E Diel, 1 Nëntor 2026

Urdhri për Hipotekën, kush nuk paguan taksat vendore nuk mund të regjistrojë pasurinë



Laureta Rryçi

Zyrat e regjistrimit të pasurive të paluajtshme prej pak ditësh kanë marrë një urdhër për regjistrimin e pasurive. Sipas udhëzimit të ri qytetarët që paraqiten për regjistrimin e pasurisë ose çregjistrimin e saj duhet të paraqesin një vërtetim nga bashkia ose komuna që kanë shlyer detyrimet me taksat vendore. Nëse nuk paraqitet një dokument i tillë asnjëra prej këtyre shërbimeve nuk do të realizohet. Urdhri mësohet se do të hyjë në fuqi në ditën e parë të muajit nëntor e në vazhdim dhe është i vlefshëm për të gjitha zyrat e regjistrimit të pasurive të paluajtshme në vend. Gazeta “Albania” zbardh në numrin e sotëm edhe taksat që duhet të paguajnë për pasuritë e paluajtshme qytetarët në varësi të vendit ku e kanë pronën.
Vendimi
Sipas ligjit është këshilli bashkiak ose komunal ai që vendos për nivelin e taksës që do të zbatohet për çdo kategori minimale të bazës së taksës, të parashikuar në tabelat e mëposhtme, në kufijtë plus-minus 30 për qind të nivelit tregues të taksës për kategorinë përkatëse. Kur për një kategori minimale të bazës së taksës, këshilli bashkiak ose komunal miraton nënkategori, ai, detyrimisht, përcakton edhe nivelin e taksës për secilën nënkategori. Këshilli bashkiak ose komunal vendos gjithashtu për lehtësimin ose përjashtimin nga detyrimi për pagimin e taksave për personat që kanë të ardhura nën minimumin jetik, sipas kritereve të përcaktuara në nivel kombëtar. Për ata taksapagues, pasuria e të cilëve është dëmtuar nga veprimi i forcave madhore, në këtë rast, lehtësimi ose përjashtimi është i përkohshëm dhe kohëzgjatja përcaktohet nga këshilli bashkiak ose komunal, në raport me dëmin e shkaktuar, deri në vlerën 75 për qind.
Toka bujqësore
Baza e taksës mbi tokën bujqësore është sipërfaqja e tokës bujqësore, në hektar, në pronësi të taksapaguesit. Sipërfaqja e tokës në pronësi përcaktohet sipas dokumenteve që e vërtetojnë atë. Kategoritë minimale të tokave bujqësore jepen në aneksin 2, që i bashkëlidhet këtij ligji. Për çdo kategori minimale të tokës bujqësore, këshilli bashkiak ose komunal mund të miratojë nënkategorizime. Niveli i taksës caktohet në lekë për hektar. Detyrimi i taksës llogaritet si shumëzim i nivelit të taksës me bazën e tatueshme. Nivelet treguese të taksës, për çdo kategori minimale të bazës së taksës, jepen në tabelat e mëposhtme.
Përjashtohen nga taksa tokat bujqësore, që mbillen me kultura drufrutore dhe vreshtari për pesë vitet e para nga çasti i mbjelljes. Kjo lloj takse paguhet në bashki ose komuna, në territorin e së cilës ndodhet prona e taksuesshme.

