E Diel, 1 Nëntor 2026

I penduari Coli: Lul Berisha vrau Klodian Saliun



Adriatik Coli vijoi me dëshminë e tij për krimet e kryera nga “Banda e Durrësit”, kur ishin bashkë dhe pasi u ndanë. Me dyer të mbyllura dhe nën masa të rrepta sigurie, Coli ka vijuar rrëfimin aty ku e ndërpreu herën e kaluar, pikërisht pas vrasjes së Ongarit, Dishës e Marsel Sotirit. Rrëfimi me detaje do të vijonte me vrasjen e Erion Lames, personi që u dyshua nga banda për plagosjen e Colit dhe të fejuarës së tij, dhe më pas me përplasjet mes bandës tashmë të përçarë. Me detaje, duke i qëndruar besnik deklarimeve të mëparshme, i penduari rrëfeu ecurinë e pjesës së bandës ku preferoi të pozicionohej, si u lidh më tepër me Klodian Saliu, vrasja e këtij të fundit dhe si e mësoi lajmin e vrasjes dhe dyshimet për autorët e saj. Në dëshminë e tij, Coli fajësoi Lul Berishën dhe grupin e tij si autorë të vrasjes së Klodian Saliut.

Vrasja e Erion Lames

Disa muaj para se Klodi të dilte nga burgu, mbaj mend se ka qenë dimër dhe vija re se Erion Lame ishte fuqizuar shumë. Ai kishte bërë shumë lekë dhe kishte blerë “Benz” 4-fenerësh. Unë kur shkëmbehesha me Erionin më shikonte shtrembër. Një ditë, Indrit Dokle më tha që e kishte marrë në telefon Erion Lame dhe i kishte thënë që kur do pimë kafe për t’u sqaruar. Indrit Dokle i kishte thënë që nuk pi kafe me njeri. Erioni ishte përgjigjur që: “Po mirë, kush t’i këpusë kokën njëri-tjetrit pra”. Pas kësaj, unë i thashë, shkojmë e i këpusim kokën. E ruajtëm të dy Erionin për tre muaj rresht, po nuk po na dilte në shteg. Pastaj një ditë na lajmëruan për vendin se ku ndodhej ai. Menjëherë pas kësaj telefonate, Indriti erdhi tek shtëpia ime, ku unë mora pistoletën dhe ai automatikun e tipit “Skorpions” dhe u nisëm për t’i bërë pritë poshtë rrugës së bashkisë. Ai nuk kishte nga të kalonte dhe ishte i detyruar të kalonte andej ku ne po e prisnim. Ndenjëm rreth gjysmë ore, derisa Indriti pa makinën e Erion Lames, pasi unë nuk e njihja makinën e tij. Pak metra para se të vinte tek ne, ai ndaloi makinën dhe takoi një mik të tij. Ata biseduan rreth 5 minuta dhe makina erdhi në drejtimin tonë. Kur ishte rreth tre metra larg nga ne, e qëlluam me “Skorpions”. Makina doli anash rrugës dhe goditi shtyllën elektrike. Unë u mundova të hapja derën e pasagjerit, pasi pashë se Erioni ishte shtrirë. Nuk e hapa dot derën se ishte me siguresë dhe dola nga ana e Erionit. Në atë kohë ai po lëvizte dhe donte të hapte derën e tij. Unë në atë çast e qëllova me pistoletë dy herë, njëherë në bark dhe njëherë në gjoks, kur ai hapi derën dhe ra. Pasi u siguruam se e vramë, ikëm me vrap në drejtim të magazinës së birrës dhe armët i hodhëm përballë ambulancës, ku po ndërtohej një pallat i madh në atë kohë dhe u ndamë secili në shtëpinë e tij. Në darkë erdhi dhe më shoqëroi policia, ku më pyetën për vrasjen e Erionit po nuk tregova, duke thënë se nuk di gjë. Aty e mësova se ai kishte vdekur. Mësova gjithashtu se të nesërmen, edhe Indritin e shoqëroi policia dhe e kishte pyetur për të njëjtën ngjarje.

