Ministri serb: Duhet të pengojmë qëllimet e Thaçit

“Serbia është duke zhvilluar aksion diplomatik për të penguar qëllimet e kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi që në kalimet administrative të vendosë doganierë të autoriteteve kosovare”. Kështu ka deklaruar ministri i Brendshëm serb, Ivica Daçiç, i cili theksoi se janë të brengosur se disa ende dëshirojnë të acarojnë situatën.
“Shkalla e sigurisë është e njëjtë, përkatësisht e ngritur, si deri tashti, me qëllim të ruajtjes së paqes në atë rajon”, tha ai, duke theksuar se Serbia ka të drejtë të pengojë ndezjen e sërishme të konflikteve.
Sipas tij, Thaçi ka vlerësuar se tashti është momenti ideal për të ndërmarrë disa hapa, para së gjithash për faktin se Serbia e pret kandidaturën për anëtarësim në BE. Ai ka pranuar se janë shtuar forcat serbe në kufi me Kosovën. Mirëpo, sipas ministrit të brendshëm serb, kjo nuk do të thotë se ato forca po përgatiten për luftë, sepse atje ka shumë punë për ta ndaluar kontrabandën dhe tregtinë ilegale të armëve.