Hoxha: Vendimi i qeverisë u tjetërsua për të shmangur Forcat e Armatosura
Ish-Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, Luan Hoxha, në dëshminë e tij të parë, nga tri të tilla, dhënë prokurorisë në lidhje me ngjarjen e Gërdecit, thotë se struktura e tij është shmangur qëllimisht nga i gjithë aktiviteti i zhvilluar në Gërdec.
Fillimisht Hoxha sqaron se që në vitin 2006, kompania “Southern Ammunition” ka kërkuar nga Ministria e Mbrojtjes një kërkesë për demontim të municioneve të kalibrave të vegjël në Bërzhitë të Tiranës.
Shtabi i Përgjithshëm i FA përmes një memoje ka deklaruar se rajoni i Bërzhitës nuk është i përshtatshëm për këtë aktivitet. Memoja deklaron se kjo strukturë është e gatshme që të bëjë ruajtjen dhe sigurimin e vendit ku do bëhet demontimi, ndërsa ka shtuar se në pritje është një vendim qeverie për përcaktimin e poligoneve të demontimit, çka do e bënte dhe më të lehtë punën.
Pikërisht këtu nis dhe shmangia e Shtabit të Përgjithshëm.
Sipas Hoxhës, ministri i Mbrojtjes, duke parë që nuk kishte shtrat ligjor për zhvillimin e shitjes me qëllim demontimin, kërkon nga qeveria të miratojë një vendim qeverie për të mundësuar dhënien e kontratës kompanisë SAC.
Vendimi nuk kalon, për shkak se qeveria shprehet se nuk është ajo që vendos dhënie kontratash për firma të caktuara, por se ajo përcakton procedurat. Pas ndryshimeve të bëra, qeveria miraton vendimin nr. 138, datë 14.03.2007.
Në zbatim të këtij vendimi, Ministria e Mbrojtjes nxjerr udhëzimet për zbatimin e tij.
Që në urdhrin e parë, Hoxha thotë se nuk merret aspak mendimi i Forcave të Armatosura.
Sipas shefit të Shtabit, urdhri nr. 550, datë 25.04.2007 që pritej të rregullonte zbatimin e vendimit të qeverisë, ishte urdhri që shmangu plotësisht Forcat e Armatosura nga ky projekt. Urdhri përcaktonte që do ishte Komanda e Forcave të Bashkuara që do vinte në dispozicion ambientin e nevojshëm për kryerjen e demontimit në Gërdec të Vorës. Kjo strukturë, pra Komanda e Forcave të Bashkuara do të mbikëqyrte procesin dhe sigurinë. Dhënia e pronësisë për këtë ambient ushtarak dhe shmangia e shërbimit nga FA ishin problemet e mëdha të kësaj kontrate.
Hoxha thotë se në këtë mënyrë u devijua nga vetë vendimi i qeverisë.
Situata u përkeqësua më vonë, kur u mor kontrata e dytë, që parashikonte demontimin e armatimit të kalibrave të mëdhenj. Vendimi nr. 2044, datë 07.12.2007 parashikonte që do ishte MEICO që do merrej madje dhe me sigurinë në këto ambiente.
Akuzat e Hoxhës bëhen më të rënda, kur ai thotë se pa dijeninë e Shtabit, është vendosur që objekti t’i kalojë MEICO-s ditën e tragjedisë.
“Me sa kam marrë vesh pas aksidentit të 15 marsit, pa dijeninë e Shtabit të Përgjithshëm, ministri i Mbrojtjes ka urdhëruar komandantin e Forcës së Bashkuar t’ia dorëzojë objektin me kalim kapital MEICO-s”, - thotë Hoxha
Çfarë mund të na thoni mbi kronologjinë e bashkëpunimit të Ministrisë së Mbrojtjes (ndërmarrjes MEICO) me kompaninë “Southern Ammunition Company Inc” për demontim municioni?
