BSH apel qeverisë: “Kujdes me deficitin që po thellohet dhe me çmimet e konsumit”
Ervin KOÇI
Rritja ekonomike e vendit është vënë në pikëpyetje, pavarësisht shifrave optimiste të publikuara nga INSTAT-i dhe qeveria. Mesazhi domethënës u përçua dje nëpërmjet një deklarate koncize të bërë nga vet Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani, i cili kishte përmbledhur në pak faqe mendimin objektiv të ekspertëve të Këshillit Mbikëqyrës, pas mbledhjes së radhës. Nga kjo mbledhje dhe nga deklarata pasuese u kuptua qartë se, efektet e krizës globale, kanë prekur tashmë zhvillimin e ekonomisë reale të vendit dhe se nuk ka më vend për vetëkënaqësi. “Rritja e ulët e kredisë dhe e ofertës monetare, ngadalësimi i të ardhurave buxhetore dhe tregues specifikë të sektorëve të caktuar të ekonomisë sugjerojnë se ritmi i rritjes ekonomike është zvogëluar”- deklaroi Guvernatori Fullani. Kreu i BSH-së i ka kërkuar qeverisë që të tregojë kujdes me deficitin buxhetor, pasi të ardhurat kanë pësuar rënie, ndërkohë që shpenzimet gjatë pjesës së parë të këtij viti janë rritur ndjeshëm. “Politika fiskale gjatë gjysmës së parë të vitit 2009 ka pasur një natyrë ekspansioniste, duke u karakterizuar nga një rritje e shpejtë e shpenzimeve dhe e deficitit buxhetor. Të ardhurat buxhetore kanë shënuar një rritje, duke reflektuar pjesërisht edhe efektet e ngadalësimit të aktivitetit ekonomik. Megjithëse mbetet brenda nivelit të planifikuar për gjithë vitin 2009, deficiti buxhetor prej rreth 30 miliardë lekësh përbën një shifër shumë më të madhe krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar- ka theksuar më tej Guvernatori, duke shtuar se, - BSH-ja do të vlerësonte marrjen e masave për kontrollin brenda niveleve të planifikuara të deficitit buxhetor dhe të huamarrjes publike, duke ndihmuar në ruajtjen e ekuilibrave të brendshëm dhe të jashtëm të ekonomisë”. Por institucioni më i lartë monetar nuk është në gjendje të projektojë, se sa do të jetë rritja ekonomike për periudhën në vazhdim.
Rritja e çmimeve
Guvernatori i BSH-së ka paralajmëruar gjithashtu se, ekonomia në një të ardhme të afërt mund të përfshihet nga vala e rritjes së çmimeve. Si pasojë e uljes së eksporteve, investimeve të huaja, të ardhurave nga emigrantet dhe kredidhënies kanë filluar të ndjehen efektet negative të nënçmimit të kursi të këmbimit. “Pakësimi i flukseve hyrëse valutore është shoqëruar me përkeqësimin e treguesve të bilancit të pagesave dhe lindjen e presioneve nënçmuese mbi kursin e këmbimit, duke nënvizuar rolin e qëndrueshmërisë së llogarisë koherente në ekuilibrat makroekonomikë dhe financiarë të vendit si dhe nevojën e marrjes së masave për garantimin e saj”, - deklaroi Fullani. Guvernatori vijon më tej argumentimin duke thënë se, “inflacioni vjetor shënoi normën 2.3 për qind në muajin qershor, duke reflektuar një përcjellje më të plotë të efektit të nënçmimit të kursit të këmbimit mbi çmimet e mallrave të konsumit. BSH-ja gjykon se ky faktor mund të luajë një rol më të madh në të ardhmen në përcaktimin e këtyre çmimeve, duke përbërë premisa për goditje afatshkurtra dhe afatmesme mbi nivelin e çmimeve”. Në këto kushte këshilli mbikëqyrës i BSH-së mbajti të pandryshueshëm normën e interesit të lekut në nivelin e 5.75 për qind.
