E Shtunë, 31 Tetor 2026

Hooper: Kosova do të ruajë sovranitetin në veri

Analist i çështjeve të Ballkanit, James Hooper, duke folur për bisedimet mes Kosovës dhe Serbisë që kanë hyrë në një fazë të rëndësishme, tha se kritikat që po ndodhin brenda Kosovës rreth negociatave, gjithmonë është e dobishme të shikohen gjërat nga një perspektivë tjetër.

“Kosova ka qenë e pavarur për pesë vjet, pavarësia e saj është pranuar nga pothuaj 100 vende dhe nga shumica dërrmuese e vendeve evropiane. Nuk ka kërcënime ushtarake kundër Kosovës. Gjendja në kufijtë e saj është relativisht e qetë. Natyrisht ka patur incidente të cilat ne i kuptojmë. Nuk është gjë e keqe të analizohet përparimi që është bërë në këto pesë vitet e fundit. Në fund të kësaj periudhe pesë vjeçare kanë filluar këto negociata. Mendoj se nuk është herët për këto negociata. Unë kam shpresë se në fund të bisedimeve do të arrihet një marrëveshje”, tha ai në një intervistë për “Zërin e Amerikës”.

Ndonëse nuk i di hollësitë e marrëveshjes për Mitrovicën dhe për veriun, ai tha se përpjekja për zgjidhjen e çështjes së veriut është bazë për zgjidhjen e shumë çështjeve të tjera, përfshirë vendosjen e marrëdhënieve të reja mes Serbisë dhe Kosovës si dhe vendosjen dhe forcimin e marrëdhënieve të Kosovës dhe Serbisë me Bashkimin Evropian, institucionet perëndimore dhe Kombet e Bashkuara.

Në konstatimin se në lidhje me veriun dhe Mitrovicën, opozita në Kosovë është e shqetësuar se pjesë e dialogu është krijimi i një Asociacion komunash serbe me pushtet ekzekutiv që mund të shihet si një hap drejt një autonomie territoriale, James Hooper vlerëson rolin e opozitë në Kosovë, duke thënë se kjo tregon se “ajo është një demokraci serioze, se qeveria nuk po përpiqet ta shtypë opozitën”.

Ndonëse siç tha nuk e di se çka përfshihet në këtë Lidhje të Komunave, por sipas tij, “nëse komunat kanë autoritet për trajtimin e çështjeve lokale, gjë që është parashikuar deri në njëfarë mase në planin e Ahtisaarit, është më mirë të ketë këshilltarë të zgjedhur në veri që luajnë këtë rol në administrimin lokal se sa ekzistenca e institucioneve paralele”.

Sipas tij, “është më mirë të kesh një asosacion të tillë komunash me autoritet të qartë për fusha të përcaktuara mirë se sa institucionet paralele”, duke shtuar se “Prishtina do të vazhdojë të ketë sovranitetin në veri”.

“Nuk kam parë asgjë që tregon se kryeministri është i gatshëm të dorëzojë sovranitetin e Kosovës në veri të lumit Ibër. Unë nuk jam aq i shqetësuar në lidhje me këtë. Nëse mund të zhvendoset pushteti në veri nga institucionet paralele në një numër këshillash komunale të zgjedhura, mendoj se do të ishte një hap i madh përpara për njerëzit në veri, për Kosovën në përgjithësi dhe për Serbinë. Prandaj, unë mendoj se është e mundur që të ketë një zgjidhje të pranueshme nga të dyja palët në këtë rast”, tha Hooper.

Ai nuk mendon se Beogradi do të nënshkruante një marrëveshje nëse nuk do të merrte datën për fillimin e negociatave për anëtarësim në BE. Ai beson se në rast të arritjes së një marrëveshjeje, Kosova do të përmirësojë statusin e saj kundrejt Bashkimit Evropian dhe ai do t’i ofrojë Kosovës “marrëdhënie më të përparuara”.

“Mendoj se Evropa do t’i përgjigjet kësaj dhe kam besim se do ta çojë përpara procesin e integrimit për Kosovën”, theksoi analist James Hooper për Zërin e Amerikës./Indeksonline/
 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›