E Diel, 1 Nëntor 2026

Rikthehet malaria, një 17-vjeçar nga Zall-Herri izolohet në QSUT



Një adoleshent 17-vjeçar nga Zallheri, emri i të cilit nuk është bërë publik, është izoluar në repartin e infektivit pranë QSUT, pasi dyshohet se është prekur nga sëmundja e malaries. Për rastin në fjalë, ende nuk është dhënë një përcaktim i saktë pasi këtë pritet ta konfirmojnë mostrat e analizave që janë dërguar në Romë. Drejtori i Politikave në Ministrinë e Shëndetësisë, Pëllumb Pipero ka konfirmuar se janë marrë të gjitha masat për të ndjekur nga afër rastin dhe për t’u siguruar, nëse ky është një rast i rishfaqjes së malaries dhe më e rëndësishme nëse është i importuar apo i marrë në vend. Kjo e fundit lidhet edhe me faktin që adoleshenti ka pak kohë që është kthyer nga Greqia. Analizat e para të pacientit janë kryer pranë Institutit të Shëndetit Publik dhe referuar simptomave dyshimet sipas mjekëve dhe drejtorit të Politikave në Ministrinë e Shëndetësisë, Pëllumb Pipero të çojnë te malaria. Prej kohësh vendi ynë nuk ka qenë në një ekspozim të gjerë ndaj kësaj sëmundje, me përjashtim të dyshimeve dhe rasteve sporadike. Kulmin më të madh, malaria e ka pasur në kohën kur ekzistonin kënetat por që me tharjen e tyre përhapja e kësaj sëmundje u ul ndjeshëm.
Sëmundja
Malaria është një sëmundje infektive që shkaktohet nga një parazit i njohur si Plasmodium dhe që transmetohet përmes pickimeve të mushkonjave të infektuara. Në organizimin e njeriut këta parazitë shumohen në mëlçi dhe më pas infektojnë qelizat e kuqe të gjakut. Simptomat e malaries përfshijnë ethe, të ftohtë, dhimbje koke dhe përzierje dhe zakonisht shfaqet pas 10-15 ditësh nga pickimi i mushkonjës. Nëse nuk trajtohet malaria mund të vërë në rrezik jetën, duke dobësuar furnizimin me gjak të organeve vitale. Në shumë vende të botës parazitët e maleries kanë krijuar rezistencë ndaj shumë mjekimeve që jepen për kurimin e sëmundjes.

OBSH: Vendet që preken nga malaria
Sipas Organizatës Botërore të Shëndetit, gjysma e banorëve të botës janë të rrezikuar të preken nga malaria. Shumica e rasteve ndodhin në Afrikën Sahariane. Gjithsesi Azia, Amerika Latine, Lindja e Mesme dhe disa pjesë të Evropës mund të preken. Gjatë 2008-ës, malaria ishte prezente në 108 vende dhe territore.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›