Vërtetimi i pronësisë për efekt të detyrimit për pagimin e taksave

Për efekt të detyrimit për pagimin e taksave të taksapaguesit, zyrat e taksave të bashkisë dhe të komunës njohin dokumentet e vërtetimit të pronësisë, sipas regjistrit të zyrave të regjistrimit të pasurive të paluajtshme. Pas hyrjes në fuqi të kësaj rregulloreje, zyrat e regjistrimit të pasurive të paluajtshme u japin të dhëna, pa shpërblim, bashkive dhe komunave për pasuritë e paluajtshme të regjistruara pranë tyre. Zyrat e regjistrimit të pasurive të paluajtshme njoftojnë rregullisht, çdo 3 muaj, bashkitë dhe komunat për regjistrimet e reja të kryera dhe për ndryshimet e gjendjes së pronave. Nëse prona nuk është e regjistruar në regjistrin e pasurisë së paluajtshme, për efekt të detyrimit për pagimin e taksës nga taksapaguesit, zyrat e taksave të bashkisë dhe të komunës, për vërtetim pronësie njohin vërtetimin e pronësisë, vendimet e Komisionit të Kthimit dhe Kompensimit të Pronës, vendimet e privatizimit ose dokumentet e tjera, të lëshuara nga organet përkatëse shtetërore, në përputhje me legjislacionin përkatës. Në rastin e mungesës së dokumentacionit të vërtetimit të pronësisë, këshilli i bashkisë ose komunës vendos madhësinë e sipërfaqes së tatueshme, bazuar në vendimin e komisionit të verifikimit të pasurisë së paluajtshme. Organet e pushtetit vendor ngrenë komisionin e verifikimit të pasurive të paluajtshme, në rast mungese të dokumentacionit ligjor. Detyrat dhe funksionet e këtij komisioni përcaktohen me vendim të këshillit të bashkisë ose komunës. Ndërsa për rastet kur një pronë shtrihet në territorin e më shumë se një bashkie ose komune, pavarësisht nga vendbanimi i pronarit, secila njësi vendore e trajton pjesën e pronës, që ndodhet brenda territorit të vet, si pronë më vete dhe zbaton mbi të dispozitat e këtij ligji.

Taksa mbi ndërtesat

Baza e taksës mbi ndërtesat është sipërfaqja e ndërtimit në metër katror e ndërtesës ose e pjesës së saj, mbi dhe nën nivelin e tokës dhe për çdo kat. Sipërfaqja në pronësi të taksapaguesit përcaktohet sipas dokumenteve që e vërtetojnë këtë pronësi. Kategoritë minimale të ndërtesave, për efekt të bazës së taksueshme, jepen në aneksin 1, që i bashkëlidhet këtij ligji. Për çdo kategori minimale të ndërtesave, këshilli bashkiak ose komunal mund të miratojë nënkategorizime të ndërtesave që ndodhen brenda territorit që mbulon. Niveli i taksës caktohet në lekë për metër katror. Detyrimi për taksën llogaritet si shumëzim i nivelit të taksës me bazën e taksueshme. Të ardhurat e realizuara nga taksa mbi ndërtesat i takojnë 100 për qind bashkisë ose komunës, ku realizohet kjo taksë. Përjashtohen nga taksa mbi ndërtesën: pronat e shtetit dhe të njësive të qeverisjes vendore, që përdoren për qëllime jofitimprurëse; ndërtesat e banimit, që shfrytëzohen nga qiramarrës me qira të paliberalizuara; ndërtesat që përdoren nga komunitetet fetare.

NIVELET TREGUESE TË TAKSËS MBI NDËRTESAT

Bashkitë
Zona 1 Zona 2 Zona 3
Kategoritë minimale të ndërtesave Tiranë
Durrës Vlorë
Fier
Sarandë
Pogradec
Korçë
Elbasan
Berat
Lushnjë
Gjirokastër
Shkodër
Kavajë
Lezhë Të gjitha bashkitë e tjera
Lekë/m2 në vit
I. Ndërtesa banimi
- ndërtuar para 1993-shit 15 10 5
- ndërtuar gjatë dhe pas 1993-shit 30 12 6
II. Ndërtesa të tjera
- për tregti dhe shërbime 200 150 100
- të tjera 50 30 20

Shënim I: Nivelet treguese të taksës, dhënë në tabelë, janë të vlefshme për ndërtesat në zonat urbane (bashkitë).
Shënim II: Në zonat rurale (komunat), niveli tregues i taksës për çdo kategori minimale të ndërtesës është sa një e dyta e nivelit tregues përkatës të kategorisë minimale të ndërtesës në bashkitë qendër rrethi, në të cilat ndodhet komuna.

15 Tetor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›