E Diel, 1 Nëntor 2026

“Skavica, do shmangë përmbytjet në fushën e Shkodrës”

 Nertila MahoProjekti i kaskadës së Drinit përfshin 5 hidrocentrale ndërkohë që vetëm tre janë ndërtuar. Skavica dhe Bushati edhe pas disa studimeve kalojnë nëpër zyrtarë në pritje të nënkontraktimit të koncesionit. Specialisti Luigj Pjetri thekson se nëse do të ndërtohej Skavica që akumulon sa dyfishi i Fierzës do të mund të shmangeshin përmbytjet në zonën e Shkodrës. Sipas tij kjo situatë ka nxjerrë në pah një sërë dobësish dhe nevojën për studime të reja në disa nyje. Si e vlerëson ai situatën, cilët faktorë kanë ndikuar që përmbytja të arrinte këtë masë dhe çfarë duhet bërë në perspektivë për të shmangur këtë. Z.Pjetri çmendoni lidhur me situatën? Specialistë të ndryshëm kanë dhënë mendime të ndryshme ju mendoni se situata është nën kontroll apo duhet vërtet të shqetësohemi?Situata është nën kontroll të plotë sepse gjithë vëmendja e strukturave direket dhe indirekte është përqendruar në këtë pikë. Përveç angazhimit të specialistëve të brendshëm është bërë edhe angazhimi i atyre të jashtëm. Profesorë dhe inxhinierë që janë autorë edhe të Rregullores, zbatimit, projektimit me vite të tëra eksperiencë inxhinierie janë duke punuar dhe kjo është shumë pozitive. Absolutisht nuk ka vend për panik. Nuk jam ndërtues i këtyre veprave por kam njohuri dhe këto hidrocentrale janë bërë me siguri shumë të lartë dhe me koeficiente sigurie rezervë shumë të lartë. Ne shpatullat e këtyre digave janë 4 miliard m3 ujë dhe këtë provë që po kalojnë sot e kanë kaluar me dhjetëra herë dhe nuk kanë dhënë asnjë shfaqje të ndonjë pike të dobët. Ndryshimet klimaterike që janë vërejtur kudo në botë për shkak të ngrohjes globale kanë dhënë efekt deri diku edhe në vendin tonë. Nisur nga kjo a mendoni se tashmë është e nevojshme që të bëhen studime të reja hidrologjike apo edhe më gjerë? është domosdoshmëri që në funksion të situatës makroklimës ne të gjejmë vendin apo pozicionin tonë për të bërë rregullime apo përmirësime qoftë edhe të rregulloreve dhe të masave suplementare që duhet të merren. Në këto hidrocentrale duhet të merën një sërë masash siç është rritja e kujdesit dhe gatishmërisë. Duhet të investohet në ato pika dhe nyje të cilat janë të domosdoshme dhe që nxjerrin dhe që dalin në pah në situata të tilla si kjo aktuale. Po të mos ishin rehabilituar agregatet e hidrocentraleve sot as gjysma e tyre nuk do ishte në punë dhe do ishte një situata akoma më kritike sidomos në Fierzë. Hidrologu që ka studiuar kaskadën e Drinit tregon se kjo përmbytje nuk mund të evitohej për shkak të prurjeve të mëdha. çmendoni se duhet bërë për të parandaluar këtë në të ardhmen?Lumi Drin është një lumë që zona e Shkodrës dhe Nënshkodrës e njeh mirë. Ky Drin u vu në komandë me ndërtimin  e këtyre digave dhe ato zbusin në mënyrë të vazhdueshme brenda mundësive shkarkimet në zonën e Nënshkodrës. Nuk jam i mendimit se kjo situatë mund të shmangej por mund të kishte lehtësim apo spostim shkarkimesh që të mos bashkoheshin të tre kulmet e prurjeve njëkohësisht dhe kjo punë ma do mendjen është bërë por kurrsesi nuk mund të shmangej. Ai ujë që derdhet në Drin doemos do rrjedhë poshtë, e thashë dhe më sipër shkarkimi me Vaun e Dejës nuk duhet të kalojnë prurjet natyrale. Kjo do të thotë sikur kaskada të mos jetë e bërë fare ai ujë që vjen do të kalojë. Ne do të donim që tërë atë ujë ta mbanim dhe asnjë metër kub ujë të mos i ikte kot po ta prodhonim energji po këto hidrocentrale kanë këto volume. Po të merreshin parashikimet dhe të kishim një ide se çfarë situate na priste mund të uleshin kuotat më shumë dhe të kishim një rezervë më të madhe në akumulim. Por ka një problem në fakt, kaskada e Drinit është projektuar për 5 hidrocentrale përveç Fierzës, Komanit dhe Vaut të Dejës janë edhe dy të tjerë që nuk kanë gjetur zbatim Skavica dhe Bushati. Në këtë moment që po