Remitancat
Përkundrejt këtyre zhvillimeve, ekonomia shqiptare ka vijuar të karakterizohet nga norma të ulëta kursimi publik dhe privat edhe gjatë gjysmës së parë të vitit 2009, duke u shoqëruar me zgjerimin e mëtejshëm të deficitit të llogarisë korente dhe duke rritur presionet mbi ecurinë e kursit të këmbimit. Rënia e njëkohshme e eksporteve dhe e importeve, respektivisht me 19.6 dhe 6.3 për qind në nivel vjetor, bëri që deficiti tregtar të ngushtohej me 1.3 për qind gjatë pesë muajve të parë të vitit. Megjithatë, ulja e dërgesave të emigrantëve me rreth 8 për qind gjatë tremujorit të parë si dhe përkeqësimi i llogarisë së shërbimeve, bënë që deficiti i llogarisë korente të shënonte një rritje vjetore prej 5 pikësh përqindjeje të PBB-së, gjatë këtij tremujori. Megjithëse ky deficit shkon për të financuar në një masë të madhe mallra importi kapitalë dhe të ndërmjetëm, qëndrueshmëria e tij meriton një vëmendje më të madhe. Shqetësuese është shkalla e ulët e mbulimit të eksporteve ndaj importeve, e cila sinjalizon për probleme strukturore të këtij deficiti, si pasojë e konkurrueshmërisë ende të ulët të ekonomisë tonë. Një vëmendje më e madhe i duhet kushtuar kontrollit të kostove dhe rritjes së produktivitetit në ekonomi, nëpërmjet rritjes së investimeve dhe tërheqjes e aplikimit të teknologjive më të përparuara në prodhim.
Kreditimi
Kërkesa për mjete monetare ka njohur rritje gjatë muajve të fundit. Rritja e ofertës monetare me rreth 8 për qind, është bazuar në krijimin e parasë në ekonomi nga sektori publik si dhe nga huamarrja e sektorit privat, kryesisht në lekë. Portofoli i kredisë ka njohur një rritje modeste prej 7.5 miliardë lekësh ose rreth 5 herë më pak se në të njëjtën periudhë një vit më parë. Pakësimi i burimit të fondeve të bankave dhe rritja e pasigurisë në vend ndikuan në ngadalësim të dukshëm të ritmeve të rritjes të kredisë. Megjithatë, kreditimi i ekonomisë ka njohur rritje përgjatë muajve të parë të vitit ndërkohë që sistemi bankar ka sinjalizuar mosshtrëngimin e mëtejshëm të kushteve të kredisë gjatë tremujorit të tretë e në vazhdim. Kërkesa për kredi në lekë e sektorit privat është përballur me një gatishmëri në rritje të bankave, në sajë të stabilizimit të situatës së likuiditetit dhe lehtësimit të kushteve monetare në fillim të vitit 2009. Kufizimi i ofertës së parasë në valutë ka rezultuar në kontraktimin e përbërësit valutor të strukturës së parasë edhe në kahun e kërkesës për para, duke sjellë zhvendosjen e strukturës së ofertës monetare drejt lekut.
Rritja ekonomike në pikëpyetje, BSH-ë analizë me të dhëna në tymnajë
“Të dhënat mbi ekonominë reale janë të pakta(!)”. Ky ka qenë dje një prej citimeve të bëra nga Guvernatori i BSH-së, Ardian Fullani, i cili ka treguar se institucioni i tij akoma nuk ka të dhëna të sakta se si do të vijojë ecuria ekonomike e vendit deri në fund të vitit 2009. Sipas tij, “në gjashtëmujorin e parë të vitit 2009, situata në tregun financiar u ndikua nga rritja e pasigurisë dhe rivlerësimi i primeve të rrezikut që shoqëruan mungesën e likuiditetit si pasojë e rrjedhjeve të depozitave dhe uljes së aktivitetit kreditues. Ndërhyrja e vazhdueshme e BSH-së në tregun e parasë, e kombinuar me masa që synonin qetësimin e tregut dhe nxitjen e aktivitetit në tregun ndërbankar, si dhe ruajtja e treguesve të shëndoshë të sistemit financiar, kanë bërë që fundi i periudhës të shënojë stabilizim të kushteve të likuiditetit dhe të normave të interesit. Këto të fundit kanë treguar sjellje të ndryshme sipas maturitetit. Interesat afatshkurtër në tregun e parasë kanë pësuar ulje si pasojë e reduktimit të normës bazë të interesit dhe përmirësimit të kushteve të likuiditetit. Interesat afatgjatë janë rritur në kushtet e kërkesës së lartë për fonde afatgjata dhe rritjes së primit të rrezikut. Rritja e interesave në tregun primar është përcjellë tek interesat për kreditë e reja në lekë, për maturitete mbi një vit, e ndikuar edhe nga një prirje e përgjithshme e shtrëngimit të aktivitetit kredidhënës”.
30 Korrik 2009