Hoxhaj: Ngjarjet e 11 shtatorit, aktet më të rënda terroriste

Ministri i Jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj, në 10 vjetorin e sulmeve terroriste të 11 shtatorit 2001, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, përmes një deklarate, shprehu dhimbjen dhe solidaritetin e popullit të Kosovës për viktimat.
“Ngjarjet e 11 shtatorit 2001 përbëjnë aktet më të rënda terroriste kundër shtetit simbol të lirisë dhe demokracisë, kundër vlerave demokratike të botës së civilizuar, të cilat kërcënuan në mënyrën më të ashpër paqen dhe sigurinë botërore”, tha ai. Shefi i diplomacisë kosovare nënvizoi se këto ngjarje, të cilat goditën popullin amerikan dhe mbarë botën demokratike, shënojnë një etapë të re të angazhimit kundër kërcënimit terrorist.
“Dhjetë vjet pas këtyre sulmeve, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe shtetet e civilizuar të të gjithë globit, janë më të fuqishme, më të përgatitura dhe më të bashkuara përballë terrorizmit, i cili përbën kërcënimin më të madh ndaj shoqërisë moderne demokratike”, u shpreh Hoxhaj.