E Diel, 1 Nëntor 2026

Rikthehet pas pesë vitesh Festivali Mbarëkombëtar i Teatrove

Festivali Mbarëkombëtar i Teatrove do të mbahet gjatë muajt maj
Izaura Ndoj
Rikthehet pas 5 vitesh Festivali Mbarëkombëtar i Teatrove në Teatrin Kombëtar. "Prej rreth 1 muaji kam njoftuar të gjithë autorët shqiptarë, regjisorët shqiptarë me anë të një letre, ku i njoftoj që brenda datës 13 shkurt ata të paraqesin veprat e tyre", ka shprehur Skrami gjatë një konference për shtyp, gjatë prezantimit të kalendarit artistik për vitin 2010 në Teatrin Kombëtar. Festivali Mbarëkombëtar i Teatrove është një ndër aktivitetet që do të mbahet gjatë muajt maj në kuadër të krijimit të Teatrit Kombëtar. Festivali mbarëkombëtar do të mirëpres regjisor dhe dramaturg me pjesë kombëtare. Sezoni i ri artistik në Teatrin Kombëtar do të çelet me vepra të mëdha që i takojnë dramaturgjisë botërore. Nga ky institucion është bërë e ditur se dy premierat që bordi ka miratuar janë veprat “Elektra” dhe “Hamleti”. E para që do ta çelë sezonin në muajin shkurt është “Elektra” e Sofokliut, e cila do të ngjitet në skenë me regji të Adonis Filipit. Kjo vepër do të ngjis në skenë dy aktore të mëdha siç janë Roza Anagnosti dhe Luiza Xhuvani. Në rolin e Elektrës do të vijë aktorja Luiza Xhuvani, e cila do të lërë për pak kohë mënjanë angazhimet politike për t‘iu kushtuar dashurisë së saj të madhe, aktrimit. Në këtë tragjedi të Sofokliut do të rikthehet në skenën e teatrit aktorja, ikonë e skenës dhe filmit shqiptar, Roza Anagnosti. Ajo do të përballet me publikun duke veshur petkun e nënës së Elektrës, Klitemnestrës. Do të jetë pikërisht regjisor i njohur Adonins Filipi, i cili me këtë vepër veç aktores Anagnosti do të ngjisë dhe të tjerë emra aktorësh të talentuar të skenës shqiptare. Po në muajin janar do të nisë puna për një tjetër premierë, e cila parashikohet të ngjitet në skenë në muajin mars. Bëhet fjalë për veprën e shkruar prej italianit Lugi Pirandello “Gjashtë personazhe kërkojnë autor”, e cila do të vijë në skenë nën drejtimin e regjisorit Mehmet Xhelili. Direkt pas këtyre dy premierave në muajin mars, do të nisin përgatitjet për vënien në skenë të një drame shqiptare, e cila pritet të jetë gati për publikun rreth muajit prill. Drama shqiptare do të përzgjidhet në kohën e duhur, duke pasur parasysh prurjet e dramaturgëve shqiptarë me rastin e 65-vjetorit të krijimit të Teatrit Kombëtar. Në muajin maj është parashikuar të vihet në skenë "Hamleti" i Shekspirit. Kësaj here jo një regjisor shqiptar, por regjisori grek Jorgo Qimulis është angazhuar për ta sjellë veprën para publikut. Ndërkohë, në kuadër të aktiviteteve ndërkombëtare, drejtori Skrami ka përmendur pjesëmarrjen e veprës “Alegreto Albania” të regjisorit Altin Basha në bienalen teatrore "Neë Plays from Europe", e cila më parë është njohur me emrin "Bienalja Teatrore e Bonit". Aktiviteti organizohet në Visebaden të Gjermanisë. Kjo pjesëmarrje vjen në kuadër të bashkëpunimit me ETC-në për shkëmbimin e vlerave artistike dhe promovuese. Ky është një ndër evenimentet më të rëndësishme për Tetatrin Kombëtar përsa i përket pjesëmarrjes në festivale, pasi pjesëmarrja në këtë festival është pjesëmarrja që synohet nga teatrot më prestigjioze në Europë.

11 Janar 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›