Vrasja e Klod Saliut

Një muaj para se të vritej, Klodi takohet me N.K. te lokal “Zeusi”. Atje Klodin e çova unë me makinë, pasi N.K. e kishte ftuar Klodin për kafe. Unë e pash nga jashtë që N.K. ishte ulur në tavolinën e fundit dhe dukej nga xhami. Ata ndenjën dhe bënë rreth një orë e gjysmë muhabet. Mua më mori Klodi në telefon, pasi unë kisha numër me kontratë dhe e kisha marr në emër të nënës sime. Kur shkoi brenda, Klodi më thotë merre këtë pistoletë se ma dhuroi N.K. dhe më prit jashtë. Pistoleta ishte e prodhimit izraelit. Kur Klodi doli nga lokali ku ishte me N.K., ne shkuam me makinë tek lokal “Kontinentali” dhe aty erdhi Indrit Dokle, të cilin e morëm me telefon dhe e thirrëm. Kur u ulem në lokal, Klodi na tha që bisedova me N.K. dhe ai më tha që “të vrasim Lulin”. Unë i thashë po. Klodi na pyeti se çfarë do bëjmë dhe ne i thamë jemi gati. Por Klodi nuk na tha arsyen se pse N.K. i kishte kërkuar që neve ta qëllonim Lulin. Klodi tha që N.K. më dhuroi një pistoletë dhe më pyeti mua se ku e kisha, dhe i tregova që e kisha në makinë. Indriti kur dolëm nga lokali erdhi me pa pistoletën dhe na tha që t’ia japim atij. Klodi i tha merre dhe ia dha. Në lidhje me këtë pistoletë, dua të them se Indrit Dokle këtë pistoletë ia ka dhënë Altin Ollonit, i cili ishte shok me Altin Lamaj, pasi pas vrasjes së Klodit rrinin në Tiranë dhe takoheshin te lokali “01” dhe rrinin me ta. Lokali “01” ndodhet në afërsi të stadiumit “Dinamo” te rruga “Komuna e Parisit”. Në darkë unë shkova në shtëpi, gjithashtu edhe Klodi shkoi në shtëpi dhe bisedoi këtë punë me vëllain e tij, Shkëlqimin. Shkëlqimi i thotë vëllait të tij, Klodit, që nuk duhet ta bësh këtë punë, pasi N.K. është intrigë e gjallë. Në mëngjes u takuam në kafe me Klodin, i cili na tha se nuk bëhet gjë për vrasjen e Lul Berishës dhe na tregoi bisedën e bërë me vëllanë e tij, Shkëlqimin. Një javë përpara se të vritej Klodi, erdhi nga Italia një djalë nga lagjja e Klodit, i quajtur Osman Truma. Klodi njihej me Osmanin sepse ishin çuna lagjeje. Nga bisedat mes tyre ishte rënë dakord që të hapnin së bashku një sallë lojërash për fëmijë, “Xhoko”. Gjatë këtyre ditëve Osmani rrinte me ne. Ditën që është vrarë Klodi, ai ka përcjellë në Rinas rreth orës 13:00 një shtetas italian që kishte ortak në fabrikën e prodhimit të çantave që gjendet te UEM-i në Durrës. Rreth orës 14:00, Klodi më telefonoi dhe më thotë se i ishte prishur makina në rrugën e Rinasit, duke ardhur për në Durrës dhe më tha që të shkoja ta merrja. Unë së bashku me një kushëri të Altin Begut jemi nisur me makinën time tip “Benz 2500”, me targa DR 1635, me germë C ose D. Klodin e kemi takuar pak më larg se fabrika e tullave në Vorë. Klodi ka hipur në makinën time dhe ai kushëriri në makinën e Klodit dhe duke e rimorkiuar, jemi kthyer në Durrës te fabrika e çantave. Pasi lamë Klodin te fabrika, shkuam për ta rregulluar makinën në Shënavlash, sa kalon mbi kalimin e autostradës. Blemë pjesët e këmbimit dhe e rregulluam, makinën ia dërguam Klodit rreth orës 19:00 të darkës. Aty i kujtova se kishim ndeshjen e futbollit në orën 20:00 në kalçeto dhe u ndamë që të takoheshim atje. Në orës 20:00 ishim në kalçeto dhe kemi luajtur një orë futboll me disa çuna që kanë një biznes në afërsi të qendrës tregtare “Galaktiku”. Pas ndeshjes, e pyeta Klodin nëse ishte për kafe dhe ai u përgjigj se ishte i lodhur dhe u nisa për në shtëpinë e tij, ndërsa unë shkova në shtëpinë time rreth orës 21:10 me makinën time. Klodi nga kalçeto u largua së bashku me Osmanin me makinën e tij, që e rregulluam atë ditë. Rreth orës 22:00 kur unë isha në shtëpi duke parë televizor, më ka telefonuar Indrit Dokle dhe më ka thënë se ka bërë karambol Klodi me makinën dhe më tha që të shkoja te Kirurgjia për t’u interesuar se ishte duke ardhur ai. Indriti më telefonoi dhe menjëherë unë u vesha dhe me makinë shkova të spitali në Durrës në Kirurgji, sipas fjalës së Indritit. Aty mora vesh se në Kirurgji ndodhej vetëm Osmani, ndërsa Klodin e kishin dërguar në Spitalin Ushtarak. Këto informacione i mora nga policia, që gjendej aty. Menjëherë u nisa për në Spitalin Ushtarak, ku më thanë se ishte Klodi. Rrugës më mori Indriti dhe më pyeti nëse Klodi ishte në spitalin e Durrësit apo jo. Unë iu përgjigjja Indritit se Klodi ndodhej në Spitalin Ushtarak dhe se unë po shkoja në drejtim të tij. Indriti pas ndeshjes ishte nisur për në drejtim të Tiranës, ku ka edhe shtëpinë dhe këto telefonata po m’i bënte rrugës në kthim për në Durrës. Indriti për Klodin ishte informuar nga një person i quajtur Zaçe, ku i kishte thënë se Klodi kishte bërë aksident. Kur vajta në Spitalin Ushtarak, aty gjeta Indritin i cili më tha se Klodi kishte vdekur jo nga aksidenti, por e kishin vrarë më armë. Pas 10 minutash aty erdhi L.K., të cilin e kishte njoftuar Indrit Dokle në lidhje me vrasjen. L.K. erdhi me makinën e tij i pashoqëruar me njeri. Pasi erdhi L.K., ai e thirri Indritin te makina e tij, por me Indritin shkova edhe unë. Indriti e pyeti L.K. “o L.K. kush e vrau” dhe ai u përgjigj, “Lul Berisha e ka vrarë”. Te Spitali Ushtarak erdhi edhe Altini, të cilin e lamë aty. Ndërsa unë, Indriti dhe L.K. shkuam te lokali “Trieste” në plazhin e Durrësit për t’u qetësuar për ngjarjen. Gjatë rrugës po bisedonim për vrasjen e Klodit dhe L.K. tha me “100 firma e jap unë që ai b... Lul Berisha e ka vrarë”.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›