Kompania amerikane “Southern Ammunition Company”, në datën 27.12.2006, i ka drejtuar një letër ministrit të Mbrojtjes, ku paraqet kërkesën e saj për të demontuar municione të armëve të lehta dhe të vogla të kalibrave 7.62 mmm, 12.7 mm, 14.5 mm dhe 37 mm me gëzhojë bronzi nëpërmjet blerjes së municioneve dhe shitjes së produkteve të dala nga demontimi i tyre. Në kërkesën e saj të mësipërme, kjo kompani ka paraqitur edhe referenca për licencën që dispononte për kryerjen e këtij aktiviteti, si dhe ka kërkuar që ky proces të kryhej në rajonin e Bërzhitës, Tiranë. Ministri i Mbrojtjes e përcolli këtë kërkesë te shefi i Shtabit të Përgjithshëm i FA dhe sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Mbrojtjes për të shprehur mendimin e tyre rreth kësaj kërkese. Shefi i Shtabit të Përgjithshëm i jep detyrë për të dhënë mendim sipas fushës së përgjegjësisë Drejtorisë së Logjistikës në Shtabin e Përgjithshëm. Një ditë më pas, kjo drejtori nëpërmjet shefit të Përgjithshëm i jep mendimin ministrit të Mbrojtjes me memo të datës 28.12.2006, duke u shprehur tekstualisht si më poshtë:
“Ne municionet nuk i administrojmë në bazë të metaleve dhe nuk mund të deklarojmë sasitë sipas llojeve që përcaktoheshin në shkresë, kështu që nuk mund të marrim përsipër sigurimin e sasive të kërkuara. Qendra për demilitarizimin e këtyre municioneve duhet të përzgjidhet nëpërmjet negociatave midis palëve, pasi rajoni i Bërzhitës është i papërshtatshëm, si për depozitim, ashtu dhe për asgjësim municioni. Ky rajon është i palicencuar për depozitim dhe demontim municionesh, pasi është pranë rrugës nacionale Tiranë-Elbasan dhe qendrave të banuara. Nuk mund të marrim përsipër sigurimin e furnizimin me energji elektrike për 24 orë në ditë të kompanisë, pasi kjo varet nga KESH. Për municionet me moshë mbi 25-30-vjeçare që kalojnë në procesin e demontimit, në praktikën tonë, baruti i tyre i nënshtrohet asgjësimit me djegie në natyrë. Nga ana jonë garantojmë të marrim përsipër transportin e municioneve, ruajtjen e pajisjeve dhe rajonit ku kryhet demontimi. Jemi në fazën e miratimit të poligoneve të asgjësimit të municioneve nga qeveria dhe nëse kjo realizohet, marrim përsipër sigurimin e një poligoni për asgjësimin e djegoreve. Ne gjykojmë se kjo kërkesë duhet të shoqërohet me një projekt të demilitarizimit dhe me një marrëveshje dypalëshe, ku të përcaktohen qartë detyrimet midis palëve.
Sa më lart gjykoj se këto ishin standardet e përcaktuara nga Shtabi i Përgjithshëm i FA për marrëveshjen, për përcaktimin e vendit me negociata larg qendrave të banuara e rrugëve nacionale, përpunimit të baruteve me djegie, si dhe nevojën e një projekti dhe një marrëveshjeje dypalëshe midis institucionit të MM dhe palës kërkuese, me përcaktim të qartë të detyrimeve midis palëve.
Me sa dini ju, cili është procesi i përgatitjes së projektvendimit VKM nr. 138, 14.03.2007?
