Punësimet me ndikime politike

Në sistemin shëndetësor po vijnë në shprehje njerëzit, të cilët nuk kanë aftësi menaxhuese, por që janë të emëruar nga ndikimet politike, apo eprorët. “Kjo po ndikon keq edhe në menaxhimin e institucioneve shëndetësore”, ka thënë dr. Blerim Syla, nga Federata Sindikale e Shëndetësisë së Kosovës.
Ndërhyrjet e politikës në punësimin e punëtorëve në sistemin shëndetësor, qoftë nga partitë politike, apo edhe nga eprorët, duket se po rezultojnë që ta kemi një sistem jo të mirë shëndetësor tash e sa vite, i cili jo radhë herë po reflekton edhe me shërbime shëndetësore jo të kënaqshme, ka thënë për gazetën “Kosova Sot” dr. Blerim Syla, kryetar i Federatës Sindikale të Shëndetësisë.
Ai ka njoftuar se në raportin e dytë të realizuar nga FSSHK-ja “Ngritja e kualitetit të shërbimeve shëndetësore nëpërmjet transparencës dhe llogaridhënies publike”, të anketuarit në qendra të ndryshme të Kosovës flasin se sistemi shëndetësor është i ngarkuar nga punësimet e ndikuara me ndërhyrje politike nga partitë politike, apo edhe nga menaxhmenti gjatë intervistimit për punë dhe përzgjedhjen e kandidatëve./Indeksonline/