“Zbuluam pasuri të fshehura të zyrtarëve nga legalizimet”
Bledar HotiKreu i Inspektoratit të Lartë të Deklarimit të Pasurive, Adriatik Llalla shprehet se brenda vitit 2009 janë paditur në Prokurori 16 zyrtarë për fshehje të pasurisë dhe për mos deklarim të interesave private. Personat e kallëzuar pranë organit të akuzës janë ambasadorë, prokurorë dhe drejtor drejtorie. Llalla shprehet se institucioni që ai drejton ka gati dhe kallëzimet e reja për në organin e akuzës. Z.Llalla, fillimi i çdo viti shënon edhe nisjen e periudhës së deklarimit të pasurive të zyrtarëve të lartë. Sa subjekte mbartin detyrim për deklarim në Inspektoratin e Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive (ILDKP) dhe çfarë parashikon ligji që i detyron zyrtarët të realizojnë transparencën e tyre financiare?Nga fillimi i muajit janar deri në 31 mars të çdo viti, zyrtarët që ushtrojnë funksione që mbartin detyrim për deklarim të interesave private në Inspektoratin e Lartë, duhet të plotësojnë dhe të dorëzojnë deklaratën e pasurisë, në të cilën duhet të shënojnë të gjitha ndryshimet (shtesa ose pakësim) të interesave të tyre gjatë vitit paraardhës, përkatësisht, gjatë vitit 2009. çdo zyrtar i nivelit të lartë dhe të mesëm, në të cilën përfshihen funksione që nisin me pozicionin e Presidentit të Republikës, Kryeministrin, deputetët, ministrat, anëtarët e Gjykatës së Lartë e Gjykatës Kushtetuese, e deri tek kryetarët e njësive të qeverisjes vendore, drejtorët e drejtorive e inspektorët e administratës tatimore e doganore, si dhe fëmijët madhorë të këtyre subjekteve deklarues, sipas ligjit, janë të detyruar të deklarojnë ndryshimet në: pasuri të paluajtshme, pasuri të luajtshme, të ardhura, likuiditete, detyrime financiare dhe të çdo interesi tjetër privat. Në total, numri i subjekteve që deklarojnë periodikisht në ILDKP është mbi 4200 zyrtarë. Deklaratat duhet të dorëzohen deri në fund të muajit mars në Inspektoratin e Lartë ose tek Autoritetet Përgjegjëse të institucioneve ku ushtrojnë funksionet zyrtarët. Për çdo vonesë në deklarim, ligjvënësi ka parashikuar masa administrative "gjobë", e cila është në vlerat nga 20 mijë deri në 30 mijë lekë. Inspektorati i Lartë është i angazhuar tërësisht për ofrimin e asistencës teknike të zyrtarëve për plotësimin e deklaratës, si edhe dhe për ndërgjegjësimin e tyre mbi respektimin e afateve ligjore të deklarimit. Vitin e kaluar, falë aktivitetit apelues të Inspektoratit të Lartë u arrit një ndërgjegjësim thuajse maksimal i zyrtarëve për respektimin e afateve, gjë e cila dallohet qartë nga statistikat, ILDKP vendosi masë administrative "gjobë" vetëm për 37 zyrtarë, kryesisht të nivelit lokal në zona larg kryeqytetit.Duke qëndruar në të njëjtën temë, a do të deklarojnë deputetët e opozitës, të cilët ende nuk kanë pranuar të hyjnë në Kuvend?Për sa kohë këta zyrtarë nuk i ushtrojnë funksionet publike, nuk mbartin detyrim për deklarim të interesave private në ILDKP. Në këtë mënyrë është vlerësuar edhe nga Kuvendi i Shqipërisë, i cili, në listat e paraqitura në Inspektoratin e Lartë në muajin Shtator 2009 për "subjektet para fillimit të detyrës", nuk i ka përfshirë deputetët që ende nuk janë pjesë e seancave plenare. Gjatë vitit 2009, sa raste ka konstatuar institucioni juaj për mos deklarim të saktë apo të rremë të pasurisë nga ana e punonjësve/zyrtarëve të administratës së lartë që janë subjekt deklarimi? Si është vepruar nga ana e institucionit tuaj pas këtyre konstatimeve dhe sa nga këto raste për mos deklarim të saktë të pasurisë kanë kaluar për ndjekje penale në organet e hetimit?Inspektorati i Lartë, në përfundim të kontrollit të plotë dhe të hetimit administrativ, gjatë vitit 2009, ka arritur të zbulojë 10 raste zyrtarësh, të cilët kanë kryer deklarim të rremë ose kanë fshehur pasurinë në vlerën disa qindra mijëra euro. Ndër ta ka edhe zyrtarë të lartë, në nivel prokuror rrethi, ambasadorë, drejtor drejtorie. Për të gjitha këto raste, ILDKP i është drejtuar organit të akuzës për nisjen e procedimit penal. Po ashtu, Inspektorati i Lartë ka dërguar në