ICO: Feith nuk ka propozuar tjetër pako, nga ajo e Ahtisaarit

Zyra e shefit të Përfaqësuesit Civil Ndërkombëtar, Peter Feith ka deklaruar se ky i fundit nuk ka përmendur fjalën “Ahtisari Plus” apo “Kataloni”. Një ditë më parë, EU Observer raportoi se Shefi i ICO-së, Peter Feith, ka përmendur këto dy modele si zgjidhje afatgjate për tejkalimin e problemeve në Kosovë. Ndërkohë, zyra e Përfaqësuesit civil ndërkombëtar nëpërmjet zëdhënësit Dren Selimi, ka mohuar se
Pieter Feith po kërkon zgjidhje për Kosovën jashtë Pakos së Ahtisaarit, në bazë të së cilës është shpallur pavarësia. “Siç e tregon edhe trasnkripti i intervistës, Përfaqësuesi civil ndërkombëtar nuk e ka përmendur shprehjen `Ahtisaari plus` e as nuk ka propozuar ndonjë model apo pako tjetër nga ajo që është në planin e Ahtisaarit. Në fakt ai ka sugjeruar se më shumë njerëz janë duke e kuptuar dhe kanë filluar të flasin rreth përfitimeve të Kosovës dhe komunave veriore nga Plani i Ahtisaarit ashtu siç është i shkruar”, deklaron zëdhënësi.
Megjithëkëtë, në intervistën e dhënë më herët, Feith, duke folur për problemet në veri, ka përmendur rajonin e Katalonisë, e cila ka një autonomi të madhe brenda territorit të Spanjës, pa e sqaruar deri në fund se çka nënkupton kjo për Kosovën. Por, qëndrimin e Feithit është munduar të sqarojë zëdhënësi i ICO-së duke mohuar se mbikëqyrësi i pavarësisë po kërkon diçka jashtë Planit të Ahtisaarit.
“Përfaqësuesi Civil Ndërkombëtar, Kataloninë e ka përmendur saktësisht si një shembull të një territori me një identitet kulturor të dallueshëm, që është plotësisht i përfshirë në një territor të një shteti modern evropian”, ka sqaruar Selimi.
Sipas tij, ICO preferon të fokusohet specifikisht në zgjidhje kosovare të zbatueshme nga populli i Kosovës në rrethanat unike të Kosovës. “Plani i Ahtisaarit mbetet baza për funksionimin e shtetit të pavarur të Kosovës, përfshirë edhe komunat veriore të saj”, ka deklaruar zëdhënësi i përfaqësuesit civil ndërkombëtar.