E Shtunë, 31 Tetor 2026

Hoze Murinjo ironizon me Avram Grant: Humbësit e shohin si sezon të suksesshëm

Ish-trajneri i Çelsit, Hoze Murinjo, e ka përshkruar sezonin e Çelsit si "shumë të keq", duke thënë se ecuria e skuadrës mund të cilësohej e mirë vetëm nga një person që kishte mentalitet humbësi. Murinjo, i cili u largua nga londinezët në shtator, i bëri këto komente në ditën kur pasardhësi i tij, Avram Grant, u pushua nga puna, vetëm 8 muaj pasi zëvendësoi portugezin në stolin e skuadrës. Në një intervistë për "The Observer", Murinjo iu kundërvu Grant, i cili e kishte vlerësuar si të suksesshëm sezonin që sapo u mbyll. "Pikëpamja varet nga filozofia e drejtimit. Sipas këndvështrimit tim, ky ishte një sezon i keq, pasi në futboll "thuajse" do të thotë humbje dhe Çelsi thuajse fitoi Kupën Karling, thuajse fitoi Ligën e Kampioneve dhe thuajse fitoi kampionatin anglez. Por thuajse do të thotë asgjë. Pas dy trofeve në sezon gjatë tre viteve të fundit, në këtë sezon erdhën zero trofe, e cila në këndvështrimin tim do të thotë një sezon shumë i keq. Ndoshta në mentalitetin e një humbësi ky ishte një sezon shumë i mirë, mendim të cilin duhet ta respektoj", ishte thumbimi i drejtpërdrejtë i Murinjos ndaj Grant.

Trajneri portugez e pranoi se ishte shumë i mërzitur, pasi Çelsi humbi në finalen e Ligës së Kampioneve përballë Mançester Junajtid, duke shtuar se tifozët, lojtarët dhe drejtuesit meritonin më shumë. "Jam shumë i mërzitur për atë që ndodhi. Në dy vitet e fundit, kjo skuadër humbi një finale të Ligës së Kampioneve dhe një gjysmëfinale të Ligës së Kampioneve vetëm falë penalltive. Tifozët meritojnë më shumë, lojtarët dhe shumë njerëz të tjerë meritojnë të jenë të lumtur, unë vazhdoj të mendoj për lojtarët si për djemtë e mi. Unë besoj se pas një sezoni pa trofe, suksesi do të rikthehet te Çelsi dhe unë do të mbetem gjithmonë një tifoz i kësaj skuadre", u shpreh trajneri, për të cilin flitet se mund të kthehet përsëri në drejtimin e skuadrës londineze. Megjithatë, ai duket se ka filluar kontaktet me Interin, ku pritet të zëvendësojë Roberto Mançinin.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›