E Diel, 1 Nëntor 2026

Presidenti i Hondurasit, lobues për njohjen e Kosovës

Një nga miqtë e Kosovës që po lobon tek shumë shtete për njohjen e pavarësisë së Kosovës, është edhe presidenti i Republikës së Hondurasit, Porfirio Lobo Sosa. Ditën e sotme, ai ka konfirmuar në Prishtinë, miqësinë e shtetit të tij dhe Republikës së Kosovës.
Por jo vetëm, ai gjithashtu përçoi edhe lajme të mira për Kosovën, ku premtoi një njohje të shpejt të re.
 

Pas takimit me presidenten e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, presidenti Lobo Sosa tha se vendi i tij e ka njohur pavarësinë dhe sovranitetin e Kosovës dhe theksoi të drejtën e saj në tërësinë territoriale si dhe jetesën në paqe. Presidenti i Hondurasit shprehu gatishmërinë e tij që të vazhdojë ta ndihmojë Kosovën në procesin e njohjeve tek vendet e Amerikës Qendrore.
 

Ai tha se do të angazhohet që Kosova të njihet së shpejti nga Republika Dominikane. Presidenti Lobo Sosa tha se vendet e Amerikës Qendrore kanë bashkëpunim të mirë mes vete dhe bëri me dije se në kuadër të delegacionit që po viziton Kosovën ka edhe përfaqësues të shtetit të Salvadorit.
 

“Presidenti Lobo Sosa tha se zhvillimi i marrëdhënieve mes Kosovës dhe Hondurasit është i rëndësishëm dhe u angazhua për ndihmë Kosovës në të gjitha fushat”, thuhet në një njoftim nga Presidenca.
 

Ai i bëri ftesë Presidentes së Kosovës që të vizitojë Hondurasin. Jahjaga, i ka uruar mirëseardhje presidentit të Hondurasit dhe e ka vlerësuar kontributin e tij për Kosovën në procesin e njohjeve. Ajo tha se të dyja vendet kanë një bashkëpunim të mirë dhe se ai duhet të zgjerohet edhe në fusha të tjera.
 

Presidentja Jahjaga tha se Republika e Kosovës është një vend Evropian që perspektivën e saj e sheh në anëtarësimin në BE dhe në NATO dhe kjo rrugë tha Presidentja, nuk ka alternativë.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›