Hoxhë Hasan Tahsini dijetari që ndriçoi për 50 vjet
Ibrahim D. Hoxha
Vijon nga numri i kaluar
I lënë në mes katër udhësh, në mungesë edhe të mjeteve më të domosdoshme të jetesës, ai u strehua në “Tash Medresê”(Medresêja e Gurtë), një ndërtesë e vjetër, e lënë shkretë, të cilën dikur persianët e kishin përdorur për medresê. Hoxhë Hasan Tahsini, -si “Tahsin” që ishte, duke punuar pa reshtur, me vetëmohim shembullor, ku me penel, ku me zdrukth e ku me daltë e çekan, vizatoi nëpër mure dhe gdhendi në dru e në pllaka guri lloj-lloj ngjashmërish me dukuritë e me ndodhitë e ndryshme në natyrë. Prej sendesh rrethanore përgatiti gjithfarë mjetesh të domosdoshme për ushtrimin e veprimtarisë shkencore. Mehdi Frashëri shkruan: “Me ditë të tëra merrej me vizorin për të vënë në vend një mjet fizike a kimìe”. Shemsuddin - Sami Frashëri në “Haftà” (nr. 5.6, viti 1881 ) për të shkruan: “Muret, tavanin dhe pllakat e oborrit i kishte veshur (mbuluar) me gërvishtje dhe vizatime fizike, histori natyre, gjeologjie, kozmografie, yjësie. Përballë shtratit ku flinte, kishte vendosur një makinë elektrike, mbi krye një tej-këqyrëse, tek këmbët një mikroskop...Kujtohej për të ngrënë vetëm kur e gërryente uria” të cilën “shpesh e shuante me bukë e djathë”, sepse sa herë “që në dorë i binte ndonjë para, e prishte për të blerë libra”. Dërrmohej aq shumë së punuari sa “jo rrallë, e zinte gjumi me libër në dorë”. Me punë të palodhshme, të pandërprerë dhe me dituri të thella, atë ndërtesë të vjetër ai, - thotë Sami Frashëri, e shndërroi në “në një pasqyrë rruzullimi të zvogëluar”. Në të ai ngriti dhe drejtoi “Xhemijet-i Ilmijje-i Arnavudijjê”, - në, të cilën njëkohësisht e përdori edhe për “Dâr ul-Funùn”. Në to u pajisën me dije të larta shkencore, jo vetëm Rilindasit tanë kryesorë, por edhe plot e plot prej kombesh e kombësish të ndryshme. Profesori filozof, Riza Tufiku shkruan: “I ndjeri hoxhë Tahsini ishte mësuesi i shumë njerëzve të mëdhenj, ndër ta edhe i vjershëtarit gjenial, Abdul-hak Hamidi...Pati veti të tilla që e shtynin t’u bënte mirë të tjerëve; ndërgjegjja e tij ishte çerdhe dhembshurie!.
Po atje, ai shkroi një varg veprash shkencore mbi gjithësinë, psikologjinë, biologjinë, pedagogjinë etj. Abdurrahman Sheref Beu në veprën e vet vëren se hoxhë Tahsini bëri të vetin parimin filozofik më thelbësor të kohës, të shpikur nga gjermanët dhe që në vijim u përhap aq shumë: “Në natyrë, as krijohet gjësendi, e as nuk zhduket, po vetëm shndërrohet nga një formë lëndore në tjetrën”.¹. Prof. i filozofisë dhe kryetar i Mexhlisit (Kuvendit) II Osman, Riza Tuvfiku prej Dibre, - në vjetarin 1911, shkruan: “I ndjeri Hoxhë Tahsini është i pari që pranoi dhe përhapi mendimet e reja filozofike”. Ai tregon edhe se pak para 1840-s shkencëtari dhe juristi anglez Grove botoi një vepër me rëndësi mbi ngjashmërinë e fuqive të natyrës; kjo u përkthye frëngjisht: “Unité des phorces phisiques”. Kjo vepër anëve ishte e mbushur me shënime nga i ndjeri hoxhë Tahsini, gjë që tregon se ai “ishte i së njëjtës idé”, d.m.th. se “pranonte që në botë, –madje edhe fuqitë vegjetale organike, - në zanafillë, burim kanë diellin dhe tërë përbërësit organikë, duke filluar nga një fletë më e vogël gjethi e deri tek qelizat që formojnë trurin e njeriut; me një fjalë, tërë përbërësit organikë janë depo të një energjie potenciale që në vetvete ka grumbulluar dritën e diellit –si të thuash- në të njëjtin volum. Këtë princip të madh, – që është baza e filozofisë së natyrës dhe e të gjitha shkencave