organin e Prokurorisë edhe 6 zyrtarë të tjerë, pasi kanë refuzuar të deklarojnë interesat e tyre private para fillimit apo pas largimit nga funksioni. Ndërkohë, janë thuajse në përfundim dosje të tjera, të cilat do t'i dërgohen organit të akuzës për "deklarim të rremë dhe fshehje të pasurisë" në ditët në vijim. Ju jeni institucion përgjegjës edhe për ligjin "Mbi parandalimin e konfliktit të interesave". Cilat janë rezultatet në monitorimin e zyrtarëve për vitin 2009?Inspektorati i Lartë është Autoriteti Qendror Përgjegjës për zbatimin e ligjit "Për parandalimin e konfliktit të interesave në ushtrimin e funksioneve publike, krahas atij për "Deklarimin dhe Kontrollin e Pasurive". Sipas këtij përcaktimi, ILDKP ka rolin kryesor në hartimin e strategjive për evidentimin, parandalimin dhe shmangien e konfliktit të interesave në radhën e zyrtarëve të administratës publike. Vetëm gjatë vitit 2009, Inspektorati ka zgjidhur rreth 160 raste me konflikt interesi në administratën qendrore e vendore. Prej tyre 45 raste janë evidentuar gjatë Kontrollit Aritmetik-Logjik të kryer nga Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive në deklaratat e interesave private (të pasurisë), të dorëzuara nga zyrtarët në ILDKP, 115 raste të tjera janë zgjidhur nga ILDKP, në bashkëpunim me institucionet e tjera publike, nga informacione të mbërritura në ILDKP nga publiku e media. Në 4 raste, ndaj zyrtarëve që nuk kanë bërë zgjidhjen e duhur ligjore të konfliktit të interesave, është vendosur masa administrative "gjobë" si dhe i është kërkuar emërtesës së subjekteve marrja e masave përkatëse disiplinore ndaj subjekteve që janë konstatuar në kushtet e konfliktit të interesit. Sipas ligjit, gjobat për situatat e pazgjidhura me konflikt interesi variojnë nga 100.000 lekë deri në 400.000 lekë.Ndërkohë, janë nën hetim administrativ rreth 60 raste, të dyshuara për konflikt interesi. Pas pak ditësh, Inspektorati i Lartë do të publikojë edhe disa raste të reja, të evidentuara të konfliktit të interesave, si edhe masat administrative përkatëse për zyrtarët që kanë vepruar në kundërshtim me ligjin.Një nga kërkesat e ndërkombëtarëve është lufta ndaj korrupsionit në administratën e lartë. IDKLP-ja sa është e angazhuar në këtë luftë? A mund të na thoni në ç'shkallë është bashkëpunimi me institucionet e tjera shtetërore. A keni hasur pengesa në verifikimin e llogarive bankare apo të pasurive të paluajtshme të zyrtarëve objekt deklarimi? Sa mundësi ligjore ka institucioni juaj që të verifikojë llogaritë bankare të dyshuara jashtë Shqipërisë?Bashkëpunimin ndërinstitucional për verifikimin e pasurive dhe për parandalimin e konfliktit të interesave, do ta shihja në dy plane. Së pari, e them me përgjegjësi të plotë që të gjitha institucionet publike që administrojnë regjistra publikë, bankat e nivelit të dytë, si edhe institutet financiare jo bankare, janë korrekt në përgjigje të kërkesave të Inspektoratit të Lartë për llogari të hetimit administrativ. Tashmë është konsoliduar ky bashkëpunim për sa i përket shkëmbimit të informacionit.Së dyti, ajo që duhet përmirësuar në këtë bashkëpunim është mënyra se si trajtohet zbatimi i ligjit për "Parandalimin e konfliktit të interesave". Siç e përmenda, ILDKP është Autoritet Qendror Përgjegjës për zbatimin e këtij ligji dhe hallka e fundit për shqyrtimin e rasteve të dyshuara për konflikt interesi. Pra, pavarësisht se me nismën e tij, Inspektorati kryen verifikimin e rasteve të dyshuara si konflikt i interesi, sërish një përgjegjësi më të madhe në këtë aspekt duhet të marrin vetë institucionet publike. Nuk mund të pretendohet që një institucion të zbatojë i vetëm shmangien e konfliktit të interesave. Ligji është shumë i qartë në ndarjen e përgjegjësive për këtë çështje. ILDKP-ja ka si detyrë nga ligjvënësi të japë asistencën e duhur për zyrtarët, të trajnojë administratën publike, të përcaktojë strategjitë afatshkurtra e afatgjata dhe të monitorojë zbatimin e këtij ligji shumë të rëndësishëm në luftën kundër korrupsionit nga institucionet e tjera. Inspektorati, krahas