E Shtunë, 31 Tetor 2026

Hoxhaj merr mbështetjen e fuqishme të Danimarkës

Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj, gjatë takimit që ka zhvilluar sot me Ministrin e Punëve të Jashtme të Danimarkës, Villy Søvndal, ka marrë mbështetjen e fuqishme të Qeverisë daneze për Kosovën, me theks të veçantë në fushën e integrimeve euroatlantike.

Søvndal ka thënë se Danimarka dëshiron ta shoh Republikën e Kosovës anëtare të Bashkimit Evropian dhe se do të ndihmojë Kosovën në përmbushjen e kritereve.

Gjatë takimit, Ministri Hoxhaj, ka falënderuar homologun Søvndal për mbështetjen e Danimarkës në proceset shtetndërtuese, në fushën e zhvillimit ekonomik, agrikulturës, në fushën arsimit, energjetikes, sigurisë dhe sfera të tjera.

Ai ka njoftuar Ministrin danez për përfundimin e mbikëqyrjes ndërkombëtare të pavarësisë së Kosovës, duke theksuar se tashmë agjenda kryesore e Kosovës është avancimi i proceseve integruese.

Në këtë kontekst, Hoxhaj ka kërkuar vazhdimin e mbështetjes daneze për rrugën evropiane të Kosovës, duke filluar nga heqja e vizave për qytetarët e Kosovës deri te marrëveshja e asocim-stabilizimit.

Në anën tjetër, Ministri i Punëve të Jashtme i Danimarkës, Villy Søvndal, ka deklaruar se Kosova ka perspektivë të qartë Evropiane.

Ai ka theksuar faktin se Danimarka ka qenë ndër shtete e para që e ka njohur pavarësinë e Kosovës, duke uruar për përfundimin e pavarësisë së mbikëqyrur.

“Ne dëshirojmë të shohim Republikën e Kosovës si anëtare të plotë të Bashkimit Evropian. Ne do të ndihmojmë Kosovën në përmbushjen e kritereve si dhe në fusha tjera”, ka deklaruar Søvndal.

Ministri i Jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj, gjatë takimit po ashtu ka shprehur vullnetin e Qeverisë së Kosovës për thellimin e bashkëpunimit dhe shkëmbimeve tregtare ndërmjet dy shteteve, duke kërkuar ndihmën e Danimarkës në fushën e bujqësisë dhe arsimit.

Hoxhaj po ashtu e vlerësoi shumë të rëndësishme për Kosovën ndihmën e Danimarkës në fushën e sigurisë, e sidomos në rritjen e kapaciteteve të FSK-së dhe proceset e mëtutjeshme të bashkëpunimit me NATO-n.

Gjatë takimit, dy ministrat janë dakorduar edhe për nënshkrimin e disa marrëveshjeve bilaterale në fusha të ndryshme ndërmjet dy shteteve, të cilat do të ndikojnë në fuqizimin e raporteve ndërmjet Kosovës dhe Danimarkës.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›