Hoxhaj: Kosovën e kanë njohur 91 shtete

Ministri i jashtëm i Kosovës Enver Hoxhaj ka deklaruar se Kosovën e kanë njohur 91 shtete. Në një intervistë për “Express”, Hoxhaj ka theksuar se njohjet nuk janë meritë e asnjë zyrtari individualisht e as të Behgjet Pacollit ndërsa ka shtuar se gjatë muajit korrik edhe 3-4 shtet të tjera do ta njohin Kosovën.
“Numri i shteteve që është prezantuar në ueb-faqe është edhe numri i saktë i njohjeve që ka shteti i Kosovës. Kosova, edhe pse ka shpallur pavarësinë vetëm pesë vjet më parë, sot gëzon një përkrahje dhe shtrirje globale të njohjes së shtetësisë së saj. Mendoj se në pesë vitet e fundit është bërë punë shumë e madhe në shtimin e njohjeve. Kjo ka ndodhur falë koordinimit të punës së të gjithë aktorëve, nga Qeveria, Presidenca, Kryeministri, Zëvendëskryeministri Pacolli. Në këtë pikë ka ndihmuar shumë edhe Strategjia e hartuar nga MPJ. Në këtë kontekst mund t`ju jap një shembull; nëse i shikoni pritjet për vitin e kaluar në Strategjinë e MPJ, e shihni se po ato shtete tashmë e kanë njohur pavarësinë”, ka theksuar Hoxhaj.
I pyetur për dy njohjet kontradiktore, për Ugandën dhe Nigerinë, Hoxhaj ka thënë se me këto dy vende nuk janë vendosur ende marrëdhënie të plota diplomatike. “Kemi marrë disa shkresa, realisht, Zëvendëskryeministri Pacolli ka marrë disa shkresa nga presidentët e të dyja vendeve që ato e njohin subjektivitetin dhe shtetësinë e Kosovës”, ka shtuar Hoxhaj.