Hoxhaj: Krenarë për rolin e Kosovës në mbrojtje të hebrenjve

Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj, ka takuar mbrëmë përfaqësues të komunitetit hebre nga Ballkani, të cilët gjatë ditës së djeshme kanë qëndruar në Republikën e Kosovës, në kuadër të një konference të mbajtur në Prizren.
Ministri Hoxhaj ka thënë se komuniteti hebre ka qenë pjesë e rëndësishme e së kaluarës së Kosovës dhe është pjesë vitale e shoqërisë shumëtnike dhe shumëkulturore në Kosovë.
“Ne jemi shumë krenarë për rolin që kishte populli i Kosovës në mbrojtje të komunitetit hebre në periudha të rënda të historisë dhe jemi shumë krenarë që sot hebrenjtë janë pjesë e procesit të shtetndërtimit të Kosovës, e cila është ndërtuar mbi tre parime të mëdha: demokracia, multietniciteti dhe sekularizmi”, ka thënë Hoxhaj, njofton MPJ.
Gjatë pritjes së delegacionit nga shtete të ndryshme të Ballkanit dhe Izraelit, Hoxhaj po ashtu ka theksuar se Qeveria e Kosovës është e vendosur në promovimin e fuqishëm të identitetit hebre në Kosovë si dhe në avancimin e pozitës së tyre përmes mbrojtjes ligjore në shtetin e Kosovës./Indeksonline./