Deri në këtë kohë kjo veprimtari rregullohej nga Vendimi i Këshillit të Ministrave nr. 617, datë 04.12.2002 “Për heqjen nga armatimi dhe përdorimi të një pjese të armëve, teknikës dhe pajisjeve të FA dhe për asgjësimin ose çmontimin dhe shitjen e tyre”, dhe në zbatim të tij nga udhëzimi i ministrit të Mbrojtjes nr. 281, datë 17.06.2003. Me sa kam dijeni, aparati i Ministrisë së Mbrojtjes gjykoi se ky vendim nuk e rregullonte shitjen e municioneve me qëllim demontimi, prandaj, nëpërmjet drejtorive të varësisë së Ministrisë së Mbrojtjes nisi procedurën për përgatitjen e një vendimi të veçantë për Këshillin e Ministrave. Me shkresë të ministrit të Mbrojtjes, në datën 09.02.2007 është nisur për mendim në Ministrinë e Drejtësisë, Ministrinë e Financave dhe Ministrinë e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjitikës projektvendimi për “Procedurën e çmontimit, demilitarizimit dhe të tjetërsimit të një sasie të municioneve të FA, të dalë nga armatimi dhe përdorimi me kompaninë amerikane SAC”. Pas marrjes së mendimeve nga ministritë e mësipërme, përjashto Ministrinë e Financave, praktika u dërgua për shqyrtim në Këshillin e Ministrave. Por, me sa di unë, pasi ky projekt nuk më është paraqitur, ky projekt është kthyer mbrapsht nga Këshilli i Ministrave me të drejtë, pasi Këshilli i Ministrave nuk mund të shprehej me vendimin e tij për një kompani të caktuar. Si rrjedhojë, në datën 5.03.2007, u dërgua për mendim në të njëjtat ministri një projektvendim i ri, i cili, pasi u ripunua nga drejtoritë përkatëse në Ministrinë e Mbrojtjes, erdhi për siglim edhe në Shtabin e Përgjithshëm të FA. Pas marrjes së mendimit të Ministrisë së Drejtësisë dhe Financave, të cilat u reflektuan në praktikë, projektvendimi u nis për shqyrtim në Këshillin e Ministrave, i cili e miratoi atë me vendimin nr. 138, datë 14.03.2007, “Për procedurat e trajtimit të armëve, teknikës dhe pajisjeve të Forcave të Armatosura, të hequra nga armatimi dhe përdorimi”.
Në zbatim të këtij vendimi, ministri i Mbrojtjes, me propozim të Drejtorisë Juridike dhe Drejtorisë së Menaxhimit të Instalimeve dhe Burimeve të Mbrojtjes në Ministrinë e Mbrojtjes ka nxjerrë urdhrin nr. 416, datë 02.04.2007, “Për ngritjen dhe funksionimin e Komisionit të posaçëm për kategorizimin e kontingjentit të armëve, teknikës, pajisjeve, municioneve dhe lëndëve eksplozive të hequra nga armatimi dhe përdorimi”, si dhe urdhrin nr. 417, datë 02.04.2007, “Për ngritjen dhe funksionimin e Komisionit të miratimit të çmimeve të armëve, teknikës, pajisjeve, municioneve dhe lëndëve eksplozive të hequra nga armatimi dhe përdorimi në FA”. Të dy këto komisione janë formuar nga specialistë dhe ekspertë, të cilët ushtrojnë detyra funksionale në MM, SHP, dhe Komandën Mbështetëse. Në bazë të kërkesës së Komisionit të Miratimit të Çmimeve, Drejtoria e Logjistikës (Komisioni i Posaçëm), në zbatim të VKM nr. 138, datë 14.03.2007 “Për procedurën e trajtimit të armëve, teknikës dhe pajisjeve të FA, të hequra nga armatimi dhe përdorimi”, ka marrë vendimin nr. 1, datë 4.04.2007, të cilin kryetari i komisionit ia ka dërguar ministrit të Mbrojtjes për miratim, pa kaluar te Shefi i Shtabit të Përgjithshëm.
Çfarë dini ju për mënyrën e përgatitjes dhe daljen e urdhrit të ministrit të Mbrojtjes nr. 550, datë 25.04.2007?