filozofike, - e shtjellon çiltazi në traktatin “Kozmografia”. Pranimi dhe shtjellimi i zbulimit të Grovit, - të pranuara edhe nga Robert Mejeri, Lavuazieri, Ë. Hershelli, etj., - është një argument që vërteton zgjuarsinë e vet natyrore dhe përsosmërinë e stërvitjes së tij shkencore. Të vërtetën shkencore që ai pranoi dhe përhapi në kohën e tij nuk e kuptoi kurrkush; madje as sot nuk gjendet kush që ta shkoqisë e ta tjerrë në universitet...Të ndjerin hoxhë Tahsini e pranojmë me principin e “Ruajtjes së energjisë”, ndjekësin e udhëheqësve të mendimit, filozofëve të mëdhenj Kant, Kont, Mill, Spenser etj....Tabela e gurtë në ballë të qoshes së shkollës, - e cila tregon mesditësin e diellit dhe cakton kohën, - është vepër e tij....”. Megjithatë “i ndjeri Hoxhë Tahsini, – vijon ai, - nuk u pëlqye, përveç se prej disa të mëdhenjve”. Ismail - Haki efendi Bereqet - Zade, shkruan: “Kënaqësitë e kësaj bote ai ia kishte flijuar filozofisë, dashurisë për dituri. Mendja e tij u qe kushtuar çështjeve të larta shkencore. Ai ishte kredhur në kërkimin e fshehtësisë së krijimit. Ishte një filozof që njihte të vërtetën, kishte zëmër të ndjeshme e të dëlirë; sjellja dhe qëndrimi i tij ishin plot hijeshi, fjalët të ngrohta e të matura. Nganjëherë zhytej aq thellë në mendime, sa nuk mund të përshkruhet; por edhe në këto raste ai kishte një ëmbëlsi e dukej edhe më madhështor. Unë kam përfituar shumë nga profesori i dëgjuar shqiptar, Tahsin Efendiu”.
Shemsedin Sami Frashëri shkruan: “Tahsin Efendiu në lëmin e fizikës, matematikës, astronomisë, kimisë e kozmografisë ishte aq i ditur e i regjur, saqë kur fliste për çdo çështje që u përkiste këtyre lëndëve, asnjëherë nuk kishte nevojë të shihte librin. Ishte shumë i aftë për të shkoqur në mënyrë të përsosur ato që dinte. Çdo gjë që fliste, gjithmonë e lidhte me praktikën...përpiqej me mish e me shpirt për të përhapur diturinë dhe për të dëbuar errësirën. Qe gjithmonë i gatshëm për t’i treguar kujtdo që kërkonte të dinte të fshehtat e shkencës dhe mundohej me çdo mënyrë që t’ia bënte të kuptueshme sa më mirë. Kur e pyeste kush për një çështje shkencore, gëzohej shumë dhe mundohej me orë të tëra për t’ia shkoqitur; jeta e këtij njeriu s’është gjë tjetër, veç një mësim që vijoi 50 vjet...Ndër ne, gjenden dijetarë në fushat e dijeve të lashta dhe në ato të reja, po janë shumë të pakët ata që i zotërojnë të dyja së bashku. Hoxhë Tahsini është në krye të këtyre dijetarëve të rrallë....Ishte më i larti ndër të lartët...Ishte një nga ata njerëz të mëdhenj që qindvjeçarët dhe kohët i nxjerrin rrallë e me vështirësi të madhe. Titulli dijetar në vendin tonë (sulltanatin osman, shtet në tre kontinente, - I. D.H.) i takon vetëm atij e askujt tjetër”. Duke bërë fjalë për ballafaqimin e Tahsinit me filozofin gjerman, Paul Gronfel, i ndjeri Sh-S. Frashëri shkruan: “Gjermani e çonte filozofinë në shkallën e sofizmës dhe ngulmonte se koha është një trup i lehtë, i butë si drita dhe si të nxehtit. Këtë mendim hoxhë Tahsini s’ia pranoi dhe, duke u mbështetur në norma fizike, kimike, astronomike e kozmografike dhe duke shpikur një filozofi në bazë të këtyre normave, i dha të kuptojë se ç’është koha, përsosmëria dhe përhershmëria e saj...E shoshiti çështjen në mënyrë aq bindëse, saqë gjermani po zvogëlohej kundrejt tij. Nuk e kisha dëgjuar ndonjëherë të fliste aq bukur frëngjisht; në sytë e tij shkëlqente një dritë, në zërin e tij një tingullim dhe në gjuhën e tij rrëshqisnin lehtësisht fjalët. Kundërshtari i tij, gjermani, u