E Shtunë, 31 Tetor 2026

I përplasi trageti, dëmshpërblimi pas hetimeve

Kompania italiane "Adriatika Navigacione" do të dëmshpërblejë të dëmtuarit nga trageti i saj vetëm në përfundim të hetimeve dhe verifikimit nga një ekspert ligjor i dëmit të shkaktuar. Protesta e pronarëve të peshkarexhave dhe subjekteve të tjera të dëmtuara nga trageti "Aurelia" ka vazhduar edhe dje, ndërsa pretendimet e subjekteve, qofshin këto private a shtetërore, do të shqyrtohen nga një komision hetimor, i cili është ngritur pranë Kapitanerisë së Portit të Durrësit. Lajmin e bëri të ditur për "Shqip" kapiteni i Portit të Durrësit, Muharrem Trupja. Jo vetëm anijet e peshkimit, por të dëmtuara nga ngjarja e së shtunës në port kanë mbetur edhe kantieri detar, të cilit i është dëmtuar rëndë doku ku riparohen anijet, dispeçeria e peshkimit, së cilës i është dëmtuar bankina, si dhe një pilotë për lidhje katamarani e një kompanie detare private. E përballur me situatën e krijuar nga dalja jashtë kontrollit e tragetit "Aurelia", për shkak të motit të keq, ndërsa ishte në proces ankorimi, kompania e lundrimeve "Adriatika", e cila ka në pronësi këtë traget, ka pranuar përgjegjësinë e ngjarjes dhe është vënë në pritje të hetimeve rreth saj. Dëmet konsiderohen nga pronarët e peshkarexhave si tepër të mëdha për aktivitetin e tyre dhe që do të ndikojnë ndjeshëm dhe në fitimin e munguar për aq kohë sa nuk do të dalin në punë. Ata parashikojnë dhe një ndikim negativ të situatës së krijuar në tregun e peshkut në Durrës e Tiranë, ndërkohë që atyre dhe subjekteve të tjera të dëmtuara u është sugjeruar që të marrin një ekspert ligjor për të bërë verifikimin e dëmeve. Agjencia e mirënjohur italiane e lundrimeve, që ka si partnere të saj në vendin tonë agjencinë me aksione shtetërore "Taulantia", nuk është penguar të vazhdojë aktivitetin e saj nëpërmjet tragetit të incidentit "Aurelia". Sipas kapitenit të portit, kjo masë nuk u pa e nevojshme, pasi kompania mori përgjegjësinë paraprake për dëmet. Dëmet e shkaktuara nga ngjarja e së shtunës në Portin Detar të Durrësit konsiderohen në disa qindra mijëra euro dhe po pritet ekspertiza që të saktësojë dëmet për secilin subjekt, përfshi këtu pronarët e peshkarexhave të mbytura dhe të dëmtuara, kantierin detar që zotërohet nga firma turke "Kurum", dispeçerinë e peshkimit që varet nga Ministria e Mjedisit, si dhe një kompani private lundrimesh.

Ndërkaq, autoritetet e kontrollit të regjistrit detar në Durrës kanë nisur ditën e hënë punën për të rivlerësuar mjetet e dëmtuara të lundrimit dhe për të lënë detyra, në mënyrë që të ribëhet certifikimi i tyre. Këto masa janë pjesë e punës për të mundësuar sigurinë detare dhe shmangur ngjarje të tjera të rënda, këtë herë si pasojë e mosplotësimit të kushteve të sigurimit teknik detar.

Situata detare

Dita e hënë ka regjistruar një situatë jo fort të mirë detare, megjithatë burime nga Kapitaneria e Durrësit bënë të ditur se lëvizjet në Adriatik janë normalizuar disi. Lundrimet kanë qenë të ndaluara për anijet e tonazhit të vogël, përfshi këtu edhe peshkarexhat, ndërsa kanë qenë të kufizuara daljet në det të anijeve të tonazhit të mesëm. Tragetet kanë lëvizur pa vonesa mes dy anëve të Adriatikut, ndërkohë që burimet thanë se pritet një përkeqësim i situatës detare gjatë orëve të para të ditës së martë. Fortunali që pritet në port ka vënë në alarm pronarët e peshkarexhave të dëmtuara, pasi rrezikojnë mbytjen.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›