“Tirana Bank” hap degën e 50 në Korçë
Arrin në 50 numri i degëve të Tirana Bank në vend, duke konfirmuar kështu edhe rritjen dhe qëndrueshmërinë e kapitelit të saj në Shqipëri. Qyteti juglindor i Korçës është edhe destinacioni i radhës, ku Tirana Bank ka vendosur ta përqendrojë këtë degë të re, duke treguar edhe njëherë angazhimin e saj për të përmbushur kërkesat në zhvillim të klientëve të saj dhe t’ju ofrojë çdo produkt bankar për të cilin kanë nevojë. Shërbimet që do të ofrohen për klientët, biznese dhe individë, janë të shumta duke përfshirë gamën e gjithë produkteve bankare dhe shërbimeve si: Depozita, Kredi, Kurs Këmbimi, Visa Credit Card, Pagesa Ndërkombëtare, 24 orë ATM, e shumë të tjera. Tirana Bank me hapjen e kësaj dege të re mban premtimin e bërë se 2010-ta do të jetë një vit i zgjerimit të mëtejshëm të rrjetit të saj në vend, që përkon me objektivat e Piraeus Bank Group për rajonin e Ballkanit. Vetëm një muaj më parë, kjo bankë hapi edhe dy degë të tjera të reja në vendin tonë, çka tregon se ritmi me të cilin po zgjerohet është mjaft i shpejtë. Për vitin 2009, Tirana Bank tregoi një performancë mjaft të mirë duke shënuar një fitim neto prej 13.4 milionë Euro ose 27% më i lartë, krahasuar me një vit më parë. Nga ana tjetër, totali i kapitalit në fund të 2009-ës shënonte 84.7 mln euro, ndërsa mjaftueshmëria e kapitalit qëndronte në nivelin 15.73%.