Ministri i Mbrojtjes ka nxjerrë urdhrin nr. 550, datë 25.04.2007, “Për zbatimin e vendimit nr. 138, datë 14.03.2007, të Këshillit të Ministrave “Për procedurën e trajtimit të armëve, teknikës dhe pajisjeve të Forcave të Armatosura, të hequra nga armatimi dhe përdorimi, për sa i përket shitjes për çmontim dhe çmilitarizim të një sasie municioni’, me të cilin ka urdhëruar ndërmarrjen MEICO për lidhjen e kontratës me kompaninë amerikane “Southern Ammunition Company”, e cila nga kjo kohë do të quhej kontraktor për demontimin e municioneve. Në pikën 4 të urdhrit është përcaktuar detyrimi i “Komandës së Forcës së Bashkuar për të vënë në dispozicion të këtij procesi një sipërfaqe terren në administrim të Ministrisë së Mbrojtjes, të ndodhur në rajonin Gërdec, Vorë, me kontratë qiraje, ku të lejohet kontraktori që të ndërtojë në këtë terren strukturën e përkohshme industriale për çmontim dhe çmilitarizim”. Sqaroj se urdhri i mësipërm nuk është përgatitur nga Shtabi i Përgjithshëm i FA dhe as nuk është marrë mendim dhe cikluar prej tij. Kalimi i pronësisë dhe heqja e shërbimit ndryshuan në esencë vetë zbatimin e kreut IV të pikës 4, të VKM nr. 138 që flet për mbikëqyrjen dhe sigurinë e procesit të demilitarizimit nga repartet ushtarake.
A ka urdhra të ministrit të Mbrojtjes me objekt armatim, municion dhe të tjera që kanë dalë pa u marrë mendimi i Shtabit të Përgjithshëm?
Me sa mbaj mend është urdhri nr. 1208, datë 19.07.2007, urdhri 1300, datë 07.08.2007, urdhri 1800, datë 22.10.2007, me të cilin unë nuk jam njohur etj. Dua të sqaroj gjithashtu se është edhe vendimi nr. 07, datë 01.11.2007, i komisionit të posaçëm, i cili ka kategorizuar për shitje, për demontim municionet me gëzhojë tunxhi të kalibrave 20 deri në 152 mm, i cili është miratuar nga ministri i Mbrojtjes pa kaluar memo nga ana ime.
Cila ka qenë radha dhe praktika e punës për përgatitjen e urdhrit nr. 2044, datë 07.12.2007, si dhe detyrimet e Shtabit të Përgjithshëm për zbatimin e këtij urdhri?
Pas përfundimit të kontratës së mësipërme (të parë) për demontimin e municioneve të vogla, kompania amerikane “Southern Ammunition Company”, nëpërmjet Sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë së Mbrojtjes, zotit Ardian Mullahi dhe drejtorit të ndërmarrjes MEICO, zotit Ylli Pinari, me shkresën nr. 1804/521, datë 6.9.2007, ka kërkuar fillimin e një kontrate tjetër për demontimin industrial të municioneve me gëzhojë tunxhi të kalibrave 20-152 mm. Në këtë kërkesë të datës 1 shtator 2007, midis të tjerash kompania i kërkon Ministrisë së Mbrojtjes si vijon: “Jemi të lutur të kërkojmë nga Ministria e Mbrojtjes shqiptare të konsiderojë investimin tonë në Shqipëri (fabrikën e Gërdecit), aktivitetin tonë korrekt për të vazhduar projekt të ri për kalibra të tjerë”. Siç del nga shkresa, kompania merr përsipër zbatimin e procedurave standarde të sigurisë. Këtë kërkesë ministri i Mbrojtjes ia ka kaluar Shefit të Përgjithshëm me shënimin “Për veprim”, shënim i cili, nga sa kam folur pas ngjarjes me drejtorin dhe personelin teknik të Drejtorisë së Logjistikës, ka ndikuar në vazhdimin e procedurave për hartimin e urdhrit të ri dhe veçanërisht për vazhdimin e projektit të ri në të njëjtin vend (Gërdec). Pas kësaj detyre, Shefi i Shtabit të Përgjithshëm ia ka kaluar Drejtorisë së Logjistikës me shënimin “Përgatisni shkresën