E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Huliganizmi, dramë italiane”

Lajmi i vrasjes së tifozit të Lacios, Gabriele Sandri, ishte në faqet e para të gazetave më të mëdha europiane, nga Franca në Angli. "Huliganizmi, drama italiane", ishte titulli i të përditshmes franceze "L'Equipe", ndërkohë që "Liberation" shkruan: "Futbolli sërish në zi". Në Gjermani, "Die Welt" titullon shkrimin e saj: "Një polic vret një tifoz të Lacios". Në Angli shkojnë edhe më tej, teksa kujtojnë edhe dhunën e policisë italiane ndaj tifozëve të Mancester Junaitid në "Olimpiko". Hetimet në Itali kanë nxjerrë në dritë zhvillime të reja rreth vrasjes së tifozit.
PLUMBI ENIGMË - Sipas kuestorit të Arezos, kanë qenë dy plumba që kanë qëlluar mbi Sandrin. "Por një prej tyre është qëlluar nga një largësi e afërt, nga një lartësi e trupit të njeriut", - thotë kuestori Vincenco Xhiakobe. Plumbi i parë që goditi Gabrielen ishte i punonjësit të policisë, ndërkohë që po kërkohet edhe gëzhoja e dytë e zhdukur.
40 TË PLAGOSUR - Mediat italiane dhanë edhe të dhënat e para pas grindjeve të policisë dhe ultrasve të Romës: 40 agjentë të policisë iu nënshtruan marrjes së ndihmës mjekësore. Sipas të dhënave të policisë, të dëmtuarit mund të kthehen në gjendjen e mëparshme pas tri deri tetë ditëve, vetëm një funksionari mund t'i duhen 20 ditë për të rifituar shëndetin. Midis të arrestuarve nga ana e ultrasve ishin dy djem dhe një vajzë.
JO PEZULLIMIT - "Është ende shpejt për të thënë se kampionati duhet pezulluar", - kështu mendon presidenti i Federatës Italiane të Futbollit, Xhankarlo Abete, pas tragjedisë së ditës së diel. Probleme me organizatat e tifozëve pati në Bergamo, Firence, Siena, Rexhio Kalabria dhe në 41 qytetet ku u luajtën ndeshjet e Serisë C1 italiane.
SHQETËSIMI - "Jam shumë i shqetësuar për incidentet e djeshme (të ditës së diel)", - është shprehur presidenti italian Napolitano nga Katari ku ndodhet për një vizitë zyrtare. "U informova nga ministri i Brendshëm. Imazhet e incidenteve u dhanë nga televizionet e të gjithë botës".

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›