E Diel, 1 Nëntor 2026

Qerimi kishte kërkuar punë nga Haxha

Drejtori aktual i Postë-Telekomit të Kosovës (PTK), Ejup Qerimi, për një kohë ka punuar si menaxher i sistemit të faturimit në operatorin e dytë të telefonisë mobile “IPKO”, por pasi që atij i ka skaduar kontrata ai me 3 maj të vitit 2011, përmes një e-mail zyrtar ka kërkuar punë në PTK nga ish- drejtori, Shyqyri Haxha.

Në e-mailin që Ejup Qerimi i ka dërguar në atë kohë Shyqeri Haxhës, kërkonte nga ky i fundit një takim për ta njohur nga afër për punët që ka bërë ai në të kaluarën, shkruan Zëri.

“Ju propozoj që të më pranoni në një takim në PTK, me qëllim të njohjes dhe ofrimit të shërbimeve të mia, si ekspert në fushën e menaxhimit të projekteve.

Projekti i fundit që e kam menaxher ishte “IPKO Convergent Billing”, i cili pati filluar në janar të vitit 2009, dhe këto dite është përmbyllur me sukses. Unë, aktualisht nuk jam duke punuar në IPKO dhe jam i lirë, në bazë të kontratës që e kam pasur me IPKO-n, me punue edhe në PTK, prej korrikut 2011, ” thuhet në e-mail.

Më tej Qerimi i ka shkruar ish-kryeshefi Haxha se pret nga ai këshilla për një takim në të ardhmen.
Por, nga ana tjetër ish-kryeshefi ekzekutiv i Postë-Telekomit të Kosovës, Ejup Qerimi thotë se në maj të vitit 2011, ka marrë një e-mail nga Ejup Qerimi, ku ky i fundit ka kërkuar punë në PTK.

Mirëpo, Haxha thotë se në asnjë mënyrë nuk ka pranuar të takohet me të. Ai madje thotë se si drejtor i PTK-së ka bërë marrëveshje me operatorin “IPKO” për moskalim të stafit nga njëra kompani në tjetrën.

“Ne patën nënshkruar marrëveshje me Akan Ismajlin dhe në bazë të asaj marrëveshje punëtoret e PTK-së për një kohë nuk mund të hyjnë në punë në IPKO dhe anasjelltas”, tha ai. Haxha thotë se Ejup Qerimi është emisar i IPKO-së në PTK, pasi që pasi ka marrë pozitën e kryeshefit ai ka marrë edhe punëtorët tjerë nga IPKO në PTK.

“Ejup Qerimi ka qenë menaxher i Billing në IPKO dhe bordi i IPKO-së në kushte normale në asnjë mënyre nuk e lejon që një menaxher të Billingut që është zemra e kompanisë, ta dërgojë një kompani tjetër”, tha ai./Indeksonline/
 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›