Zikaltrit ruajnë me forcë kreun
Supersfida e kësaj jave ndërmjet Interit dhe Napolit është mbyllur në favor të zikaltërve me rezultatin 2-1. Fillimisht, Ivan Ramiro Kordoba godet fluturimthi brenda zonës dhe zikaltrit e shohin veten në avantazh në minutën e 16-të. Nuk kalojnë as dhjetë minuta dhe Sule Muntari, njeriu që vendosi ndeshjen ndaj juventusit shënon një gol fantastik me finte pasi devijon saktë drejt rrjetës një gjuajtje kros të mbrojtësi brazilian, Dagllas Maikon. Kur dukej se gjithçka kishte përfunduar, napolitanët, falë një kombini fantastik ndërmjet Zalajetës dhe Lavecit shkurtojnë diferencat, ndërkohë që sulmuesi argjentinas feston golin e tij të parë në “San Siro”. Një fitore të rëndësishme, regjistron edhe skuadra e Romës, e cila me rikthimin në fushë të kapitenit të saj, Françesko Toti ka rigjetur edhe rrugën e fitoreve. Numri dhjetë verdhekuq do të jetë ai që do të vendosë fatin e ndeshjes së vështirë ndaj Fiorentinës pas një goditjeje të fortë nga jashtë zonës. Lacio është frenuar sërish, por këtë herë me një humbje 2-0 në Bergamo ndaj Atalantas. Gjithsesi, Lacio vazhdon të ruajë vendin e pestë të renditjes me 23 pikë. Ndërkohë, thellohet kriza për Udinezen e cila regjistron humbjen e katërt radhazi dhe këtë herë, ajo që ndërshkon është skuadra e Kievos, pas një autogoli në minutën e 87-të të sfidës të shënuar nga mbrojtësi friulan, Felipe. Sampdoria dhe Torino nuk dinë të fitojnë në transfertë dhe një gjë të tillë e kanë konfirmuar edhe dështimet e ndeshjeve të djeshme, respektivisht ndaj Kaljarit dhe Sienës në rezultatet 1-0. I vetmi barazim i shënuar ai në pasditen e djeshme është ai ndërmjet Xhenoas së Gasperinit dhe Bolonjas së Sinisa Mihajloviç.