E Diel, 1 Nëntor 2026

Honduras, sot zgjedhjet presidenciale pas krizës 5 mujore

As presidenti Manuel Zelaya dhe as rivali i tij Roberto Micheletti (ky i fundit u caktua si president i përkohshëm nga Kongresi pas grushtit të shtetit në qershor), nuk garojnë në këto zgjedhje. Kjo lë dyert hapur për dikë tjetër të marrë drejtimin e Hondurasit, që u bllokua për pesë muaj, duke humbur edhe ndihmat e ndërkombëtarëve.

Por ende ka mëdyshje nëse bota do t’i njohë si të ligjshme këto zgjedhje, pasi ato organizohen nga ata që qëndruan në krye të grushtit, ç’ka zbeh çdo shpresë që Zelaya të rikthehet në pushtet.

Zelaya, i cili prej muajit shtator u strehua në ambasadën braziliane, ka deklaruar se këto zgjedhje janë të paligjshme dhe i ka bërë thirrje mbështetësve të tij të mos votojnë. Një grup ushtarësh të drejtuar nga gjeneralë, e arrestuan atë në shtëpinë e tij më 28 qershor dhe e dëbuan jashtë vendit, duke shkaktuar edhe krizën më të madhe politike në Amerikën Qendrore që prej Luftës së Ftohtë.

Pas dështimit të negociatave për të rikthyer Zelayan në pushtet, Departamenti amerikan i Shtetit deklaroi se zgjedhjet e sotme "janë një rrugë drejt demokracisë së popullit të Hondurasit".

     Por pozicionimi i Shteteve të Bashkuara e ka veçuar presidentin Barack Obama nga disa liderë të Amerikës Latine të cilët thonë se zgjedhjet e organizuara nga qeveria e përkohshme e Michelettit "janë të paligjshme dhe do të sigurojnë fitoren e liderëve të grushtit".

Presidenti Barak Obama po kërkon të përmirësojë marrëdhëniet me rajonin në fjalë, por rrezikon ftohjen e lidhjeve me Brazilin dhe Argjentinën që i refuzojnë këto zgjedhje. Dy kandidatët kryesorë në këto zgjedhje, Porfirio Lobo nga partia Kombëtare konservatore në opozitë dhe Elvin Santos i partisë Liberale të Zelayas dhe Michelettit, janë përpjekur të diskutojnë për krizën, në tentativë për t’i bindur qytetarët e Hondurasit se këto zgjedhje do ta nxjerrin vendin nga kriza.

Lobo ka deklaruar se "nëse do të fitoj, do t’i kërkoj ndërkombëtarëve të rikthejnë furnizimin me ndihma dhe do të përpiqem të arrij një marrëveshje me Fondin Monetar Ndërkombëtar". Në tetor, një sondazh i kompanisë "CID-Gallup", tregoi se Lobo ishte 16 pikë para rivalit të tij kryesor, Elvin Santos.

                                                                                             

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›