rolit të trajnuesit, tashmë ka nisur të luajë edhe rolin e kontrollorit dhe, në raste të ndryshme, do të zbatojë edhe sanksionet përkatëse kur vërehet neglizhencë në zbatimin e ligjit. është një moment që kërkon këmbëngulje të madhe dhe do të realizohet me vendosmëri nga institucioni ynë. Vetëm me impenjimin maksimal të të gjithë strukturave do të arrijë të evidentojmë dhe parandalojmë rastet e konfliktit të interesave, të cilën mund ta konsideroj edhe si një "paradhomë" për korrupsion. Kohë më parë në një tryezë të rrumbullakët të organizuar me OSBE-në, jeni shprehur se mungesa e regjistrave të hipotekave e bën të pamundur verifikimin e pasurive të paluajtshme të subjekteve deklaruese. Si do të zgjidhet në të ardhmen një problem i tillë?Ashtu siç e kemi përmendur edhe më parë, informaliteti në regjistrimin e pasurive, sidomos të atyre të paluajtshme, është një pengesë në punën tonë. Janë të tjera agjenci që studiojnë mënyrat e shmangies së këtij informaliteti, ndërsa ILDKP ka arritur të zbatojë mekanizma alternativë për të zbuluar pasuri të fshehura apo të vëna në mënyrë abuzive nga zyrtarë të ndryshëm.Inspektorati i Lartë, duke maksimalizuar zbatimin e mekanizmave ligjorë, ka nisur të aplikojë verifikimin në terren të pasurive të deklaruara nga zyrtarët, si edhe ka përdorur me efiçencë kontributin e ekspertëve vlerësues të pasurive të natyrave të ndryshme. Një rast konkret, pra zbulimi nëpërmjet investigimit në terren i një pasurie të deklaruar në mënyrë të rreme nga një zyrtar, është bërë publik në media vetëm pak javë më parë. Një mekanizëm të rëndësishëm mund të përmendim marrëdhëniet e krijuara me ALUIZNI-n, agjencia kompetente për regjistrimin e ndërtimeve informale. Mund t'ju deklaroj se brenda një kohe të shkurtër nga aplikimi i këtij mekanizmi, ILDKP ka arritur të zbulojë pasuri të padeklaruara nga disa zyrtarë. Shpreh bindjen se zyrtarë të tjerë, të cilët nuk janë treguar transparentë në deklarimin e pasurisë, por kanë aplikuar për legalizim të ndërtimeve të tyre në zyrat e ALUIZNI-t, do të përballen shumë shpejt me sanksionet ligjore. Gjithashtu, ILDKP do të veprojë nëpërmjet një tjetër mekanizmi, për të saktësuar plotësisht pasuritë e zyrtarëve, duke shfrytëzuar të dhënat nga agjencitë turistike apo pikat e kalimit kufitar. Në këtë mënyrë do të kemi një panoramë më të qartë për shpenzimet e zyrtarëve në udhëtime turistike apo shpenzime të tjera të luksit.Z.Llalla, a ndjeni nevojën e përmirësimit të ligjit që zbatoni. Në cilat aspekte duhet të ketë përmirësime që të ketë një forcim të veprimit të institucionit tuaj?Duhet ta nis me një konstatim; sa më shumë forcohen mekanizmat ligjorë kundër korrupsionit, aq më shumë sofistikohen mënyrat e fshehjes së pasurisë apo të përfitimit në mënyrë të paligjshme nga detyrat publike. Ky dualitet shtron domosdoshmërinë e shtimit të dispozitave, kryesisht atyre penalizuese, për minimizimin e rasteve korruptive tek punonjësit e administratës publike. Një ndër rregullimet e domosdoshme ligjore, për të cilën ne e kemi shtruar edhe në Komisionin e Ligjeve të Kuvendit të Shqipërisë, është shtimi i një dispozite të veçantë në Kodin Penal për "personat e lidhur" me zyrtarin deklarues. Ekzistojnë dyshime të forta që zyrtarë të ndryshëm mund të kenë tjetërsuar pasuri të krijuara në mënyrë të paligjshme tek persona të tjerë. Ligji parashikon detyrim për "deklarim me kërkesë" të personave të lidhur me zyrtarin, kur ekzistojnë interesa të përbashkëta me subjektin ose kur ka dyshime nga burime të ndryshme që ndërmjet tyre mund të ekzistojnë raste të tjetërsimit të interesave private. Ky detyrim për "deklarim me kërkesë", e cila është në kompetencë të Inspektorit të Përgjithshëm të ILDKP-së, nuk shoqërohet me sanksionet përkatëse në Kodit Penal në rast të refuzimit për deklarim apo të pasurive të pajustifikuara nga ana e këtyre personave që kanë lidhje me zyrtarin. Po ashtu, ka nevojë edhe për të tjera rregullime ligjore, kryesisht të karakterit teknik, të cilat do të kontribuojnë pozitivisht në përmirësimin e luftës kundër korrupsionit.