyqësorit në vendin tonë. Ato parashikojnë një zgjerim të mëtejshëm të këtij sistemi, gjë që nënkupton një shtesë të gjyqtarëve në rang vendi, nëpër degët e rretheve përkatëse. Në kuadrin e një riorganizimi tërësor në këtë sistem, parashikohen edhe procedime dhe ndëshkime ndaj gjyqtarëve që nuk kanë respektuar detyrimet dhe rregullat e zbatimit të profesionit të tyre. Konkretisht, në mbledhjen e djeshme ishte përcaktuar që anëtarët e Këshillit të Lartë të Drejtësisë të jepnin votën e tyre për nëntë propozime disiplinore të bëra pak kohë më parë nga ministrit i Drejtësisë pas inspektimeve në dosjet që kanë gjykuar.
Vendimet
KLD ka vendosur të pranojë propozimin e Ministrit të Drejtësisë, për çeljen e pranimeve në shkollën e Magjistraturës për vitin 2009, ku në profilin Gjyqtar do të ketë 8 vende. Gjithashtu në mbledhjen e djeshme është pranuar një tjetër propozim i ministrit Alibeja, që ka të bëjë me rritjen e numrit të gjyqtarëve në gjykatat e Faktit dhe të Apelit. Me vendim të KLD, që pritet të dekretohet nga presidenti, do të ketë shtim të numrit të gjyqtarëve në Gjykatat e Tiranës dhe Durrësit dhe reduktim në disa gjykata të vogla në rrethe. Për dy propozime mësohet se ministri Alibeaj është tërhequr nga masa disiplinore. Gjyqtarët që kanë përfituar nga ky veprim kanë qenë gjyqtari Alaudin Malaj dhe një gjyqtare tjetër që i përket gjykatës së Elbasanit. Ndfërkohë që mësohet se janë diskutuar masat disiplinore për tre gjyqtarët e gjykatës së Sarandës. Këshilli e ka parë të arsyeshme që të bëjë një verifikim mbi ditën kur kanë lidhur martesën gjyqtarët Rasdim Doda dhe Enkeleda Kashuri të cilët janë propozuar që të dy për masë disiplinore. Ndërsa për pesë masa të tjera disiplinore këshilli mësohet se ka vendosur t’a shtyjë shqyrtimin e tyre për në mbledhjen e ardhshme.

Gjyqtarët që u shqyrtuan
Vendosi të shtyjë shqyrtimin e procedimit disiplinor ndaj gjyqtarit të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Sarandë, Rasim Doda, për në një mbledhje të ardhshme të Këshillit të Lartë të Drejtësisë.

7. Vendosi të shtyjë shqyrtimin e procedimit disiplinor ndaj gjyqtares të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Sarandë, Enkeleda Kashuri, për në një mbledhje të ardhshme të Këshillit të Lartë të Drejtësisë.

8. Vendosi të shtyjë shqyrtimin e procedimit disiplinor ndaj gjyqtares të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Sarandë, Nevrije Halo, për në një mbledhje të ardhshme të Këshillit të Lartë të Drejtësisë.

Kërkesa e Magjistraturës për KLD-në
Shkolla e Magjistraturës i drejtohet Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Në mbledhjen e datës 8 korrik edhe pse gjithçka u bë me dyer të mbyllura, burime nga KLD-ja bënë të ditur se është diskutuar gjatë për mënyrën se si do të procedohet me caktimin e numrit të vendeve vakante për profilin gjyqtar. Dihet tashmë se që nga viti 2008 Shkolla e Magjistraturës, profili gjyqtar është mbyllur për shkak të mospasjes së kërkesës nga KLD-ja dhe institucioni i Ministrisë së Drejtësisë. Por ndërkohë që vazhdon të mbetet i mbyllur, Shkolla e Magjistraturës ngre problemin dhe kërkon të trajtohet gjerësisht nga instancat më të larta. Sipas drejtuesve të Shkollës së Magjistraturës, gjyqësori duhet të përcaktoi qartë numrin e gjyqtarëve që duhet të përfshihen me këtë status. Bëhet e ditur se diskutimi në mbledhjen e fundit të KLD-së për këtë pikë ka qenë shumë i hapur. Megjithëse pati kundërshti dhe nga ata që besojnë se Magjistratura sjell element të rinj në gjyqësor, përsëri çështja ka mbetur pezull. Burime të Këshillit të Lartë të Drejtësisë bënë të ditur se kjo pikë do të vihet në diskutim edhe në mbledhjen e ardhshme. Por vështirë përsëri të gjendet një pikë e përbashkët. Nga ana e KLD-së dhe e Ministrisë së Drejtësisë u premtua se do të diskutohet me institucionet e tjera të drejtësisë dhe ato shtetërore si dhe do të hartohet një plan i gjerë që ka të bëjë me statistikat në të gjitha gjykatat. Nga ana e Ministrisë së Drejtësisë u mor përsipër të nxirren të dhëna për sa i përket numrit të gjyqtarëve që janë aktualisht dhe nevojës që ka gjyqësori për element të rinj nga Shkolla e Magjistraturës. Pas këtij veprimi që do të organizohet nga Ministria e Drejtësisë dhe nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë do të jepet një përgjigje për magjistraturën, e cila që prej një viti ka mbyllur dyert për gjyqtarët e rinj.

Gjykata kyçin dyert deri në shtator

Dita e djeshme ka shënuar dhe ditën e fundit e punës për të gjithë gjyqtarët e gjykatave. Kështu që nga dita e sotme, gjykatat kyçin dyert për procese dhe do të priten vetëm masat e sigurisë. Këto masa do të realizohen nga gjyqtarët e gatshëm të cilët përzgjidhen me radhë nga ana e kryetarit të gjykatës. Të gjitha proceset që nuk u mbaruan së shqyrtuari janë shtyrë për në ditët e para të shtatorit. Gjatë ditëve të verës do të qëndrojnë në punë edhe një pjesë e administratës së Gjykatave të Shkallës së Parë për të gjithë ata që do kenë nevojë për ndonjë dokument që lëshohet nga ky institucion.

30 Korrik 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›