E Shtunë, 31 Tetor 2026

Temperatura të ulëta, ftohtë deri në fund të javës

Temperaturat e ulëta dhe reshjet do të na shoqërojnë deri në fund të javës. Muaji nëntor do të mbyllet me të ftohtë, mot të paqëndrueshëm dhe temperatura të ulëta. Ashtu siç ishte parashikuar edhe nga sinoptikanët, fundi i vjeshtës së tretë, mbyllja e muajit nëntor do të ishte e ftohtë dhe me temperatura të ulëta, në vende të caktuara nën 0 gradë Celsius. Vendi ynë sot do të ndikohet nga fusha barike e presionit atmosferik të ulët, me qendër kryesore në vendet skandinave. Masat ajrore që qarkullojnë janë të paqëndrueshme, relativisht të lagëta e të ftohta. Moti parashikohet të jetë me vranësira të ndërrueshme, të pakta, deri të dendura. Era do të fryjë me shpejtësi 2-10 m/sek në drejtimin jugperëndim-juglindje. Valëzimi në bregdet parashikohet të jetë 4-6 ballë.

Temperaturat minimale dhe maksimale që janë regjistruar dje në qytetet kryesore të vendit kanë qenë: Tiranë 0 dhe 10 gradë Celsius, Shkodër 0 dhe 9 gradë Celsius, Kuçovë -1 dhe 10 gradë Celsius, Kukës -5 dhe 3 gradë Celsius, Korçë -5 dhe 2 gradë Celsius. Të njëjtat temperatura priten të na shoqërojnë edhe dy ditët e ardhshme. Edhe pse është fundi i vjeshtës, gardëroba është zëvendësuar vetëm me rroba të rënda e të trasha. Ulja e menjëhershme e temperaturave e ka rritur ndjeshëm edhe fluksin e pacientëve, të cilët nuk zbatojnë as sistemin e referimit. Shumica e tyre drejtohen menjëherë në spitalin "Nënë Tereza" për të marrë ndihmën e parë. Janë më shumë se 150 fëmijë që paraqiten çdo ditë në urgjencën e pediatrisë në Qendrën Universitare. Deri tani nuk ka asnjë rrezik për shpërthim epidemie, pasi i gjithë fluksi është si pasojë e ndryshimit të temperaturave dhe të ftohtit. Drejtoria e Qendrës Spitalore ka deklaruar se janë të përgatitur për të përballuar çdo rast emergjence. Fundi i muajit nëntor shënon edhe mbylljen e afatit për t‘u mbrojtur nga virozat e stinës, viruset, gjendjet gripale.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›