Pronarët të pakënaqur nga procesi i privatizimeve të objekteve shtetërore
Privatizimi i aseteve publike duket se nuk do të kënaqë pronarët, të cilët prej vitesh presin ose të kompensohen, ose të përfitojnë ndonjë pronë fizikisht. Me gjithë deklarimet zyrtare se, “pronarët do të jenë pjesë e privatizimeve që do të bëjë qeveria”, sërish ata janë të pakënaqur. Gjithashtu, ata kundërshtojnë qëndrimin e Ministrisë së Ekonomisë dhe deklarojnë se, e drejta e parablerjes në shumë raste të privatizimit nuk ekziston. Sipas tyre, në privatizimet e shoqërive aksionere zotëruesit e trojeve jo vetëm që nuk kanë përfituar por përkundrazi po dëmtohen. "Ajo që tha ministri dhe që më tërhoqi vëmendjen është që pronarët kanë të drejtën e parablerjes. Unë dua t’i them ministrit që ndoshta nuk është informuar mirë, sepse nuk është e vërtetë kjo. Të drejtën e parablerjes pronarët e kanë vetëm për objektet e ish ndërmarrjeve, që nuk janë transformuar në shoqëri. Ndërsa në shoqëri ka një skemë komplet tjetër të privatizimit ku pronarët nuk kanë të drejtën e parablerjes dhe e drejta e parablerjes nuk ekziston",- thotë Myrshit Vorpsi, sekretar i Shoqatës "Pronësi me Drejtësi". Duke iu referuar listës me rreth 2000 objekte të shpallura për privatizim, ku pronarët kanë të drejtën e parablerjes, përsëri ish-pronarët kanë qëndrime kundërshtuese dhe shprehin rezerva. "E drejta e parablerjes është vetëm për një listë, që është akoma aty në ministri, ka dhjetë vjet që është po ajo listë dhe që nuk ndryshon asnjë gjë, sepse janë objekte që nuk i duhen kërkujt",- vijon Vorpsi.
“Media dhe Integrimi Evropian i Shqipërisë”, një konkurs për gazetarët
Instituti i Studimeve Ndërkombëtare në Tiranë, në zbatim të projektit të financuar nga Delegacioni i Komisionit Evropian në Tirane lidhur me fuqizimin e rolit të medias në monitorimin e Procesit të Stabilizim-Asociimit në Shqipëri, do të zhvillojë një konkurs midis gazetarëve për shkrimet që lidhen me kuptimin, zbatimin dhe efektet e MSA-së në sektorët e ndryshëm të vendit tonë. Pranimi i shkrimeve të ndryshme për këtë çështje është i vlefshëm deri në fund të muajit qershor 2010. Konkursi është i hapur jo vetëm për gazetarët që kanë ndjekur sesionet e trajnimeve, por edhe për gazetarët e tjerë apo analistët e ndryshëm të shtypit shqiptar. Disa nga temat që mund të trajtohen janë: “Ndikimi i hyrjes në fuqi i MSA-së në sektorin e bujqësisë dhe peshkimit”, “Efektet e zbatimit të Marrëveshjes së Përkohshme, deri tani”, “Kostot dhe përfitimet nga zbatimi i marrëveshjeve të tregtisë së lirë në rajon”, “Angazhimi i Shqipërisë në heqjen e pengesave jo tarifore në tregti”, etj., si dhe tema që lidhen në thelb me integrimin europian të vendit tonë. ISN-ja i fton të gjithë gazetarët që do të marrin pjesë në këtë konkurs t’i botojnë shkrimet e tyre në një nga organet e shtypit të shkruar dhe një kopje të tyre elektronike ta dërgojnë në adresën e ISN-së, aiis@aiis-albania.org, me shënimin përkatës "për konkursin", si edhe një kopje të printuar të gazetës ku është botuar shkrimi. Ky projekt financohet nga Delegacioni i Bashkimit Evropian në Tiranë.
Fasonët: Liberalizimi i vizave do të ndihmojë industrinë vendase
Tregtinë me Italinë dhe barrierat doganore dhe rregullatore i ndjen më së shumti sektori i prodhuesve të veshjeve, i cili operon me lëndë të parë që vjen nga Italia, e që më pas rishitet sërish në vendin fqinj. Aktualisht në vit Ministria shqiptare e Transportit shpërndan 5 mijë leje udhëtimi për në Itali. Sipas fasonëve, liberalizimi i lejeve të transportit është një hap pozitiv drejt zhvillimit të tregtisë së lirë, megjithëse ky sektor has dhe shqetësime të tjera në raport me taksat. “Taksa e peshës paguhet sipas distancës që përshkon kamioni në territorin italian, përkatësisht 6 dhe 9.3 euro për çdo ton ngarkesë, ndërsa taksa e qarkullimit paguhet për 120 ditë, pavarësisht se kamioni qëndron jo më shumë se 6-7 ditë. Këto janë taksa që Italia i ka vendosur për shqiptarët që para viteve 1990”, deklaron Dhoma e Prodhuesve të Veshjeve. Aktualisht, sipas fasonëve, këto taksa në Itali, përveç shoferëve shqiptarë, i paguajnë shtete si Iraku, Libani, Siria. Gjithë shtetet e tjera, ose nuk i paguajnë fare këto taksa, ose i kanë në nivele minimale.
29 Qershor 2010