E Diel, 1 Nëntor 2026

Kosova kundër rishikimit të marrëveshjes

 

Liderët politikë dhe ata partiakë të Kosovës e kanë cilësuar si një përpjekje për ripërtëritje të konfliktit me Serbinë, kërkesën e Serbisë për rishikimin e Marrëveshjes së Kumanovës të vitit 1999. Reagimet e udhëheqësve politikë të Kosovës, pasuan një kërkesë të Presidentit serb Boris Tadiç, të paraqitur në bisedimet e para disa ditëve të udhëheqësve ushtarakë serbë me përfaqësuesit e NATO-s në Napoli të Italisë, për rivlerësimin e Marrëveshjes Teknike të Kumanovës. Por Prishtina zyrtare e ka quajtur të papranueshëm çdo lloj ndryshimi në dokumentin me të cilin ishte vendosur largimi i trupave ushtarake serbe nga territori i Kosovës. Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, tha se çdo lloj ndryshimi i marrëveshjes ndërmjet qeverisë serbe dhe Aleancës Veri-atlantike të NATO-së është i papranueshëm për interesat e shtetit të Kosovës. “Kjo është një marrëveshje, e cila në asnjë mënyrë dhe në asnjë cilësi nuk guxon dhe nuk mund të jetë çështje, e cila duhet të prekë interesat e shtetit të Kosovës”, tha Sejdiu. Marrëveshja është kundërshtuar edhe nga forca të tjera politike në Kosovë. “PSD-ja kërkon mosndryshimin e Marrëveshjes së Kumanovës të vitit 1999 mes NATO-s dhe Serbisë”, ka deklaruar ish-kryeministri Agim Çeku, lider i AAK-së. Në deklaratën e tij, Presidenti Tadiç mes të tjerave tha se “nuk ka asnjë arsye që në këtë çast, kur Serbia tregon se është faktor i stabilitetit në rajon, të mos ndryshohet kjo Marrëveshje. Sepse, ka thënë ai, pjesët e asaj Marrëveshje janë të atilla, saqë akoma ekziston zona e fluturimit të ndaluar”. 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›