për përgjigje ministrit”. Mbi këtë bazë është filluar procedura ligjore për vënien në dispozicion të municioneve të mësipërme duke e vlerësuar si një kontratë në vazhdimësi dhe me interes për FA në pakësimin e municioneve të rrezikshme dhe duke vlerësuar faktin se kërkuesi kishte bërë investime. Mbi këtë bazë ka dalë Urdhri i Ministrit të Mbrojtjes nr. 2044, datë 07.12.2007 “Për kalim municioni ndërmarrjes MEICO”. Në këtë urdhër përcaktohen përgjegjësitë dhe detyrimet e ndërmarrjes MEICO dhe strukturave të Forcave të Armatosura. Pikat më kryesore të këtij urdhri janë si më poshtë:
Pika 2 e urdhrit: Ndërmarrja MEICO të lidhë kontratë me kontraktonin “Southern Ammunition Company” në bazë të kërkesave të përgjithshme të Kodit Civil dhe pikës IV të VKM nr. 138, datë 14.03.2007, “Për procedurën e trajtimit të armëve, teknikës dhe pajisjeve të FA, të hequra nga armatimi dhe përdorimi”, për shitje të municioneve për çmontim dhe çmilitarizim brenda vendit, sipas çmimeve të miratuara nga Komisioni i Miratimit të Çmimeve në Ministrinë e Mbrojtjes.
Pika 7 e urdhrit: Ndërmarrja MEICO të vërë në dispozicion të realizimit të projektit ambientet në administrim të saj në ish-brigadën e tankeve në rajonin e Gërdecit, Vorë. Sqaroj se rajoni Gërdec ka qenë i përcaktuar me urdhrin e mëparshëm të ministrit të Mbrojtjes nr. 550, datë 25.04.2007, dhe deri në ato momente urdhri për projektin e ri nuk është njohur nga ana ime që statusi i këtij rajoni kishte ndryshuar në mënyrë esenciale dhe për pasojë pas këtij ndryshimi ishte e pamundur të zbatohej detyrimi i VKM, sidomos për regjimin e lëvizjes së njerëzve e materialeve që hynin e dilnin nga palët kontraktuese. Por tashmë kjo kishte ndodhur dhe nuk dihej nga një pjesë e hartuesve të urdhrit 550, datë 25.04.2007. Pika 8 e urdhrit të ministrit të Mbrojtjes, nr. 2044, datë 07.12.2007: “Ndërmarrja MEICO përgjigjet për zbatimin nga kontraktori të procedurave standarde të sigurisë, të masave të mbrojtjes nga zjarri dhe sigurisë së jetës dhe shëndetit të personelit të projektit gjatë procesit të çmontimit dhe çmilitarizimin e municioneve, në kushte të rrepta sigurie e vëzhgimi”. Kjo pikë e këtij urdhri të brendshëm i ka hequr reparteve ushtarake të Forcave të Armatosura një pjesë të rëndësishme të kompetencave të mbikëqyrjes së procesit të demontimit të municionit dhe ia ka kaluar kompanisë MEICO. Në fakt, në këtë pikë, këto detyra pasqyrojnë në përmbajtje detyrimet që sistemi i Forcës së Armatosur ka për të ndjekur detyrimet e pikës 4 të kreut të IV të VKM 138, datë 14.03.2007, por nuk janë të renditura në përputhje me legjislacionin. Në pikën 9, parashikohet që ruajtja e rajonit të Gërdecit dhe depove të municionit të bëhet nga Komanda e Forcës së Bashkuar dhe ndërmarrja MEICO. Hyrja e dalja të bëhet konform rregullave për këtë qëllim. Po të zbatohej kjo pikë e urdhrit, sipas regjimit ushtarak të ruajtjes, që kanë në vetvete standardet e shprehura në rregulloret e shërbimit të rojës dhe truprojës, do të kishin disiplinuar hyrjet e daljet në rajon. Në pikën 11 të këtij urdhri ngarkohen për zbatim komandanti i Forcës së Bashkuar dhe komandanti i Komandës Mbështetëse dhe drejtori i ndërmarrjes MEICO, ndërsa në pikën 12 ngarkohet për të ndjekur zbatimin e urdhrit, vetëm për dorëzimin e municionit ndërmarrjes MEICO, Drejtoria Logjistike.
