Kosova nuk anëtarësohet në Këshillin e Europës
Kosova nuk ka arritur të anëtarësohet në Këshillin e Europës, edhe pse ajo ka shpallur pavarësinë nga Serbia më 18 shkurt të vitit 2008. Deklarata erdhi nga presidenti i Asamblesë Parlamentare të organizatës paneuropiane, Mevlut Chavushoglu në një intervistë të dhënë për të përditshmen beogradase, “Vecernje Novosti”. Chavoshoglu është shprehur se mungesa e konsensusit në këtë organizëm është pasojë e mosnjohjes së Kosovës si shtet i pavarur nga të gjithë shtetet anëtare të Këshillit të Europës.
Chavoshoglu ka shtuar se përpos problemit të mosnjohjes së Kosovës, situata në këtë vend nuk është shumë premtuese. Mes shqetësimit të nivelit të lartë të varfërisë, një tjetër shqetësim është ai i refugjatëve, personave të zhdukur, aktiviteteve të paligjshme siç është trafiku i qënieve njerëzore etj. Sipas tij, do te ishte i mirëpritur fillimi i dialogut mes Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës dhe politikanëve kosovarë dhe atyre serbe, sepse sipas tij, mungesa e dialogut në Ballkanin Perëndimor është një nga problemet kryesore të këtij rajoni, edhe pse sipas tij, Serbia ka një rol pozitiv në Ballkan.
Kosova që ende nuk është bërë anëtare e Kombeve të Bashkuara, një vit më parë u anëtarësua në Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe në Bankën Botërore.
29 Qershor 2010