Hoxhaj: Kufijtë në Ballkan, të paprekshëm

Enver Hoxhaj / foto arkiv
Gazeta gjermane Frankfurter Allgemeine Zeitung, në një artikull të saj për Kosovën, ka shkruar për situatën politike dhe ekonomike në Kosovë.
Duke iu referuar situatës së sigurisë në tri komunat e veriut të Kosovës, gazeta shkruan se bashkëjetesa në pjesën më të madhe të Kosovës funksionon, por ngec tutje në veri.
Serbia mbështet strukturat paralele shtetërore të policisë, ndërsa barrikadat tregojnë mbetjet e luftës nga viti 1999. Si rrjedhojë, Beogradi ende nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, e shpallur në vitin 2008.
Duke folur për veriun, ministri i Punëve të Jashtme i Kosovës, Enver Hoxhaj, ka thënë për Frankfurter Allgemeine Zeitung se kufijtë në Ballkan tashmë janë vendosur dhe ata janë të paprekshëm.
Kufijtë në Ballkan janë vendosur, ka thënë Hoxhaj. Gazeta gjermane shkruan se si kosovarët, sidomos të rinjtë, janë lënë të vetmuar nga Evropa. Të gjitha shtetet e Ballkanit, përveç Kosovës, gëzojnë lëvizjen e lirë në zonën Shengen.
Me këtë rast, ministri Hoxhaj i ka thënë gazetës gjermane se Kosova tashmë ka bërë përparime të dukshme dhe është në pritje të një udhërrëfyesi.
Kosova gjithmonë ka qenë një shtet evropian. Prandaj Evropa është caku ynë kryesor, ka theksuar Hoxhaj. / Koha. net