E Diel, 1 Nëntor 2026

Korça i jep lamtumirën aktorit Perika Gjezi



Ka qenë i papritur dhe tragjik lajmi për humbjen e parakohshme të aktorit të shquar të skenës shqiptare, Perika Gjezi. Sipas njoftimit të policisë makina tip golf e aktorit është përplasur me një makinë tjetër dhe si pasojë humbi jetën drejtuesi i mjetit golf, aktori i mirënjohur Perika Gjezi. Perika Gjezi u lind në Korçë në vitin 1949. I pasionuar që në fëmijëri pas teatrit, u angazhua në aktivitetet shkollore si dhe në lëvizjen amatore. U përgatit nga aktorët e teatrit të qytetit të tij për të konkursin për degën e dramës. Fiton të drejtën dhe diplomohet për aktor në fillim të viteve 70-të, pikërisht në vitin 1973. U emërua aktor në teatrin “Andon Zako Çajupi”, në vendlindje. Ishte aktor i brezit të dytë, së bashku me shumë tjerë të talentuar që e ngritën më lart autoritetin dhe famën e këtij teatri. Duke u ndërthurur përvoja e aktorëve të shquar, themelues me të rinjtë e talentuar të viteve 70-të, ky teatër fitoi një emër të denjë konkurrues përballë teatrove të tjera, gjë që u pa më së miri në konkurrimet kombëtare. Ky teatër ishte edhe një bazë e mirë për filmin shqiptar dhe si i tillë edhe Perika Gjezi gjeti veten më së miri në këtë art të bukur. Fillimisht, ishte regjisori Piro Milkani që e angazhoi në rolin e komisarit, në filmin “Shtigje lufte”. Ishte viti 1974 dhe Perika ishte vetëm 25 vjeç. Ky rol i bukur mbahet mend mirë nga spektatori dhe i hapi udhën edhe për një dyzinë filmash të tjerë. Ishte një aktor me të dhëna të shkëlqyera, sidomos përballë kameras. Në rolet e tij në ekran ka krijuar figura të arrira në filmat “Tokë e përgjakur”, “Përballimi”, “Nga mesi i errësirës”, “Balonat”, “Asgjë nuk harrohet”, “Rikonstruksioni” etj. Në 20 vjet, në vitet 70-80, falë ekranit dhe magjisë së artit të shtatë, Perika u bë i njohur anembanë vendit, ndërkohë që ka qenë një ndër figurat qendrore të teatrit të Korçës. Në këtë teatër Perika interpretoi rreth 80 role, madje edhe në vitet 2000, duke qenë në disa premiera edhe regjisor i disa pjesëve. Humbja e parakohshme e artistit është një humbje e madhe për familjen, kolegët, miqtë , për teatrin “Andon Zako Çajupi”, për artin tonë.

29 Qershor 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›