Kalvari korruptiv për të marrë një licencë të shfrytëzimit minerar
Ing. Xhevair Dermishi
Lejet e shfrytëzimit të aktivitetit minerar në Shqipëri jepen në zbatim të Ligjit Nr. 7796, dt. 17.02.1994 “Për ligjin minerar të Shqipërisë”, i ndryshuar, në përputhje me kërkesat e neneve 45 dhe 70 të këtij ligji brenda një afati kohor prej 90 ditësh për lejet e shfrytëzimit të grupit 1, 2, 3 (Neni 147) dhe brenda një afati kohor prej 30 ditësh për lejet e shfrytëzimit të grupit 4. Mënyra se si është vepruar dy vitet e fundit në Ministrinë e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, ku në pjesën dërrmuese të kërkesave ka shkelur afatet ligjore për pajisjen me lejet e shfrytëzimit, të cilat, në raste të veçanta, kanë zgjatur nga dy deri në tre vjet. Mjafton të tregojmë kohën dhe rrugën që harxhohet për të kryer një akt verifikimi, i cili nuk është kërkesë ligjore. Shoqëria paraqet kërkesën, e cila verifikohet në kompjuterin e Ministrisë nëse zona është e lirë. I dërgohet shkresë Agjencisë Kombëtare të Burimeve Natyrore (AKBN) për verifikim. Më pas ngarkohen dy specialistë për të kryer aktin e verifikimit, dërgohet nga AKBN-ja shkresë ministrie me akt-verifikimi. Rruga vijon më tej. Ministria njofton shoqërinë për vazhdimin ose jo të procedurave. Kjo kohë zgjat më shumë se një muaj, e cila mund të verifikohet lehtë po të ballafaqohet data e hyrjes së kërkesës në Ministri me datën e njoftimit që lëshon kjo ministri për shoqërinë. Në vend që të thjeshtohen procedurat për pajisjen me një leje shfrytëzimi, ato janë vështirësuar. Me një rregullore të miratuar nga ministri, hartimi i projekteve dhe miratimi i tyre kryhet nga AKBN-ja, studiot private të licencuara dhe Departamenti i Minierave në Fakultetin e Gjeologji-Minierave. Në kundërshtim me këtë rregullore, oponencat janë përqendruar në AKBN, e cila zvarrit pa fund miratimin dhe zbardhjen e tyre. Me urdhër të paligjshëm janë bllokuar disa zona të studiuara për shfrytëzim për minerale të grupit 4 dhe në veçanti, qesharak është urdhri i ish-ministrit Ruli për zonën e Krujës. Të habit fakti që me përzgjedhje është shkelur ky urdhër nga vetë ministri në disa raste. Janë bllokuar me leje kërkim-zbulimi, dhe në veçanti, në rajonin Kukës, Has, Tropojë, Mirditë, Pukë zona me përmbajtje kromi, nikeli, silikati dhe bakri, në të cilat, deri tani, nuk është kryer asnjë lloj punimi në përputhje me programet e miratuara. Në të njëjtën kohë, për këto minerale ka kërkesa të shumta për leje shfrytëzimi. Për të vërtetuar për sa më sipër, mjafton të verifikohen lejet me numër 989, 1012, 1013, 1187, 1141, 1183, 1164, 1125, të dhëna në vitin 2007-2008 me sipërfaqe që variojnë nga 3.7 km katrorë deri në 295 km katrorë. Vazhdojnë të mbahen të bllokuara prej shumë vitesh minierat e kromit në Kalimash dhe Vlahen me pretekstin e dhënies së tyre me koncesion. Në kundërshtim me Nenin 62 mbahen në listën e lejeve minerare shoqëri që nuk kanë filluar akoma aktivitetin e punës, në të njëjtën kohë që këto zona kërkohen nga shoqëri të tjera. Të tilla ka në të gjithë Shqipërinë, por në veçanti zona e nikel-silikatit në Kukës dhe Has, zona e gurëve dekorativë në Lak Rosh, zona gëlqerore në Krujë, zona e bazalteve në Rubik etj. Aktiviteti minerar i paligjshëm është kthyer në një fenomen të ditës , i cili, në