Berat, Ditra e Verës ndërthuret me karnavalet
Festa e Ditës së Verës, e cila simbolizon ndryshimin mes stinëve, asaj të dimrit të acartë dhe pranverës së luleve, ka nisur që nëmëngjes edhe në Berat. Në këtë festë pagane dhe tradicionale për qytetin e Beratit, mijëra banorë të qytetit muze kanë festuar në sheshin qendror edhe karnavalet e organizuara në këtë ditë. Karnavalet në këtë qytet tashëm janë bërë ritual.
Festa ka filluar që herët ne mëngjes me grupet e fëmijëve të lagjeve dhe të shkollave 9- vjeçare të këtij qyteti. Grupe të fëmijëve, të veshur si në ditën e karnavaleve duke improvizuar djallin janë shfaqur me maska të ndryshme në simbol të festës të Ditës së Verës. Grupe të ndryshme fëmijësh të kopshteve, shkollave 9- vjeçare dhe të mesme me maskat e tyre kanë përshkuar të gjitha rrugët që të çojnë në sheshin qendror të qytetit, duke kryer xhestet e humorit, nga ana tjetër është shfaqur një makinë, e cila në karrocerinë e saj kishte portretin e djallit para së cilën udhëtonte një pajton me nuse që simbolizon ditën e festës. Festa e organizuar nga bashkia dhe Qendra Kulturore e Fëmijëve ka vijuar me paradën e karnavaleve dhe më pas koncertin festiv dhe konkurrues. Për konkursin janë ndarë dhe çmime për kopshtin dhe shkollën më të mirë në interpretim. Festën e luleve, banorët e kanë festuar edhe në lokalet dhe në kodrat e qytetit si dhe në pikat turistike jashtë tij. Ndërsa në këtë ditë nuk kanë munguar edhe vizitat në familje. Në ditën e karnavaleve, bashkia ka sponsorizuar 300 mijë lekë të rinj, të cilat janë përdorur për organizimin dhe për çmimet e ndara.