Rama: Aksioni opozitar i PS-së, hetim i manipulimeve, protesta dhe zgjedhje të parakohshme
Shaban Sulçe
Një ditë pasi ka fituar betejën në Asamblenë Kombëtare, për qëndrimin që duhet të ketë Partia Socialiste ndaj rezultatit zgjedhor të 28 qershorit, kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama ka shpallur fillimin e “një lufte më të madhe”, e cila synon krijimin e komisionit hetimor për transparencën e zgjedhjeve, publikimin e raporteve që përmbajnë dëshmitë dhe provat për korrupsionin elektoral të 28 qershorit, organizimin e protestave demokratike, qëndrimi për mosnjohjen e parlamentit dhe qeverisë si dhe zhvillimin e zgjedhjeve të parakohshme. Rama ka deklaruar se Partia Socialiste për asnjë moment nuk do të pajtohet me rezultatin e zgjedhjeve të 28 qershorit, duke e cilësuar atë si të papranueshëm për shkak të manipulimeve dhe deformimit që ju bë votës së shqiptarëve. Për këtë arsye, shefi i selisë rozë do të drejtojë Partinë Socialiste në ndërmarrjen e këtij aksioni opozitar, i cili sipas tij do të shpëtojë demokracinë në Shqipëri. “Dhe në rast se PS nuk do të konceptonte aksionin opozitar që ne kemi konceptuar, nuk ka më zgjedhje të lira dhe të ndershme në Shqipëri”, tha Rama gjatë konferencës së djeshme për shtyp.
Raporti
Duke folur për raportin e përgatitur nga Partia Socialiste, Rama tha se në të janë renditur të gjitha shkeljet dhe deformimet që ka pësuar procesi elektoral i 28 qershorit. Kreu i PS-së përmendi presionin e jashtëzakonshëm që kanë ushtruar strukturat e pushtetit si para fushatës, ashtu edhe gjatë saj, duke denoncuar edhe lirimin nga burgu të personave me rrezikshmëri të lartë, të cilët u përdorën nga Partia Demokratike për të deformuar zgjedhjet. “Deformimi i procesit, ka filluar qysh me presionin e jashtëzakonshëm, si asnjëherë më parë të pushtetit para fushatës dhe gjatë saj. Një presion i shfaqur në format nga më të ndryshmet, deri në eksesin kriminal të nxjerrjes të paligjshme nga burgjet të një numri të konsiderueshëm të dënuarish të rrezikshmërisë së lartë, në thyerje të plotë të të gjitha kritereve për të dhënë leje, individë që kanë kontribuar aktivisht në fushatën elektorale pro qeverisë”, tha Rama. Kreu i PS-së tha gjithashtu se deformimi i rezultatit zgjedhor ka ndodhur në të gjitha proceset e numërimit të votave, deri edhe në vendimet absurde të marra nga KQZ-ja. Më tej Rama tha se janë të shumta dëshmitë e qytetarëve në të gjithë Shqipërinë për trysninë që u është ushtruar atyre nga strukturat e pushtetit për ti penguar në shprehjen e lirë të vullnetit të tyre apo për ta devijuar vullnetin e tyre.
Hetimi
Duke folur për hapat që do ndjek Partia Socialiste, Rama tha se Partia Socialiste do të kërkojë në Kuvend ngritjen e menjëhershme të Komisionit hetimor parlamentar për transparencën e zgjedhjeve të 28 qershorit. “Së pari, komisioni hetimor parlamentar për transparencën e 28 qershorit apo për të zbardhur atë që ne e quajmë vendosmërisht krimi elektoral i 28 qershorit, është një nga instrumentat dhe ne do ta vëmë atë menjëherë në lëvizje, duke bërë gjithë përpjekjen tonë që t’i shkojmë deri në fund procesit të hetimit parlamentar”, vijoi ai. Kreu i PS-së theksoi se komisioni hetimor nuk do të jetë i vetmi instrument që do të përdorë kjo parti. Rama tha se Partia Socialiste do të kontestojë legjitimitetin e qeverisë dhe të parlamentit, si një tjetër hap kundërshtues ndaj deformimeve që pësoi procesi zgjedhor. Për këtë, ai deklaroi se Partia Socialiste do të insistojë në zhvillimin e zgjedhjeve të parakohshme. “Lidhur me vlerën numerike të rezultatit, nga pikëpamja juridike nuk mund të diskutohet, por nga pikëpamja politike është tërësisht e kontestueshme dhe për këtë arsye ne do ta kontestojmë në vijimësi legjitimitetin e kësaj qeverie, do ta kontestomë në vijimësi sovranitetin e këtij parlamenti të ri dhe ne besojmë që ky produkt i kalbur i një procesi të kalbur jo vetëm meriton të kontestohet, por janë të gjitha arsyet për të besuar se pikërisht sepse qëndrimi ynë nuk përfaqëson një qëndrim që vjen si rezultat i një taktike politike, por një qëndrim që vjen si rezultat i një të vërtete, që shqiptarët e dinë mirë, veçanërisht ata që janë trysnuar apo grabitur. Pra pikërisht për këtë arsye ky qëndrim jo vetëm ka forcën e nevojshme për ta vendosur parlamentin dhe qeverinë në atë pozicion që meritojnë, por është një bazë shumë e fortë për të synuar zgjedhjet e parakohshme, pavarësisht afatit të tyre dhe jo si qëllim në vetvete për të ndryshuar ngjyrën e pushtetit.”, tha kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama.
30 Korrik 2009