Hoxha: Digat të sigurta, jap fjalën time të nderit
ADI SHKEMBIPresidenti Bamir Topi dhe Kryetari i Komitetit të Digave të Mëdha, Farudin Hoxha garantojnë se digat e hidrocentraleve në kaskadën e Drinit janë të sigurta. Kreu i shtetit priti dje në Presidencë ekspertin e njohur të hidrocentraleve dhe digave të Fierzës ku biseduan mbi gjendjen në veri të vendit pas përmbytjeve të ditëve të fundit. Në një prononcim për mediat Topi tha se situata është duke u përmirësuar, teksa bëri thirrje për bashkëpunim mes institucioneve dhe klasës politike. "Ka një mesazh që unë dëshiroj të jap sot si President i Republikës në vazhdim të atij mesazhi që kam dhënë nga Dajçi: dhe ky është që të gjithë pa përjashtim, të gjitha institucionet, mbarë politika, të gjithë qytetarët duhet të rrisin ndjeshëm bashkëpunimin, frymën e solidaritetit, e cila është tradicionale për shqiptarët", theksoi Topi. Në të njëjtën kohë ai kritikoi akuzat e ndërsjella mes qeverisë dhe opozitës për përgjegjësit e përmbytjeve, ku tha se debati duhet të zhvillohet pas stabilizimit të situatës. "Pavarësisht nga retrospektiva dhe direktivat politike, ne në të tilla raste duhet të ndihmojmë njëri-tjetrin me ç'të mundemi për të dalë sa më shpejt dhe për ta kthyer në rrjedhë normale. Natyrisht që më pas, kur gjërat kalojnë, mund të diskutohet, mund të debatohet, mund të rritet ndjeshmëria për përmirësimin e elementeve teknikë-organizativë, por të gjithë së bashku sot duhet të fokusohemi tek dalja sa më shpejt të jetë e mundur nga situata e zonave të përmbytura", u shpreh më tej kreu i shtetit. Nga ana tjetër specialisti i digave, Hoxha tha se kaskada e Drinit është e sigurt. "Unë dua t'i transmetoj të gjithë popullit, atyre që më dëgjojnë, që më shikojnë ose që më lexojnë në shtypin e shkruar që të jenë të sigurt, që nuk do të ndodhë absolutisht asgjë, që kaskada e Drinit është e sigurt dhe do të rrijë ashtu siç ka ndenjur deri më sot. Bëj çudi që dikush mundohet të lëshojë ndonjë tymnajë të pavërtetë, absolutisht të pavërtetë. Unë ju siguroj me fjalën time të nderit dhe jo vetëm timen, por edhe të shokëve të mi, me të cilët kemi punuar për këto vepra, që të jenë të sigurt, si në shtëpitë e tyre!", theksoi Hoxha. Sipas tij, pas kalimit të kësaj situate, duhet të bëhen analizat e duhura për të parandaluar të njëjtin fenomen vitet e ardhshme. "Përfitoj nga rasti që ndodhem në Presidencë e përkrah Presidentit, ta siguroj që ta bëjë gjumin më të qetë, me më pak telashe, me më pak shqetësime, sepse gjërat të tilla do të jenë, do të shkojnë drejt minimizimit! Padyshim që në mbarim të kësaj ngjarjeje kaq të madhe, besoj që të gjithë strukturat e shtetit shqiptar, edhe specialistët dhe teknikët e kësaj fushe do të merren me analizën e këtij problemi për të bërë që herë tjetër, të tilla gjëra të mos ndodhin", u shpreh më tej kreu i Komitetit të Digave të Mëdha.