Drejtshkrimi, problem për presidentin hungarez

Presidenti i Hungarisë, Pal Schmitt, nuk e zotëron drejtshkrimin e gjuhës së tij amtare. Në një letër falënderimi, dërguar një restoranti, ai kishte bërë dy gabime drejtshkrimore në disa rreshta, njoftoi gazeta hungareze në internet, „Hirszerzö“.
“Për stacionin e parë të vizitës time si president. Me falënderime: Pal Schmitt, 7 shtator 2010”, është teksti i shkruar, i vendosur tani në murin e restorantit „Paprika-Csarda“, në afërsi të brezit kufitar mes Hungarisë dhe Austrisë.
Pikërisht fjalën president Schmitt e kishte shkruar gabimisht. Edhe zyra e Schmittit ka hartuar dokumente përplot me gabime gjuhësore dhe drejtshkrimore, në mesin e tyre edhe propozimet e presidentit për kushtetutën e re të Hungarisë, njoftoi „Hirszerzö“.
Sipas propozimit për kushtetutën e re, për të cilën parlamenti në Budapest pritet të votojë më 18 prill, nën mbrojtje të veçantë vendosën kultura dhe gjuha “unike” hungareze.
Schmitt është bërë i njohur si sportist dhe zyrtar sportiv. Punën si president i Hungarisë e ka filluar më 6 gusht të vitit të kaluar.