E Shtunë, 31 Tetor 2026

Hoxhaj: Në veri, serbët përdorën armët

Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj, në një intervistë për të përditshmen prestigjioze “Le Monde”, ka deklaruar se Policia e Kosovës, nuk ka përdorur dhunë në veri.

Sipas tij, janë strukturat paralele ilegale të sigurisë të shtetit serb, të cilët kanë përdorur eksploziv, armë automatike dhe snajper, duke vrarë një polic në Kosovë.

“Edhe më tutje, Serbia po i mbron këto struktura paramilitare. Në 12- vjet, Serbia ka shpenzuar 6 miliard euro, për të ruajtur kontrollin mbi pjesën veriore të Kosovës dhe të ruajtur “status quon”. Vetëm gjatë këtij viti ka shpenzuar 260 milionë. Duhet të shpërbehen të gjitha strukturat e sigurisë, policisë, shërbimit sekrete”, ka theksuar Hoxhaj. Ai ka shtuar se nuk njeh asnjë vend tjetër në Evropë, që bënë përpjekje të ushtrojë kontroll administrativ mbi një pjesë të një shteti fqinj.

“Kjo praktikë duhet të ndalet menjëherë. Serbet lokal janë mbajtur peng nga strukturat paramilitare. Beogradi duhet të lejojë serbët e veriut të integrohen në institucionet e Kosovës. Ne duam një integrim të vërtetë të serbëve, si në pjesët e tjera të Kosovës në përputhje me planin e Ahtisarit”, ka shtuar ai.

Ministri Hoxhaj ka thënë se në planin e Ahtisarit, çdo gjë është e shkruar. “Ai ofron serbëve lokalë në të gjithë vendin, të drejta shumë të gjera që asnjë minoritet në Evropë nuk i gëzon”, ka theksuar Hoxhaj.
Duke folur për qëndrimet e zyrtarëve serb për Kosovën, ministri Hoxhaj ka thënë se Evropa duhet të jetë e shqetësuar lidhur me vizionin serb për Kosovën dhe rajonin.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›