flasim Skavica do të kishte një rëndësi të madhe sepse dhe ajo do akumulonte një sasi të madhe uji që do të lehtësonte shkarkimet nga Fierza. Po të ishte bërë ky hidrocentral, në fazën e tij përfundimtare ai është planifikuar që të akumulojë sa dyfishi i Fierzës por aty janë bërë disa studime të cilat vazhdojnë të kalojnë nëpër zyrtarë dhe nuk po i jepet drejtim kontraktimit të koncesionit për ndërtimin e tij. Nëse do ishte ndërtuar Skavica tjetër situatë do të kishim sot pavarësisht prurjeve. Nuk është hera e parë që Fierza rrezikon të arrijë pikën maksimale por këtë herë u lakua fjala "katastrofë". Cilët faktorë mendoni ndikuan që përmbytja në zonën e Shkodrës të shkonte deri në këtë masë?Kjo situatë ka disa veçori siç janë prurjet e menjëhershme dhe një kohëzgjatje më e madhe. Nëse i referohemi datës 27 dhjetor prurjet në Fierzë kanë qenë 900 m3/s në datë 6-7 janar prurjet kanë arritur 1800. Një veçori tjetër është fakti që ngarkesat e prurjeve kanë qenë të njëkohshme edhe në lumenj përkatësisht flasim këtu për Kirin, Gjadrin dhe Bunën. Një nga pikat që është diskutuar më shumë dhe ku ka pasur kontradiktë ka qenë ajo e funksionimit të veprave të shkarkimit. Me aq dijeni sa keni ju si është gjendja e këtyre veprave ku më i lakuar është tuneli 3 i Fierzës?Në të tre hidrocentralet janë parashikuar vepra shkarkimi të cilat përballojnë shkarkim kuotash të mjaftueshme për përballimin e çdo situate por me kusht që basenet e liqeneve të mbahen në kuotat e rregullores për të pasur rezervë akumulimin në rast prurjesh të madh se shkarkimi. E rëndësishme është të nënvizohet fakti që shkarkimet në Vaun e Dejës nga turbinat dhe portat të mos i kalojnë prurjet natyrale të Drinit. Gatishmëria e veprave të shkarkimit është një ndër detyrat më parësore të punonjësve dhe drejtuesit e këtij sektori. Gjatë verës këtyre ju bëhen remontet e nevojshme dhe para sezonit të etapës tetor-mars. Bëhen provat e hapjes së tyre në boshllëk dhe ngarkesë  me vendim të Komisionit të Posaçëm. Këto prova e remonte gjatë kohës që kam qenë unë në detyrë janë bërë dhe mendoj se edhe tani duhet të jenë kryer në mënyrë korrekte sepse është një detyrë që duhet të dokumentohet. Fakti që këto vepra kanë funksionuar normalisht tregon që ju janë bërë shërbimet e duhura.  Ku mendon se janë pikat e dobëta që dolën në pah me këtë situatë?Një ndër problemet e rëndësishme të kësaj situatë është gatishmëria e agregateve të këtyre hidrocentraleve. Në sajë të projektit të hidrocentraleve i cili filloi në vitit 2003 përfundoi nga viti 2006  u bë një punë shumë e madhe në rehabilitimin e agregateve mekanike dhe elektrike. Këto këqyrje bëjnë të mundur që sot agregatet të jenë në gatishmëri të plotë. Edhe prodhojnë energji por edhe shkarkojnë ujë nga turbinat dhe siç kemi dëgjuar është arritur një shifër e madhe e prodhimit të energjisë. Kjo në fakt duhet të ishte pasuar edhe me gjetjen e tregut të shitjes së energjisë në mënyrë që të përfitohet sa më shumë nga kjo situatë e cila në zonën e  nën Shkodrës po bën dëme kolosale. Po kështu është edhe problemi lidhur me jetëgjatësinë e këtyre veprave. Ashtu siç u bë rehabilitimi i tyre nga ana elektrike dhe mekanike dhe kontrolli i agregateve është iniciuar një projekt për rehabilitimin e digave dhe të tuneleve dhe të veprave hidroteknike dhe të monitorimit të digave. Ky projekt ka filluar në 2003. Gjatë 2005-2006 është bërë vrojtimi i fizibilitetit por fatkeqësisht ky projekt akoma nuk ka filluar. Ky është një projekt shumë emergjent, për rehabilitimin e digave tuneleve të shkarkimit, veprave të shkarkimit të kontroll-monitorimit të  marrjes së informacionit edhe në zonën e pellgut ujëmbledhës për të pasur në çdo kohë informacion se si do të jetë situata në një moment të caktuar në diga. Kjo është një pikë ku mendoj se duhet të përqendrohet vëmendja.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›