Hoxhaj: Vlerat na bëjnë të djathtë

Ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, i cili vjen nga PDK-ja, Enver Hoxhaj, i është përgjigjur LDK-së, duke thënë se nuk është kulturë politike të vlerësohen konventat e një partie tjetër politike.
“Së pari përcaktimi i PDK-së si parti e djathtë ka të bëjë me historikun e PDK-së në të njëjtën kohë ka të bëjë më vizionin e PDK-së si dhe me njerëzit të cilët e kanë themeluar PDK-në, të cilët kanë qenë pjesë e një lëvizje të rëndësishme politike për çlirimin dhe pavarësimin e Kosovës. Ne e dimë se në të gjitha partitë e djathta atdheu, atdhedashuria, vlerat kombëtare dhe vlerat morale janë të djathta. Së dyti programi qeverisës që ka pasur PDK-ja nga fitorja e vitit 2007 ishte i bazuar në konceptin e ekonomisë së tregut, në konceptin e modernizimit dhe të transformimit të shoqërisë. Pra, jemi bazuar në konceptet e një drejtësie shoqërore, të një dialogu social si dhe në agjendën evropiane” ka thënë Hoxhaj për gazetën “Epoka e Re”.
Ministri Hoxhaj ka thënë se realisht këto janë arsyet që PDK-ja ka vendosur të lëvizë drejt qendrës së djathtë./Indeksonline/