Ministria e Transportit përzgjedh 1183 kolaudues
Laureta Rryçi
Mes shumë kandidatëve, Ministria e Transportit ka përzgjedhur 1183 individë dhe 118 shoqëri në të gjithë vendin. Këta persona kanë marrë licenca si individ dhe si shoqëri duke ushtruar profesionin e tyre si kolaudues në qytete të ndryshme. Lista është përpiluar nga specialistët e kësaj ministrie vetëm pak ditë më parë. Pas shpërndarjes së këtyre licencave, këta persona mund të kontraktohen nga firmat e ndërtimit. Relacioni i kolauduesve është shumë i rëndësishëm për shkak se verifikon se sa është zbatuar projekti për të cilin është marrë paraprakisht leja e ndërtimit. Në listën e publikuar nga Ministria e Transportet përveç gjeneraliteteve ka publikuar edhe qytet ku janë këta kolaudues dhe disa të dhëna të tjera që e bëjnë të besueshme licencën e tyre. Burime pranë kësaj Ministrie shpjeguan se kjo listë ndryshohet herë pas here për shkak të kontrolleve që bëhen në objektet e reja që janë ndërtuar deri më tani. Relacioni i përpiluar nga kolauduesi i jep ose ia merr licencën atij për shkak të pasojave të rënda që mund të sjellë një relacion jo i saktë. Sipas legjislacionit në fuqi, kolauduesi thërritet në momentin që objekti ka mbaruar së ndërtuari. Kolauduesi ka për detyrë që të verifikojë deri në detaj zbatueshmërinë e projektit fillestar me anë të cilit është marrë leja e ndërtimit. Po sipas ligjit, nëse projekti në zbatim ka pësuar ndryshime ato duhet të pasqyrohen të detajuara bashkë me argumentimet e ndërtuesit në relacionin që përfshihen në dosjen për aplikim për leje shfrytëzimi. Nëse relacioni qëndron dhe është pozitiv për objektin atëherë ndërtuesi mund të fillojë shitjen e ndërtesës. Qytetarët kur të hartojnë kontratën e shit-blerjes për apartamentin duhet të kërkojnë edhe relacionin e kolauduesit për të mësuar nëse objekti është i banueshëm ose jo.
29 Qershor 2010