Të gjitha procedurat e tjera kanë qenë përgjegjësi e vetë ndërmarrjes MEICO. Me sa kam marrë vesh pas aksidentit të 15 marsit, pa dijeninë e Shtabit të Përgjithshëm, ministri i Mbrojtjes ka urdhëruar komandantin e Forcës së Bashkuar t’ia dorëzojë objektin me kalim kapital MEICO-s. Në fakt, unë akoma dhe sot nuk jam njohur me këtë urdhër.
Cilat janë mendimet tuaja personale në lidhje me ngjarjen e ndodhur në rajonin e Gërdecit, Vorë, Tiranë?
Mendoj se po të ishin marrë në konsideratë dhe të ishin zbatuar propozimet tona në memon e datës 28.12.2006, në të cilën Shtabi i Përgjithshëm i FA ka përcaktuar e propozuar standardet për përcaktimin e vendit ku do të zhvillohej aktiviteti i demilitarizimit me negociata midis palës sonë dhe palës së huaj, larg qendrave të banuara e rrugëve nacionale, përpunimit të baruteve me djegie në natyrë, si dhe nevojën e një projekti dhe një marrëveshjeje dypalëshe midis institucionit të MM dhe palës së huaj, me përcaktim të qartë të detyrimeve midis palëve (sqaroj se për urdhrin nr. 550, datë 25.04.2007, nëse do të ishte marrë mendimi i SHPFA, bazuar në kriteret e parashtruara më parë), nuk do të ishte vendosur për demontim municionesh rajoni i Gërdecit. Gjithashtu, dua të theksoj se tjetërsimi i pronësisë nga statusi i repartit ushtarak të FA në pronësi të ndërmarrjes MEICO ka tjetërsuar zbatimin e pikës 4, të VKM duke bërë që procesi i demontimit të mos zhvillohej nën mbikëqyrjen e reparteve ushtarake dhe më vjen shumë keq që nuk jam pyetur dhe informuar për këtë çështje. Në urdhrin e ministrit të Mbrojtjes nr. 2044, datë 07.12.2007, mendoj se detyrimet për ndjekjen e procesit të demontimit janë të pasqyruara. Pika e urdhrit, në të cilën janë pasqyruar, nuk është kontrolluar juridikisht në përputhshmëri me legjislacionin në fuqi, por sidoqoftë në vetvete ka shprehur detyrimin që rrjedh për mbikëqyrjen e procesit të demontimit. Në këtë urdhër FA kanë qenë të ngarkuara për ruajtjen e rajonit, hyrjet e daljet në vendin e demontimit. Duhet të theksoj se moszbatimi i kësaj pike të urdhrit, heqja e shërbimit të ruajtjes me regjim ushtarak ka ndryshuar situatën e kontrollit në të gjithë procesin konceptual të ruajtjes së një rajoni e të sigurisë së tij, hyrjeve dhe daljeve, si dhe kontrollit të gjendjes në tërësinë rajonale. I gjithë ky veprim është kryer pa dijeninë time. Në të gjithë procesin me aktivitetin e MM (ndërmarrjes MEICO) me kompaninë “Southern Ammunition” për demontimin e municioneve, shumica e dokumenteve nuk ka kaluar për mendim nga shefi i Shtabit, gjë që tregon qartësisht tendencën për shmangien e tij nga ky proces. Gjatë kësaj periudhe unë, si shef Shtabi, nuk kam pasur asnjë ankesë ose kundërshtim të detyrimeve të vëna nga urdhrat e lëshuara në të gjitha instancat e zinxhirit të komandimit nga asnjë strukturë vartëse në Forcat e Armatosura ose informacion për shqetësime në këtë proces.