ngrit e i shtrëngoi dorën; dukej sikur i kishin rënë armët nga duart”. Jonuz Tafili, në njërin nga përkthimet e veta të botuar në fletoren “Drita”, vëren: “Në Bejogllù kishte qendrën elita intelektuale e Stambollit, e përbërë nga dijetarë të degëve të ndryshme të dijës: fizikantë, biokimistë, matematicienë, historianë, letrarë, drejtësi-ushtrues etj. Boshtin e tërë kësaj elite të shquar e përbënte Tahsini; ai ishte një yll që për pesëdhjetë vjet rresht ndriçoi xixëllueshëm rreth vetes”. Sh-S. Frashëri shkruan: Jetëshkrimi i hoxhë Tahsinit është i shkurtër dhe i thjeshtë; një bindje e plotë e parimit: Kërkojeni diturinë që nga djepi e gjer në varr! Mësimin që e kishte filluar duke thënë “a”, e mbaroi me daljen e frymës. Atë e shlodhte vetëm mësimi; libri nuk i binte nga dora. Shtrati ku flinte, vendi ku rrinte, ishin të mbushur me libra; këndimin e linte përkohësisht vetëm për të mësuar të tjerët. Nga bashkëfjalimi nuk tërhiqej; fjalët e tij ishin një mësim dhe një punim shkencor. Donte dy gjëra: të vërtetën dhe njerëzinë. Kohën, jetën dhe mendjen i përdori vetëm e vetëm për këto dy të dashura!...Kishte zotësi të madhe në teologji, kodet juridike, tefsîr (shtjellim i kuranit) dhe në traditën e shenjtë profetike...Ideja e bashkimit islam së pari lindi në mendjen e tij dhe, si një ëndërr e ëmbël ia përkëdhelte idetë e veta. Ishte shumë i zoti në letërsinë arabe, osmane e persiane. Shkruante vjersha e mbishkrime datore me shumë kuptim. Shumë i zoti ishte edhe në prozë me stil të lartë. Naim Frashëri për të endi edhe këta vargje: “...O ti mbret, o shumë i larti kryetar!/ Nga e dlirta fryma jote unë marr/ të Edenit erën, hirin paraisôr,/ O Hasan-Tahsin, o trëndafil qiellor!....”. Diplomati i shquar dhe dramaturgu i rrallë, Abdulhak Hamidi për hoxhë Tahsinin tjerr edhe këta vargje: “Ja, edhe hoxhë Hasan-Tahsin efendiu paska shkuar,/ një përsosmërì paska mbaruar e qënka zhdukur./......Nën kupën qiellore ishte i vetmi plot qëndresë./....Kishte aq shumë dituri për gjithësinë,/ sa që jetonte në qiell e jo në tokë/ edhe në hapësirë kërkonte të vërtetën;/kujdejset (shqetësimet) e tij nuk ishin vetëm për në tokë,/ të njohurat e veta më të mëdha ishin grimcat,/ farë e fisi më i afërt i tij ishin trupat (yjet) rrotullues./ Zotëria e tij nuk dashuronte vetëm hapësirën,/ po përgjërohej edhe për bashkësinë(njerëzinë) në tokë./...Gjuhë të shumta zotëronte,/ ishte zbukuruesi i kuvendeve me moral të lartë,/ ishte vëzhgues i botës (gjithësisë) e shkencëtar shumë i ditur,/ ishte mbrujtur prej palcës së vet asaj,/ ishte thesari i njohurive shkencore,/ ndoshta një botë e tërë dijesh....”.(Përkthyer nga të ndjerët Mykerem Janina, Dr. Vasfi Samimi dhe Haki Sharofi). Ndërsa i ndjeri Ferid Vokopola disa vargje i shqipëron kështu: “...Aq gjuhë ky njeri i dinte ujë,/ kuvendzbukurues, dritë ndër vetije,/ një astronom e shkencëtar me bujë,/ thesar kulture, minë njohurie,/ më mirë thuaj: një botë e tërë diturie./ Ishte filozof, vjershëtar e letrar me vlerë;/ e pyesje, të përgjigjej menjëherë...». Atdhetari i vetë-mërguar në SHBA, “Skrivani”, në vjershën e vet të botuar në Ëorcester më 1918 për Tahsinin end edhe këto vargje: «....Filosof Hasan-Tahsini,/ nga Çamëria, ki burrë,/nuk vjen më në botë kurrë!/ Me filosofin’ e tija,/ u çudit gjithë Turqìa!”.
Tërë sa u vunë në dukje dhe shumë të dhëna të tjera kishin krijuar një mjedis të tillë, sa hoxhë Hasan Tahsinin ta quanin «Byjyk Kafà» (Koka e Madhe) apo «Hamule-i Kafà» (Koka Bàrrë, Koka e Plotë).
29 Qershor 2010