Kosovë, Rexhepi nuk komenton kërcënimet për bllokadat

Një ditë pas kërcënimit të serbëve të veriut të Mitrovicës se sërish do të bllokojnë rrugët në veri, pas paralajmërimit të Qeverisë së Kosovës për dërgimin e policëve kufitarë dhe doganierëve në pikat 1 dhe 31, ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi nuk ka dashur të komentojë këtë çështje.
I kontaktuar nga mediat kosovare, për të marrë një deklaratë se si do të veprojë Policia e Kosovës ndaj bllokadave të paralajmëruara në rrugë nga e serbëve të veriut, ministri Rexhepi nuk është përgjigjur.
“S`kam kohë”, është përgjigjur shkurt ministri Rexhepi. Lidhur me kërcënimet e serbëve të veriut nuk janë prononcuar as zyrtarë tët tjerë të lartë të Qeverisë së Kosovës. Përfaqësuesit e strukturave paralele serbe në veri dje kanë paralajmëruar protesta të reja në rast se KFOR-i dhe EULEX-i pas 15 shtatorit do të mbështesin vendosjen e doganierëve dhe Policisë Kufitare të Kosovës në pikat kufitare 1 dhe 31 në veri, ndërsa lidhur me këtë kanë biseduar edhe me ministrin për Kosovën në Qeverinë e Serbisë Goran Bogdanoviç.
I ashtuquajturi shef i qarkut të Mitrovicës, Radenko Nedelkoviç, ka kërcënuar se serbët nuk do të lejojnë që në Jarinje dhe Bërnjak të vendosen doganierët e Kosovës. Kryetari paralel i komunës së Mitrovicës, Krstimir Pantiq, ka thënë se serbët do të bllokojnë të gjitha rrugët në veri nëse KFOR-i dhe misioni EULEX vihet në mbështetje të dërgimit të policëve kufitarë dhe doganierëve të Kosovës më 16 shtator në veri. Kërcënimi i serbëve të veriut për vendosjen e barrikadave vjen pak kohë pasi që serbët të shtunën kanë vendosur dhe larguar barrikadat në disa rrugë në veri, në shenjë proteste ndaj siç janë shprehur, vendosjes së kufirit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.