Samiti i G20-s në Toronto, arrihet marrëveshje për uljen e huave
Ulja e huave në vendet e industrializuara ishte gjithçka që mundi të arrihej në samitin e G20-ës në Toronto të Kanadasë.
Në prag të këtij samiti ishte ndezur një debat midis Gjermanisë dhe SHBA-ve në lidhje me rrugën që duhet ndjekur për të dalë nga kriza, me hua të tjera apo me një politikë inteligjente kursimi. Ajo që mundi të arrihej ishte marrëveshja për rritje ekonomike nëpërmjet uljes së huave, formulë kjo u pranua edhe nga presidenti amerikan, Barack Obama. Marrëveshja e tetë shteteve më të industrializuara për të përgjysmuar deri në 2013-ën deficitet e tyre nuk është e detyrueshme nga pikëpamja ligjore dhe secili vend është i lirë të vendosë se si do ta arrijë reduktimin e borxheve, por me sa duket me shembullin paralajmërues të Greqisë evropianët kishin argumentet më të mira. Prandaj kancelarja gjermane u nis e kënaqur drejt atdheut. “Afati për të përgjysmuar deri në 2013-ën deficitet është një strategji shumë e qartë daljeje. Ne largohemi prej programeve konjunkturore, gjatë të cilave kemi bërë më shumë borxhe, dhe si vende të industrializuara përgjysmojmë deri në 2013-ën huatë tona. Kjo është shumë ambicioze, dhe ta them hapur është më shumë se ç'prisja, sepse është shumë specifike. Dhe fakti që kjo pranohet nga vendet e industrializuara përbën për mendimin tim një sukses”. Angela Merkel nuk pati sukses me orvatjen e saj për të futur një takse mbarëbotërore për transaksionet financiare. Kjo ndeshi në qëndresën e fortë për shembull të Kanadasë, që nuk i shpëtoi bankat e saj me miliarda nga taksat. Por edhe të vendeve në ekspansion ekonomik, si Brazili. Më e suksesshme duket ideja e një tatimi për bankat, e cila u mbështet për shembull nga presidenti amerikan Obama dhe kryeministri britanik Dejvid Kameron. Por njëherë për njëherë europianët do të përpiqen të fusin një taksë për tregjet financiare brenda BE-së ose së paku brenda eurozonës. Organizatat joqeveritare (OJQ) janë shumë të zhgënjyera pas samiteve në Huntsville dhe Toronto. Për herë të parë në dokumentin përfundimtar nuk përmenden premtimet e takimit të Gleneagles-it para pesë vjetësh që ndihma për zhvillimin të rritet deri në 2010-ën me 50 miliardë euro. Për këtë arsye organizatat e ndihmave nuk kanë besim as ndaj nismës së re të miratuar këtu për të luftuar në mënyrë efikase me rreth tetë miliardë dollarë vdekshmërinë e nënave dhe të fëmijëve.
Serbi
Katër kroatë akuzohen për krime lufte
Serbia ka ngritur ndaj katër serbëve të Kroacisë, ish-policë, akuzat për përfshirje në krime lufte. Ata akuzohen për vrasjen e pesë civilëve gjatë luftës në Kroaci rreth dy dekada më parë.
Prokuroria serbe për krime lufte përmes një deklarate njofton se Çedo Budisavljeviç, Mirko Malinoviç, Milan Bogunoviç dhe Bogdan Grujiçiç akuzohen për torturimin dhe vrasjen e pesë anëtarëve të një familje kroate, në jugperëndim të Kroacisë në vitin 1991.
Prokuroria ka kërkuar që të akuzuarit të qëndrojnë në paraburgim deri në fillimin e gjykimit.
SHBA
Xhejms Xhefri caktohet ambasadori i ri në Irak
Presidenti amerikan, Barak Obama ka caktuar Xhejms Xhefrin ambasadorin e ri në Irak. Ish-përfaqësuesi diplomatik i Uashingtonit në Shqipëri para disa vitesh, zëvendësoi në detyrën e tij Kristofer Hill. Presidenti Obama u shpreh se ishte nder që njerëz me përvojë pranojnë që të shërbejnë në administriatën e SHBA-ve, për të arritur sfidat më emergjente të kombit. Xhefri ka punuar si ambasador në Ankara dhe ka qenë këshilltar dhe asistent në administratën Bush. Nga viti 2002 deri në 2004 ai ka qenë në Tiranë. Xhefri ka shërbyer edhe në Gjermani dhe në Vietnam.
Iran
Ahmadinexhad pranon bisedime, vetëm pas dy muajsh
Presidenti i Iranit, Mahmud Ahmadinejad ka bërë të ditur në Teheran se ka ndër mend të rikthehet në tavolinën e bisedimeve lidhur me programin bërthamor, por vetëm pas dy muajsh. Në konferencën për shtyp ka kritikuar sanksionet e Këshillit të Sigurimit ndaj vendit të tij, pas një deklarate të disa javëve më parë se Irani kishte rënë dakord me Turqinë dhe Brazilin për shkëmbimin e uraniumit të pasuruar. Ahmadinexhad paralajmërimet i konsideron kërcënime dhe ky nuk është një akt moral i vlefshëm.
Kore e Veriut
Kërcënon Korenë e Jugut me ndërhyrje ushtarake
Koreja e Veriut ka kërcënuar Korenë e Jugut dhe SHBA-të me ndërhyrje ushtarake. Agjencia shtetërore e lajmeve “KCNA”, bën të ditur se qeveria komuniste në Penian i ka kritikuar këto dy shtete për stacionimin e armëve të rënda në vendin mes dy Koreve Panmunjom. Koreja e Veriut akuzohet për fundosjen në mars të një anije koreanojugore me 46 marinarë në bord. Peniani ka hedhur poshtë akuzat dhe ka kërcënuar me ndërhyrje ushtarake, në qoftë se denohet prej Këshillit të Sigurimit të OKB-së.
29 Qershor 2010