E Shtunë, 31 Tetor 2026

Operatorët: TVSH-ja për turizmin, të bëhet 8 për qind



nertila maho

Ulja e TVSH-së për sektorin e hoteleve dhe restoranteve, në nivel 8 %, dhe aplikimi nga ana e bashkive dhe komunave i taksës lokale të çmimit të fjetjes, në nivelin 0.5-1 %, janë kërkesat që shtrojnë operatorët turistikë në vend. Shoqata Shqiptare e Turizmit, përmes një njoftimi ka bërë publike kërkesat duke i argumentuar ato. Kështu, sipas tyre, aktualisht në vendin tonë aplikohet TVSH-ja prej 20%, nivel që krahasuar me rajonin është shumë më lartë (Turqia për të njëjtën çmim neto dhome aplikon taksën 8%, Greqia 9%, Mali i Zi 7%). Operatorët theksojnë se ulja e këtyre taksave duhet të bëhet në shërbim të rritjes së konkurrueshmërisë. “Duke iu referuar realitetit shqiptar, vlerësojmë se ulja e TVSH –së për hotelet dhe restorantet do krijojë kushte më optimale të konkurrencës, përmes çmimit me vendet e tjera, do të mbajë këto të fundit në nivele të arsyeshme ose do krijojë mundësi për ulje, do të ndikojë në rritjen e kërkesës dhe punësimit, do japë efekt në reduktimin e informalitetit dhe do të stimulojë bizneset cilësore”, detajon Shoqata. Nga ana tjetër, ulja kërkohet edhe për shkak se kostoja totale e shërbimit rritet artificialisht nga një sërë faktorësh, siç janë aplikimi i taksave lokale, si 5 për qind e çmimit të fjetjes në hotel, pagesat relativisht të larta të transaksioneve bankare, rritja e çmimit të energjisë (përfshirë dhe karburantin e gjeneratorët në momentet pa energji) apo kostot shtesë në zona të veçanta. “Aktualisht bizneset shqiptare të hotelerisë dhe restoranteve që aplikojnë regjimin e TVSh-së, nuk mund të thuhet se mund të ofrojnë shërbime me çmime konkurruese për të njëjtën cilësi shërbimi, nëse do i krahasojmë me fqinjët apo vendet e tjera evropiane”, thekson Shoqata Shqiptare e Turizmit. Kërkesa për ulje të nivelit të taksave nga ana e operatorëve turistikë vjen në momentin kur shumë vende të BE-së kanë marrë nismën për të ulur TVSH-në. “Në Letoni prej datës 1 Maj 2010, taksa e TVSH e zbatuar deri më tani për njësinë akomoduese do të reduktohet nga tarifa standarde 21% në 10%. Duke ndjekur këtë zhvillim të fundit në Letoni, që nga 1 Maji 2010, 23 nga 27 vendet e BE-se kanë një TVSH më të vogël ose të barabartë me 10 % për hotelet, ndërkohë që 11 vende nga 27 kanë përfituar nga aplikimi i TVSH-së së reduktuar për restorantet (më të ulet se 15%)”, informon Shoqata.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›