mjaft raste, ka pasur dhe pasoja serioze për jetën e punonjësve. Në Nenin 57 të “Ligjit minerar të Shqipërisë”, kërkohet që zotëruesi i lejes së shfrytëzimit duhet ti paraqesë ministrit për miratim një program vjetor pune, i cili duhet të paraqitet për çdo vit, së paku 90 ditë më parë se viti kalendarik në të cilin futemi. Procedura e rinovimit të lejeve është kthyer në një ferr të vërtetë për të gjitha shoqëritë e licencuara, dosjet e tyre shëtisin nga Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës tek AKBN-ja, SHGJSH-ja RISHEM - MINISTRI. Mjafton të verifikohen programet e miratuara në vitet 2008-2009 dhe ato të pamiratuara, të cilat për këto vite zënë një përqindje shumë të madhe. Jemi në muajin e 10 të vitit 2009 dhe akoma nga zyra e licencave e ministrisë nuk janë miratuar programet vjetore të subjekteve minerare. Aktualisht, ato e kanë humbur qëllimin për të cilin janë kërkuar. Pa programin e miratuar të punës për vitin kalendarik, doganat nuk të lejojnë të eksportosh; bankat nuk të japin kredi; komisariatet e policisë nuk të japin autorizim për të tërhequr lëndë plasëse, pavarësisht se leja e shfrytëzimit është 10 ose 20 vjeçare. Prandaj, investitorët pranojnë të poshtërohen, duke qëndruar pranë zyrës së zotit Fatos Manastirliu ditë të tëra, i cili e përcjell tek z. Kristo Rodi dhe pasi të kesh ngjitur dhe ulur dhjetëra herë shkallët e Ministrisë dhe të pranosh të rrish prapa derës disa ditë, mund ta marrësh programin e miratuar. Më të rëndë e bën situatën në zyrën e licencave, komunikimi arrogant i përgjegjësit të zyrës i cili e trajton këtë zyrë si zyrë private pa lejen e të cilit nuk mund të trajtosh me specialistë të tjerë asnjë lloj problemi. Shkeljet e ligjit minerar të Shqipërisë janë bërë duke zvarritur ose duke mos marrë në konsideratë kërkesat e disa subjekteve për leje zbulimi ose shfrytëzimi. Një subjekt në Berat ka aplikuar për leje-kërkim-zbulimi për gurë gëlqerorë dhe dosja kthehet dy herë për shkak se kalon afati i garancisë bankare, ku për ta lëvizur dosjen nga drejtori te specialisti janë dashur 5 muaj. Gjithashtu, mjaft shqetësuese është për subjektet pajisja me leje për përdorimin e lëndëve plasëse. Sipas procedurës ekzistuese, subjekti pasi merr lejen e shfrytëzimit duhet të fillojë procedurën dhe të plotësojë dokumentacionin edhe një herë nga e para. Kjo nuk është e nevojshme, sepse në studimin tekniko-ekonomik dhe projektin e shfrytëzimit, subjektit duhet ti jepet dhe leja e përdorimit civil të lëndëve plasëse. Gjithë këto zvarritje dhe sorollatje për të marrë një të drejtë që të takon me ligj, bëhen për arsye të korrupsionit të lartë që ka përfshirë këtë drejtori si asnjëherë tjetër. Qendra Kombëtare e Licencave, nga mënyra si po funksionon, ka zëvendësuar vetëm protokollin e Ministrisë së Ekonomisë, pasi bën vetëm një inventar fizik të dokumentacionit dhe është jashtë funksionit për të cilin është ngritur. Me ndryshimin e ministrit të Ekonomisë Tregtisë dhe Energjetikës shpresojmë se situata e krijuar do të përmirësohet, korrupsioni do të luftohet me të gjitha mjetet, do të anulohen lejet e kërkimit, zbulimit dhe shfrytëzimit të cilat nuk kanë filluar akoma nga puna, do vendosen afate të reja dhe përmirësohen procedurat e marrjes së lejeve minerare si dhe rinovimit të tyre.
15 Tetor 2009